E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërndarja e ndihmave, me diferencime politikeNga Faktori Plus Situata e emergjencës në veri të vendit ka bërë që drejt zonës së përmbytur prej 14 ditësh të nisen dje presidenti Bamir Topi, ambasadori amerikan, John Withers, ai i Komisioni

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shpërndarja e ndihmave, me diferencime politikeNga Faktori Plus
Situata e emergjencës në veri të vendit ka bërë që drejt zonës së përmbytur prej 14 ditësh të nisen dje presidenti Bamir Topi, ambasadori amerikan, John Withers, ai i Komisionit Evropian, Lohan, dhe ai spanjoll, Montobio, vendi i të cilit ka edhe presidencën e Unionit.
Rreth orës 12, autoritetet e larta kanë mbërritur në komunën Ana e Malit, ku kanë marrë takim me drejtuesit vendorë.
Më pas zoti Topi dhe ambasadorët janë takuar me banorët, të cilëve iu janë përmbytur shtëpitë. Kreu i shtetit dhe diplomatët e huaj kanë inspektuar edhe fshatin Obot, dhe kanë bërë thirrje për solidaritet dhe kompensim të të dëmtuarve. Presidenti deklaroi për gazetarët se situata nuk ishte aq e rrezikshme, sa për të mbledhur Komitetin e Sigurisë Kombëtare.
“Unë mendoj dhe ju siguroj që, siguria kombëtare është monitoruar në çdo sekondë të 24 orëshit. Ju siguroj që më shumë sesa siguria kombëtare, asgjë nuk na shqetëson dhe përderisa të gjitha institucionet, që përbëjnë Këshillin e Sigurimit Kombëtar, kanë qenë në aktivitet të plotë, kanë qenë në një kontakt dhe komunikim të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, kanë qenë në terren, unë besoj që kjo garantohet dhe nuk ka asnjë lloj elementi që ta vërë në dyshim këtë”, - tha Topi.
Ambasadori amerikan, Withers, tha se SHBA do të ndihmojnë për situatën.
“Ne patëm mundësinë të takojmë persona, jeta e të cilëve është ndërprerë për shkak të përmbytjeve dhe kjo na ka bërë të kuptojmë të gjithë gjithçka që ata dhe familjet e tyre kanë kaluar gjatë kësaj periudhe. Sapo jam kthyer nga Shtetet e Bashkuara. Shteti amerikan në të vërtetë është përqendruar në këtë situatë dhe nesër do të bëjmë me dije fazën e parë të asistencës, që ne dëshirojmë të ofrojmë, e cila do të pasohet pastaj me fazën tjetër që është rikuperimi dhe rehabilitimi i njerëzve që të mund t’i rikthehen jetës normale. Dëshiroj të them gjithashtu që jemi impresionuar shumë me mënyrën se si banorët e kanë përballuar këtë situatë dhe dëshirojmë t’i përgëzojmë për të gjitha aftësitë e tyre për të rikuperuar gjithçka. Ne të gjithë e ndjejmë dhimbjen e tyre në këtë situatë që po kalojnë dhe e përshëndesim kurajën e tyre, me të cilën ata po e administrojnë këtë situatë, me të cilën janë të detyruar të përballen”, - tha Withers.
Ndërsa ambasadori i KE, Lohan, tha se ishte shumë e rëndësishme për diplomatët që të shihnin në terren situatën. “Dëshirojmë gjithashtu që të shprehim të gjitha emocionet tona të solidaritetit dhe të simpatisë që kemi për të gjithë personat që kanë vuajtur për shkak të efekteve të kësaj përmbytjeje. E megjithatë, në këtë situatë, të gjithë familjarët dhe personat që jetojnë në këtë zonë le të bashkohen me mua në një ndjenjë solidariteti për të gjithë viktimat që kanë ndodhur për viktimat e tërmetit në Haiti. Bashkimi Evropian ka pasur mundësinë që të shprehë në mënyrë të qartë e të shpejtë solidaritetin, duke dërguar këtu ekipin e ekspertëve, të cilët janë duke ndihmuar autoritetet shqiptare për të parë të gjithë nevojat që kanë, si dhe në pritjen dhe në shpërndarjen e të gjithë të mirave, për të cilat ka nevojë komuniteti. Bashkimi Evropian dhe shumë vende dhe partnerë të tij kanë mundur të tregojnë në mënyrë shumë të shpejtë solidaritetin e tyre duke sjellë, jo vetëm produkte ushqimore, por po ashtu dhe sende të tjera, që kanë qenë të nevojshme për popullatën. Solidariteti i Bashkimit Evropian nuk përfundon këtu. Ne do vazhdojmë ta dëshmojmë të gjithë solidaritetin e Bashkimit Evropian dhe gjatë fazës së dytë, që është rikuperimi dhe rehabilitimi i zonës. Dhe shpresoj që kjo fazë e dytë të vijë shpejt, në mënyrë që të përfundohet faza e parë e emergjencës”, - tha Lohan.
Kurse ambasadori spanjoll, Montobio, tha se BE do vijojë ndihmën. “Siç e dini, qeveria e Spanjës është duke kryesuar Presidencën e radhës dhe jam këtu në emër të saj, për ta përfaqësuar atë. Ndaj tërësisht të njëjtat mendime me atë që tha dhe kryetari i Komisionit Evropian në Shqipëri. Dhe në emër të Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerëve dëshiroj të falënderoj presidentin Topi që na ka ofruar këtë mundësi. Dhe unë gjithashtu mendoj që ambasadat e vendeve përkatëse në Shqipëri janë sytë e vendit të tyre këtu. Bashkimi Evropian është me ju, komuniteti ndërkombëtar është me ju dhe gjithë ky solidaritet do të përkthehet në ndihmë që do të ofrohet nga Bashkimi Evropian dhe nga partnerët për të gjithë këtë situatë, me të cilën ju jeni duke u përballur”, - tha Montobio.
Gjatë vizitës kreu i shtetit dhe diplomatët janë takuar edhe me efektivë të forcave të mbështetjes rajonale.
Nga ana tjetër në terren situata në fshatrat e përmbytur të Shkodrës vazhdon të jetë e rënduar. Në Bushat dhe Bërdicë, gjatë natës ka pasur rritje të nivelit të ujit. Rruga drejt Dajçit është ende e bllokuar. Aty lejohen të kalojnë vetëm mjetet e ushtrisë. Në qytetin e Shkodrës, problematike mbetet lagjja Livade, ku uji arrin 1 metër lartësi. Në këtë lagje janë 130 banesa të përmbytura. Banorët janë evakuuar në përgjithësi, përveç atyre që i kanë shtëpitë disakatëshe dhe jetojnë në katet e sipërme.

***

Prania e tre ambasadorëve më të rëndësishëm të Perëndimit në Shkodër në shoqërinë e presidentit Bamir Topi është një sinjal pozitiv se Perëndimi po shikon mundësinë të ndihmojë zonat e dëmtuara nga fatkeqësia. Të tre ambasadorët e Perëndimit e shprehën qartë këtë solidaritet. Por përtej kortezisë së solidaritetit, vendet perëndimore kanë nevojë të prekin me dorë institucione të besueshme shtetërore, me të cilat mund të bashkëpunohet për ndihmat financiare dhe materiale për këtë situatë. Këtu mund të fillojnë dhe problemet. Deri më tani në gjithë zonën e përmbytur nuk kemi ende një institucion të centralizuar shtetëror që të ketë përpara një plan veprimi për banorët në nevojë, t’i ketë ata të gjithë të identifikuar dhe të funksionojë duke e pasur situatën nën kontroll. Media ka raportuar raste gati qesharake, kur ministri Basha apo zyrtarë të tjerë të lartë urdhërojnë me telefon në mënyrë spontane dhe pa asnjë plan shpërndarjen e ndihmave. Në redaksinë e “Faktorit Plus” ka qindra mesazhe nga qytetarë që ankohen se ndihmat po vidhen dhe shpërdorohen nga mashtrues që përfitojnë nga paaftësia dhe çorganizimi i strukturave shtetërore. Ka denoncime konkrete, me mijëra për persona, kontakte me background të dyshimtë dhe me qëndrime selektive dhe nga pikëpamja politike për ndihmat. Të gjitha këto probleme janë një dënim i ri për ata banorë. Nëse qeveria nuk demonstron besueshmëri të lartë te vendet perëndimore dhe nëse ajo nuk arrin t’i bindë ambasadorët e Perëndimit se çdo ndihmë e dërguar prej tyre, si financiare, ashtu edhe materiale do të shkojë njësoj te çdo banor dhe nuk do të shpërdorohet, atëherë solidariteti ka për të mbetur në letër. Mënyra se si qeveria do të menaxhojë këtë situatë dhe besueshmëria që do të krijojnë strukturat e saj, janë vendimtare për të pasur një sukses në thithjen e ndihmave dhe në çuarjen e tyre pranë qytetarëve. Problemet që kanë shoqëruar deri më sot këtë proces janë të shumanshme, por mbi të gjitha është shfaqur problemi i mos-koordinimit dhe mungesës së një rrjeti të koordinuar të shpërndarjes, gjë që bën që shpesh banorët të irritohen nga mënyra se si ata trajtohen. Jemi ende herët të themi se ka korrupsion nga strukturat shtetërore, por është e sigurt se konfuzioni, me të cilin po zhvillohet procesi, po sjell korrupsionin në nivele të ulëta, në shpërndarjen në bazë dhe në mungesën e eficiencës së operacionit humanitar. Tashmë që mund të konsiderohet se po kalojmë në një fazë të re të emergjencës, në atë të riparimit të pasojave, një imazh i tillë i strukturave të qeverisë në aspektin e ndihmës humanitare mund të frenojë solidaritetin me viktimat dhe mund të përkeqësojë kushtet e tyre. Ambasadorët më të rëndësishëm të Perëndimit kanë shkuar pranë banorëve të shoqëruar nga presidenti Topi, mes të tjerash dhe për të dëshmuar baras-distancën e tyre nga qeveria dhe opozita që po përpiqen ta politizojnë procesin e shpërndarjes së ndihmave. Ata që duan realisht të ndihmohen banorët në nevojë, duhet së pari të ngjallin besim te banorët dhe më pas ky besim të përcillet te donatorët dhe njerëzit që po solidarizohen me viktimat e kësaj katastrofe. Nëse strukturat e shtetit vazhdojnë të punojnë si deri më sot, në mënyrë kaotike, jotransparente, dhe shpeshherë me diferencime të qarta politike, atëherë do të ketë gjithnjë e më pak ndihma dhe solidaritet për këtë operacion humanitar. Dhe kjo është një përgjegjësi e re e qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›