Topalli në Pukë: PD triumfoi përballë një opozite që sfidoi Kushtetutën

21 vjet pas themelimit të Partisë Demokratike në qytetin e Pukës, kryetarja e kuvendit, njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ishte e pranishmë në këtë qytet për këtë përvjetor. Zonja Topalli tha se megjithëse Shqipëria është zhvilluar gjatë viteve të fundit, kuvendi u përball gjatë dy viteve të fundit më nje mentalitet, që sic tha ajo sfidonte Kushtetutën.
“Natyrisht përballë kemi një kryetar partie i cili nuk di çfarë është Parlamenti, nuk di çfarë është praktika parlamentare, nuk do të dijë çfarë është ligji, nuk njeh Kushtetutën. Detyra jonë nuk është për ti mësuar rrugën kundërshtarit politik, detyra jonë është për t`i qëndruar kuadrit ligjor, kushtetutës, vlerave, lirisë dhe përgjegjësisë që sjell me vete liria”-tha ajo.
Kryetarja e kuvendit ka vlerësuar angazhimin e grave, të rinjve dhe të rejave të Pukës në radhët e Partisë Demokratike. Ndërkaq ajo ftoi drejtuesit vendorë që të punojnë për të otrganizuar aktivitete festive për 100- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.