Takohen Montanelli dhe Poradeci
Dita Ndërkombëtare e Librit prezanton një udhëtim dokumentar të Montanellit në Shqipëri dhe një ekspozitë fotografike të Lasgush Poradecit.
Dita Ndërkombëtare e Librit ka një kalendar modest zyrtar më 23 prill, por cilësor. Të paktën këtë na thotë programi i ndarë në dy pjesë, në dy mjedise. Në Bibliotekën Kombëtare festohet përvjetori i njëqindtë i lindjes i Indro Montanellit, duke marrë shkas nga kontributi i tij si gazetar mendimtar dhe historian, me idetë për botën shqiptare të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar.
Ndërsa në Ministrinë e Kulturës është konfirmuar aktiviteti për Lasgush Poradecin. Ministria e ka shpallur për letrat, vitin 2009, "Viti i Lasgush Poradecit", me rastin e 110-vjetorit të lindjes. Burime të Drejtorisë së Librit në MTKSR, pohuan se, "keni për të parë një Lasgush fotograf dhe piktor".
Referuar kësaj, nuk do të ketë vetëm imazhe që të tjerët i kanë bërë apo kanë bërë për të, po edhe një "këndvështrim figurativ të botës" sipas poetit të "Valles së yjeve" dhe "Yllit të zemrës". Po atë ditë, ministria, në bashkëpunim me trashëgimtaret e veprës së poetit, dy vajzat e tij, paraqet për herë parë botimin e studimit të Poradecit mbi poetin rumun Emineskun, temë doktorature e poetit shqiptar, e shkruar në gjuhën gjermane dhe e përkthyer së fundi në shqipe.
"Eminesku i shpërfillur dhe ideologjia e tij popullore dhe atdhetare - një studim gjenetik, duke pasur sidomos parasysh lidhjet me kulturën gjermane", është titulli i tezës së doktoraturës, të cilën Llazar Gusho e mbrojti më 23 maj të vitit 1933, në Universitetin e Gracit, në Austri, duke marrë titullin Doktor-Profesor.
Të njëjtat burime bënë të ditur se është në fillim puna për botimin e veprës së plotë të Lasgush Poradecit, sepse botimi i fundit është bërë mbi 10 vjet më parë.
Kurse Biblioteka Kombëtare prezanton Montanellin me ekspozitën, "Montaneli në shtypin shqiptar" dhe librin "Shqipëria një dhe njëmijë", që ai shkroi pas udhëtimit në vendin tonë. Është ftuar për këtë rast Sandro Gerbi, autor i një biografie për gazetarin. Më 23 prill, në orën 11.00, në Bibliotekën Kombëtare, Gerbi do të mbajë konferencën "Montaneli në njëqindvjetorin e lindjes akoma hap diskutime".