Islami: Karta falas vetëm për zgjedhjet
Intervista/ Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, vlerëson se, taksa e votës për të varfrit, cenon lëvizjen e lirë për të gjithë shqiptarët.
Z. Islami, prej më shumë se dy muajsh, Partia Socialiste i ka mëshuar fort problemit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, duke denoncuar si të qëllimshme problemet e hasura në këtë proces deri tani. Sipas të dhënave tuaja, sa është numri i shtetasve pa pasaportë dhe sa është numri i atyre që kanë aplikuar deri më tani?
Standardi kartave të identitetit rezulton kryesori për të cilësuar zgjedhjet e 28 qershorit në përputhje me normat demokratike.
Nëse votuesve shqiptarë, tanimë që vendi i tyre, për më tepër, është edhe anëtar i NATO-s, do t'u privohej e drejta e votës për shkak të varfërisë apo pamundësive që nuk lidhen me vullnetin e tyre, atëherë zgjedhjet nuk do të mund të cilësoheshin të lira e të ndershme.
Për më tepër, nëse ky faktor do të ishte aq i madh (për një mandat duhen 10 mijë vota, nëse pjesëmarrja në votime është rreth 50 për qind) sa të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve, atëherë do të mund të thuhej se në një vend të NATO-s është deformuar vullneti i zgjedhësve dhe rezultati i zgjedhjeve është i manipuluar.
Kjo do të ishte shumë e rëndë. Ne kërkojmë që të jepet falas njëra prej funksioneve të kartës së identitetit, pikërisht ajo që i përket funksionit si mjet identifikimi për çdo votues pa pasaportë për jashtë vendit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të evitohen manipulimet që lidhen me dokumentet e identifikimit.
Ministria e Brendshme ka dhënë një shifër prej 730 mijë votues pa pasaportë, por ne kemi shumë raste që shume votues nuk kanë pasaportë dhe ndodhen jashtë kësaj liste. Insistimi i qeverisë për të mos përcaktuar numrin e saktë dhe cinizmi për të mos e trajtuar këtë çështje, që i përket qeverisë dhe jo opozitës, të shtyn të mendosh se prapa saj fshihet një tentativë manipulimi.
Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme që na kanë ofruar në komisionin ad-hoc, për datën 10 prill, rezultojnë se kanë aplikuar nga ky grup vetëm rreth 190 mijë shtetas, pra, rreth 25 për qind e tyre dhe kanë marrë kartën e identitetit rreth 40 mijë votues pa pasaportë ose rreth 5.5 për qind e votuesve pa pasaportë.
Dhe, për dijeni të lexuesit, kanë mbetur vetëm 47 ditë pune për të aplikuar, ndërkohë që nga 12 janari 2009, kur ka filluar aplikimi, kanë kaluar 84 ditë pune. Dhe ndërkohë që kanë aplikuar 190 mijë, mbeten për të aplikuar edhe 540 mijë votues pa pasaportë, sipas shifrës së Ministrisë së Brendshme dhe akoma më shumë në realitet.
Ju i keni kërkuar mazhorancës që të ulet në tryezën e bisedimeve për të gjetur zgjidhjen për këtë ngërç të krijuar. Ndëkohë, nga ana tjetër, jeni shprehur se keni zgjidhjen e duhur. Mund të na thoni se për çfarë zgjidhjeje bëhet fjalë?
Përsëris: të hiqet taksa e votimit. Ndryshe, të jepet falas komponenti i shërbimit si kartë votimi i kartës së identitetit.
Akoma më thjeshtë, meqenëse në Kodin Zgjedhor parashikohet si mjet identifikimi edhe karta e identitetit, dhe përderisa në momentin e hartimit të kësaj dispozite është kërkuar që për të gjithë votuesit pa pasaportë, kjo kartë me funksionin e kartës së votimit të jepet falas, kërkesë e përsëritur qeverisë në momentin e miratimit të buxhetit, dhe për më tepër që gjendja ekonomike e financiare është kthyer në një problem për ritmet e aplikimit, kemi kërkuar që deri më 28 qershor, kjo kartë të jepet falas vetëm për funksionin elektoral.
Kurse politika apo koncepti jo falas, qoftë edhe i diferencuar sipas kategorive të ndryshme apo edhe falas, për funksionet e tjera të kësaj karte, të aplikohet pas zgjedhjeve.
Z. Islami, PS-ja është larguar në mënyrë demonstrative nga salla e Kuvendit, duke kërkuar zgjidhje të këtij problemi. Është ky një bojkot që do të vazhdojë edhe për seancat e tjera?
PS-ja i ka ritreguar dhe theksuar mazhorancës, por realisht më qartësisht qeverisë, se prioriteti i prioriteteve është pajisja e çdo votuesi me kartë identiteti. Parlamenti nuk mund të bëjë sikur punon, nëse ai nuk realizon objektivin madhor të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Shqiptarët duhet të dinë se jo vetëm imazhi i saj si një vend anëtar i ri NATO-s apo si një vend kandidat për në BE, gjë që shqiptarëve pragmatikë do t'u tingëllonte demagogji apo e parëndësishme, do të cenohen rëndë, por edhe ai element që lidhet me nevojën apo interesin e madh për të qenë anëtar të BE-së, lëvizja e lirë në zonën Shengen, do të cenohen dhe me siguri do të shtyhet për t'u realizuar.
Kjo është arsyeja e veprimit politik të grupit të PS-së. Ky nuk është bojkot i Kuvendit, por një sensibilizim i shqiptarëve dhe i partnerëve se zgjedhjet e lira e të ndershme janë në rrezik.
Besoni se qytetarët do t'i përgjigjen thirrjes suaj për të dalë në protesta për kartat?
Besoj se po, sepse bëhet fjalë për kartat që do të garantonin lëvizjen e tyre të lirë në zonën Shengen.
Dhe duhet pasur parasysh se, pamundësia e lëvizjes së lirë të shtetasve me pasaportë do lidhej në këtë rast me vendosjen e taksës së votimit për të varfrit, që do t'u mohohej e drejta e votimit, ndonëse atyre, për shkak të varfërisë, nuk u shkon momentalisht mendja tek lëvizja e lirë në zonën Shengen.
Pra, kjo do të thotë se heqja e taksës së votimit është në interes direkt të të varfërve që dëshirojnë të votojnë, por edhe indirekt të atyre që kanë mundësi ekonomike të kenë pasaportë për jashtë vendit, por duan të lëvizin lirisht në Europë.
Pra, është një "...protestë për të tërë..."
Gjithnjë e më shumë, figura të PS-së kanë nisur të artikulojnë paralajmërimin për të mos hyrë në zgjedhje, në rast se nuk pajisen të gjithë qytetarët me karta.
Prandaj, doja t'ju pyesja dhe ju, a është shtyrja e datës së mbajtjes së zgjedhjeve një opsion i mundshëm dhe nëse po, kur mund të bëheshin ato?
Përgjigja është e thjeshtë, se PS-ja është e angazhuar dhe e përgatitur të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe nuk dëshiron që ta shtyjë asnjë ditë këtë datë, në mënyrë që shqiptarët sa më shpejt të qetësohen nga largimi i kësaj qeverie maksimalisht të korruptuar. PD-ja ka tentuar qysh në momentin e hartimit të ndryshimeve kushtetuese, të lerë të hapur mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve.
Z. Islami, jemi thuajse në fushatë dhe PS-ja ende nuk ka marrë një vendim për kandidatët që do të përfshijë në listat e saj të deputetëve. A i ka projektuar ajo këto lista dhe mbi ç'kritere do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për deputetë?
Kritere moderne dhe procedurë demokratike. Do të jenë kriteret dhe procedurat më moderne që janë aplikuar apo do të aplikohen nga të gjithë partitë politike në Shqipëri.
Parimet do të jenë: a) studim i thelluar dhe shumështresor i profilit të zonave dhe rajoneve zgjedhore; b) krijim i "rezervuarit" të kandidaturave në një gërshetim ndryshim-eksperiencë-profesionalizëm-integritet-barazi-shansesh; c) përputhje optimale midis profilit shumëpërmasor dhe rezervuarit të kandidaturave.
Seleksionimi dhe motivimi do jenë të gjerë, jo vetëm në funksion të Kuvendit të ardhshëm, por të qeverisjes së ardhshme. Konsultimet me anëtarët e partisë dhe votuesit, sondazhet, respektimi i rregullave statutore, analiza e vlerave dhe e kontributeve, do të jenë në themel të teknologjisë së seleksionimit.
Z. Islami, PD-ja ka nisur të konkretizojë koalicionin e ardhshëm zgjedhor, duke nënshkruar marrëveshje me disa prej forcave që edhe sot i ka në qeveri. Po PS-ja kur do të nisë një proces të tillë dhe cilët do të jenë aleatët e saj?
Objektivi kryesor i PS-së mbetet bashkëveprimi me të gjithë votuesit, derë më derë e kokë më kokë, në seanca dëgjimi për hallet e shqetësimet e tyre, në konsultime për të gjeneruar zgjidhje të thjeshta e reale, në tavolina me ekspertët në çdo komunë e bashki, në aktivitete rajonale e kombëtare për të bashkërenduar strategjitë e zhvillimit kombëtar me ato rajonale.
Me objektivin parësor të ndërtimit të një qeverisjeje të qytetarëve dhe për qytetarët, njëkohësisht synohet nga këndvështrimi elektoral, maksimalizimi i suksesit i forcës sonë politike, që do të garantonte një qeverisje të qëndrueshme dhe efikase. Brenda këtij kuadri, PS-ja do të ndërtonte koalicionin e fitores, i cili do të kishte për synim maksimalizimin e suksesit të grupimit fitues përballë grupimit të djathtë kundërshtar.
E thënë shkurtimisht, PS-ja do të ndërtojë koalicionin e madh me qytetarët dhe gjithçka tjetër do të jetë rrjedhojë e këtij koalicioni, pra aleati kryesor do të jenë shtetasit. Ndërkohë që filozofia e PS-së për koalicionin e majtë të fitores është e qartë, formati konkret dhe protokolli shoqërues do të shfaqen në momentin adekuat.
Parimet e bashkëpunimit do të ishin: a) platforma politike të integrueshme në programin e qeverisjes së qytetarëve; b) qëndrime politike dhe morale të njëjta; c) luftë kundër dukurive negative dhe qeverisje e mirë e transparente; d) ekip i kualifikuar e profesional dhe me integritet politik e moral.
Me siguri që qeverisja e qytetarëve nuk do të ngrihet mbi bazën e pazareve apo të llogarive të individëve dhe as në funksion të tyre.
Një tjetër debat që mbetet i hapur në lidhje me marrëdhëniet me LSI-në, është edhe ai për bashkëpunimin paszgjedhor.
Kjo e fundit, shpeshherë ka ndryshuar qëndrim, ku ka deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë me PS-në pas zgjedhjeve. Sipas jush, a është e moralshme që dy forca politike, që për pothuajse për një vit rresht janë akuzuar njëra me tjetrën të bashkëpunojnë?
Së pari, tani të gjithë shqiptarët nuk janë naivë dhe s'mund të jenë më peng i llogarive të vogla personale, që i konsideron njerëzit thjesht si numra dhe koalicionet si pazare të një grushti individësh, qofshin këto edhe kryetarë forcash politike.
Koalicionet para dhe paszgjedhore do të bazohen, në radhë të parë në interesat e qytetarëve, në programe të njëjta në funksion të qytetarëve dhe në moral të njëjtë vlerash, larg marifeteve 18-vjeçare që e kanë kthyer politikën në mjet përfitimi për disa politikane dhe partitë në mekanizëm për të bërë politikë personale.
PS-ja është qartazi e angazhuar për t'i dhënë jetë një politike të moralshme, që do të jetë një mjet në duart e qytetarëve për të ndryshuar jetën e tyre dhe projektuar të ardhmen e fëmijëve tanë.
Së dyti, gjithkush e ka kuptuar stilin e vjetër të deklaratave të LSI-së për koalicion paszgjedhor, të ardhura pas sharjeve dhe, mesa duket, dëshpërimit maksimal deri në ndërgjegjësim, se Partia Socialiste tanimë i ka fituar bindshëm zgjedhjet e 28 qershorit.
Këto deklarata janë shprehje tjetër e mungesës së moralit, që pasi hedh baltë pa fund mbi lidershipin e PS-së, që e konsideron kastë me të cilën nuk bashkëpunon më tej, kërkon të qeverisë me PS-në pa bërë asnjë lloj pastrimi, por duke bërë kërcënime se, kush pengon pazaret e tij për qeverinë e ardhshme, është skifter.
Ky nuk ka qenë as morali i bashkëpunimit në opozitë, por nuk mund të jetë as morali i bashkëqeverisjes. Ky është stili i vjetër që nuk mund dhe nuk do të riciklohet më, ky nuk mund të jetë morali i një qeverisje për qytetarët dhe për një qeveri që synon ta fusë vendin në BE.
Ne jemi të hapur për të bashkëvepruar më çdo forcë politike që ka moralin e qeverisjes së qytetarëve dhe për qytetarët, përsëris moralin dhe programin e qeverisjes së PS-së.
Për kandidatët:
"Seleksionimi dhe motivimi do të jenë të gjerë, jo vetëm në funksion të Kuvendit të ardhshëm, por të qeverisjes së ardhshme. Konsultimet me anëtarët e partisë dhe votuesit, sondazhet, respektimi i rregullave statutore, analiza e vlerave dhe e kontributeve, do të jenë në themel të teknologjisë së seleksionimit".
Për koalicionin:
"Parimet e bashkëpunimit do të ishin: a) platforma politike të integrueshme në programin e qeverisjes së qytetarëve; b) qëndrime politike dhe morale të njëjta; c) luftë kundër dukurive negative dhe qeverisje e mirë e transparente; d) ekip i kualifikuar e profesional dhe me integritet politik e moral. Me siguri që qeverisja e qytetarëve nuk do të ngrihet mbi bazën e pazareve apo të llogarive të individëve dhe as në funksion të tyre".
Për LSI-në:
"Gjithkush e ka kuptuar stilin e vjetër të deklaratave të LSI-së për koalicion pas zgjedhor, të ardhura pas sharjeve dhe, mesa duket, dëshpërimit maksimal deri në ndërgjegjësim se, Partia Socialiste tanimë i ka fituar bindshëm zgjedhjet e 28 qershorit. Këto deklarata janë shprehje tjetër e mungesës së moralit që, pasi hedh baltë pa fund mbi lidershipin e PS-së, më tej kërkon të qeverisë me të".
Për bashkëqeverisjen:
"Ky është stili i vjetër që nuk mund dhe nuk do të riciklohet më, ky nuk mund të jetë morali i një qeverisje për qytetarët dhe për një qeveri që synon ta fusë vendin në BE. Ne jemi të hapur për të bashkëvepruar më çdo forcë politike që ka moralin e qeverisjes së qytetarëve dhe për qytetarët, përsëris moralin dhe programin e qeverisjes së PS-së".