E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi poetik në Athinë, me poetë shqiptarë

Me datat 22 qershor në qendrën më të madhe kulturore Public në Athinë, u organizua një takim poetik mbi letërsinë bashkëkohore shqipe, ku i ftuar special ishte poeti Ermir Nika. Në këtë takim, i cili u moderuar nga znj. Floriana Paskali, atashe kulturore

në Ambasadën Shqiptare në shtetin grek, u mbajtën leksione nga shkrimtarët Romeo Çollaku dhe Ermir Nika mbi periudhat letrare nëpër të cilat ka depërtuar historia e letërsie shqipe. Njëkohësisht për publikun e pranishëm në këtë takim u recituan poezi në gjuhën greke nga poetet, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Gentian Çoçoli, Çelo Hoxha dhe Ermir Nika. Gjatë kohës që interpretuesit lexonin poezitë e zgjedhura nga autorët shqiptarë, artisti Eno Kalo luante në kitarë krijimtari të zgjedhur nga repertori i kompozitoreve botërore. Vlen të theksohet se në këtë institucion me kaq rëndësi në jetën kulturore të Greqisë, ishte hera e parë që organizohej një takim i tillë për poezinë shqipe. Po ashtu, në datën 23 qershor, në Athens Centre, për herë të parë u organizua një mbrëmje e veçantë kushtuar kulturës shqiptare. Në këtë takim ishin përzgjedhur vargjet e poetit Ermir Nika, të cilat u interpretuan në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Në këtë takim, i cili për herë të parë arrinte në nivele të tilla, për publikun grek dhe atë amerikan, poeti Ermir Nika mbajti një referat mbi poezinë dhe krijimtarinë e tij në tërësi. Interpretimi i poezive pati reagime emocionante nga salla dhe duartrokitje, qe përligjnin gjendjen që përcillnin poezitë e Nikës për publikun e huaj. Më tej, sipas programit, u bë një prezantim në monitor i biografisë krijuese të Gjergj Fishtës dhe leximit të vargjeve të zgjedhura të veprës më të rëndësishme të tij, Lahuta e Malcisë në gjuhën angleze, nën përkthimin e albanologut të shquar Robert Elsi. Një surprizë e vërtetë për publikun ishte çasti kur moderatori i kësaj mbrëmjeje letrare, piktori i mirënjohur Leonard Voci, bëri të mundur për publikun amerikan dhe grek të dëgjohej edhe një pjese e zgjedhur nga Lahuta e Malcisë, nën interpretimin dhe zërin origjinal të vetë At Gjergj Fishtës. Ne pjesën e tretë të kësaj ceremonie dedikuar kulturës shqiptare, u realizua edhe një ekspozitë me piktura nga krijimtaria e piktorit Leonard Voci. Publiku i pranishëm shprehu konsiderata pozitive për vlerat që bart kultura shqipe, ky oaz pak i njohur i kulturës dhe qytetërimit botëror. Të dyja evenimentet u përshkruan gjerësisht nga media e shkruar greke, sidomos edhe nga gazetat kulturore dhe informative në gjuhën shqipe që botohen në Greqi.


Filmi dokumentar Besa, në Kongresin Amerikan
Filmi dokumentar Besa, ku shqiptarët paraqiten si mbrojtës të hebrenjve gjatë periudhës së luftës së dytë botërore, kur këta përndiqeshin e vriteshin nga nazistët u shfaq para disa ditësh në Kongresin Amerikan. Filmi Besa vazhdon të jetë një projekt i filluar vite më parë nga fotografi amerikan Norman H. Gershman, me titull God's House (Shtëpia e Zotit). Filmi bazohet në të dhëna gojore, dokumente e intervista me personazhe realë, shqiptarë a familje të cilët kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai fillon me rrëfimin e Rexhep Hoxhës, lindur në Tiranë në vitin 1950. I ati, para se të vdiste i la atij amanet tre libra të shkruan në gjuhën hebraike. Ato ishin të një familjeje hebreje që gjatë luftës ishte strehuar në shtëpinë e familjes Hoxha. Me ndihmën Gershmanit, Rexhepi zbulon historinë e panjohur të aktit të jashtëzakonshëm të atit të tij; besën e ndërthur me trimëri e sakrificë. Filmi më pas zgjerohet për të hyrë në thellësi të botës shpirtërore të protagonistëve dhe për t'i shpjeguar publikut të huaj se çfarë është besa dhe përse shqiptarët mendojnë se ajo është pjesë e veçantë e kulturës së tyre. Edhe regjisori kryesor i filmit Jasson Williams e pranon, se besa është diçka e veçantë. Filmuar në Shqipëri, Bullgari, Izrael, dhe Shtetet e Bashkuara, filmi përmban rreth njëzet intervista me të mbijetuar dhe të shumë dëshmitarëve të tjerë. Shfaqja e filmit u organizua nga grupi i ligjvënësve për çështjet shqiptare në Kongresin amerikan, Lidhja Hebraike që lufton Anti-Semitizmin dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. 

Eros Ramazzotti, koncert më 30 korrik në Prishtinë
Në agjendën e turneut veror të këngëtarit Eros Ramazzotti, për herë të parë është edhe shteti më i ri në botë Kosova. Këngëtari italian ka rezervuar datën 30 korrik për koncertin e tij në Prishtinë që është parashikuar të zgjasë 2 orë e gjysmë. Produksioni Live Nation i cili njihet për organizimin e koncerteve të këngëtarëve të famshëm, do të sjellë 48 kamionë me të gjitha pajisjet. Rreth 400 anëtarë të Live Nation do të përkujdesen për të gjitha detajet që kanë të bëjnë me koncertin. Koncerti në Kosovë i Eros Ramazzottit, i cili është organizuar nga kompania e biznesit UBBOSS, është pjesë e turneut që këngëtari ka nisur vitin e kaluar. Bileta për koncertin nuk do të kushtojë më shumë se 15 euro dhe ato do të dalin në shitje në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, duke nisur nga data 9 korrik. Ramazzotti do të mbërrijë në Kosovë vetëm tre ditë pas koncertit në Palermo. Data e koncertit në Prishtinë tashmë është publikuar edhe në ueb - faqen zyrtare të këngëtarit.

Last Updated on E Marte, 06 Korrik 2010 20:32

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›