Si dështoi tenderi i operatorit të katërt
Dhënia e licencës së katërt të telefonisë celulare në vend, është një procedurë që ka nisur disa muaj më parë. Çmimi fillestar që vendosi qeveria shqiptare ishte pesë milionë euro, por duke parë rëndësinë e operatorit të katërt, shpresat ishin që të arrihej një shumë edhe më e madhe.
Pas shpalljes zyrtare për tender, u ofruan disa kompani të ndryshme. Procedurat ishin parashikuar që të zhvilloheshin më 23 janar, por ato u shtynë edhe për një muaj. Pas procedurave të para mbetën në garë vetëm dy kompani, shqiptarja "Univers PG" dhe kompania kosovare "PTK".
Ofertat u hapën më datë 20 shkurt 2009 dhe kompania shqiptare "Univers PG" nuk ka plotësuar kërkesat për kualifikim, të përcaktuara në dokumentin e tenderit. Ajo kishte bërë ofertën minimale pesë milionë euro, por nuk mund të plotësonte të gjitha kushtet. Në lojë mbeti vetëm pala kosovare, e cila nuk mund të garonte e vetme.
Bordi drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vendosi shtyrjen e tenderit, pasi ai nuk mund të zhvillohej me një firmë të vetme. Oferta e palës kosovare arrinte në 7.2 milionë euro. Në këtë situatë u vendos që të gjendej një zgjidhje tjetër.
Dhe pikërisht kjo zgjidhje "u gjet" nga qeveria, e cila propozon dhënin e licencës së katërt në kundërshtim me ligjin. Në relacionin e tij, Këshilli i Ministrave i kërkon Kuvendit ndihmë për të votuar këtë VKM dhe sqaron se në rast të kundërt, thjesht "do zbatohet ligji dhe do bëhet sërish tenderi".