E Diel, 1 Nëntor 2026

Takohet me shtetinNga Jeton Musliu, “Express”Goran Bogdanoviç, më në fund, u takua me shtetin e Kosovës. U dëbua nga policia, kur po zhvillonte aktivitete provokuese politike në Shtërpcë. Ai mori mesazhin se ministër për Kosovën mund të jetë vetëm n

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Takohet me shtetinNga Jeton Musliu, “Express”Goran Bogdanoviç, më në fund, u takua me shtetin e Kosovës. U dëbua nga policia, kur po zhvillonte aktivitete provokuese politike në Shtërpcë. Ai mori mesazhin se ministër për Kosovën mund të jetë vetëm në Serbi. Z. Bogdanoviç, tjetër herë kërko leje!

Goran Bogdanoviç u dëbua nga Kosova. Ai e përjetoi atë që shqiptarët e Kosovës e kanë provuar për dekada. Për dy orë, Bogdanoviç e ndjeu se si është të jesh i padëshiruar për një shtet tjetër. Ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë kaloi kufirin Kosovë-Serbi në Merdar, të mërkurën në orën 14 e 30 minuta.
I përcjellë nga forca të mëdha të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, krejt çfarë i mbeti për të thënë ishte slogani i njohur se “Kosova është territor i Serbisë” dhe se ai kurrë nuk do të kërkojë leje për të ardhur në Kosovë. Megjithatë, edhe pse “territor i Serbisë”, pa dëshirën e tij, ai u detyrua të largohet. I nervozuar sepse nuk dëshironte të legjitimohej nga Policia Kufitare, për disa çaste situata ishte e tensionuar në Merdar. Urdhri i marrë nga Policia e Kosovës që të fikej vetura tip Toyota me targa të Kosovës, në të cilën ndodhej ai, u respektua nga vozitësi i tij. Por pas kërkesës së policisë që ai dhe personat që e shoqëronin të paraqisnin dokumentet përkatëse, vozitësi i Bogdanoviçit ndezi veturën dhe u bë gati të nisej.
“Ne nuk i japim askujt llogari. Çfarë dokumentesh t’ju tregoj juve?” - dëgjoheshin ata duke bërtitur. Në këtë moment, zyrtarët e Policisë Kufitare të Kosovës i dolën para duke i dhënë sërish urdhër që vetura të fikej dhe të mos lëviznin nga aty pa përfunduar procedurat e legjitimimit. Trupat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët e shoqëruan Goran Bogdanoviçin, ende qëndronin aty. Përveç kësaj, pjesëtarë të tjerë të kësaj njësie kishin zënë pikat kyçe të vendkalimit kufitar, brenda territorit të Kosovës. Tërë kjo ngjarje nuk mund të zhvillohej pa dëshmitarë ndërkombëtarë. Gjatë tërë kohës, një polic gjerman i misionit të EULEX me telefon në dorë raportonte atë çfarë shikonte në pikën kufitare të Merdarit.
Më në fund, pas procedurave, në zonën neutrale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Bogdanoviç vendosi të flasë për mediet. I pyetur nga “Express”, nëse ndihet i turpëruar me mënyrën se si po largohet nga Kosova, Bogdanoviç tha se nuk ndihet ashtu, pasi vetë është banor i këtij vendi. “Unë kam ardhur në vendin tim dhe Kosova e Metohia nuk është një shtet tjetër, përveçse territor i Serbisë”, - tha ai, duke shpjeguar se Policia e Kosovës ka pasur sjellje korrekte ndaj tij. “Unë nuk kërkoj leje dhe nuk do të kërkoj kurrë. Unë jetoj në territorin e Kosovës dhe Metohisë së bashku me familjen time. Unë nuk jam ministër i ndonjë shteti tjetër, unë jam ministër i qeverisë së Serbisë, jam njeri që dua të bisedoj me popullin tim dhe po ashtu edhe me shqiptarët”, - u shpreh Bogdanoviç, duke u përpjekur që nervozizmin e tij ta fshehë pas buzëqeshjeve. “Nuk duhet asnjë leje dhe asnjëherë nuk do të kërkoj leje për t’u futur në Kosovë. Unë jam i gatshëm të më fusni në burg, të bëni çka të doni, por unë jetoj në Kosovë”, - tha ai, duke shpjeguar se familja e tij jeton në Leposaviq.
“Nëse kjo është arsyeja të më dëboni mua dhe familjen time dhe serbët e tjerë që jetojnë në Kosovë dhe Metohi, që të kërkojnë të gjithë leje të jetojnë këtu apo të vizitojnë vendin e tyre dhe familjarët, atëherë më falni”, - tha Bogdanoviç, duke shtuar se nuk ka ardhur në Kosovë të hapë kazermat e ushtrisë dhe as të futet në stacionet policore.
“Nuk kam ardhur të përcjell mesazhe të urrejtjes, kam ardhur t’i dëgjoj hallet e qytetarëve serbë këtu”, - tha Bogdanoviç, dikur ministër në qeverinë e Kosovës.
Por dëgjimi i halleve të qytetarëve duket se nuk ka asnjë lidhje me takimet e tij politike të mbajtura me drejtuesin e strukturave paralele serbe në Shtërpcë, Zvonko Mihajlloviç.
“Takimet e tij kanë qenë tërësisht të karakterit politik dhe urdhri i marrë për dëbim të tij është marrë nga qeveria e Kosovës”, - thotë zyrtari i policisë, i afërt me rastin.
Për më tepër, dyshohet se Bogdanoviç ka ardhur të vizitojë strukturat paralele pikërisht në kohën kur Serbia ka paralajmëruar se do të mbajë në muajin prill zgjedhjet lokale në Kosovë për të rizgjedhur strukturat paralele.
Por duket se takimet e tij kanë mbetur përgjysmë. Kjo për faktin se urdhri për ndalimin e Goran Bogdanoviç dhe dëbimin e tij nga Kosova është marrë direkt nga ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.
Pas raporteve që ai ka marrë nga terreni se çfarë Bogdanoviç është duke bërë, ministri Pajaziti ka dhënë urdhër të menjëhershëm për ndalimin dhe dëbimin e tij nga territori i Kosovës.
Ndalimi është bërë në orët e paradites të së mërkurës në fshatin Sevçe të komunës së Shtërpcës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se ndalimi dhe dëbimi i Bogdanoviçit ka ndodhur, pasi ai nuk i ka respektuar procedurat e rregullta për të hyrë në Kosovë. “Goran Bogdanoviç është ndaluar nga policia, sepse nuk ka kërkuar leje paraprake për vizitë dhe qëndrim në Kosovë”, - thotë Baki Kelani.
Ndërkohë, burime të “Express” nga Policia e Kosovës tregojnë se Bogdanoviç ka hyrë në Kosovë para tri ditësh, saktësisht të premten, përmes pikës kufitare 1, e cila ndodhet në veri të vendit, në Leposaviq. Meqë Bogdanoviç është banor i Kosovës dhe ka deklaruar se vjen për vizitë private, ai është lejuar të hyjë në territorin e vendit, pa ndonjë leje të veçantë nga autoritetet e Prishtinës.
“Por ai ka qenë nën përcjellje gjatë tërë kohës”, - thotë ky zyrtar për “Express”, i afërt me ngjarjen. Meqë një pjesë e të afërmve të Bogdanoviçit jetojnë në Leposaviq, ai ka qëndruar atje për pak kohë, për t’u nisur në drejtim të pjesës tjetër të Kosovës, saktësisht, drejt enklavave me shumicë serbe.
Por gjatë qëndrimit është parë se Goran Bogdanoviç, nga vizita e tij e karakterit privat, ka filluar të merret me çështje politike, duke organizuar takime me serbët lokalë të komunës së Shtërpcës. Nuk është hera e parë që Goran Bogdanoviç përballet me Policinë e Kosovës. Ai dy herë nuk është lejuar as të hyjë në territorin e vendit, pa leje të qeverisë së Kosovës. Por kjo është hera e parë që autoritetet e Kosovës dëbojnë atë si njërin nga zyrtarët më të lartë të qeverisë së Serbisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›