E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, familjarët kërkojnë përgjigje nga prokuroria për hetimet ndaj MediutNga TemaFamiljarët e viktimave të Gërdecit kanë kërkuar dje nga prokuroria që t’u kthejë përgjigje lidhur me kërkesën e tyre për hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatm

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Gërdeci”, familjarët kërkojnë përgjigje nga prokuroria për hetimet ndaj MediutNga TemaFamiljarët e viktimave të Gërdecit kanë kërkuar dje nga prokuroria që t’u kthejë përgjigje lidhur me kërkesën e tyre për hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ata janë shprehur të indinjuar me indiferencën e organit të akuzës, që, edhe pse kanë disa muaj që kanë kërkuar hetimin e Mediut, prokuroria nuk u ka kthyer përgjigje se çfarë është bërë me kërkesën e tyre. Familjarët janë shprehur se tashmë presin që të përballen në gjykatë me Prokurorinë e Përgjithshme, që të marrin përgjigje për kërkesën e tyre.

Kërkesa

Edhe pse ligjërisht prokuroria ka një urdhër të brendshëm për të kthyer përgjigje për çdo kallëzim brenda 20 ditësh, kjo e fundit nuk u ka kthyer përgjigje familjarëve të viktimave të Gërdecit, të cilët kanë depozituar një kallëzim penal ndaj Fatmir Mediut prej disa muajsh. Për këtë arsye, kreu i Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të
Gërdecit, Feruzan Durda, ka kërkuar nga prokuroria që t’u kthejë përgjigje, nëse kanë filluar apo jo hetimet ndaj Mediut. “Ne, familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, në emër të shoqatës sonë, pas pranimit të kërkesë-padisë sonë, në kuadër të të plagosurve të tragjedisë nga Gjykata e Lartë, që në muajin nëntor i jemi drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesën për procedim të Fatmir Ali Mediut. Me anë të kësaj kërkese ne kërkuam që prokuroria të kryente veprimet e duhura për procedimin e fajtorit të shpërthimit. Gjithashtu, kemi kërkuar që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë autorizimin për procedim, në mënyrë që Kuvendi të votonte për heqjen e imunitetit, çka do bënte më pas të mundur vënien para drejtësisë të Fatmir Ali Mediut. Prokurorisë, në ditët në vazhdim, i kemi bërë dhe kërkesë për informacion mbi kërkesën e mësipërme. Duke marrë në konsideratë që afati zyrtar për detyrimin që jep ligji për t’iu përgjigjur kërkesave zyrtare ka kaluar, i kërkojmë prokurorisë të na përgjigjet, nëse është dhënë autorizimi për veprimet e sipërpërmendura. Nuk e kuptojmë zvarritjen dhe heshtjen e këtij institucioni për këtë ngjarje kaq të rëndë. Është në nderin e këtij institucioni që të ndërmarrë veprime që do vinin përpara drejtësisë çdo person me apo pa imunitet, pasi ky është dhe funksioni kushtetues i këtij organi”, - tha Durda në emër të familjarëve që humbën të afërmit e tyre në tragjedinë e 15 marsit. Sipas tij, nëse prokuroria nuk kthen përgjigje, ata do të përballen në gjykatë me të, me qëllim marrjen dijeni se çfarë u bë me kërkesën e tyre. “Duke qenë se afati ligjor i kthimit të një përgjigjeje zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme ka kaluar, ne po përgatisim hapat përkatës për ta kërkuar këtë të drejtë përmes sistemit gjyqësor. Nëse institucioni i Prokurorisë nuk siguron kthimin e një përgjigjeje shumë shpejt, një përballje gjyqësore ndërmjet palës së dëmtuar dhe organit të akuzës do të jetë e pashmangshme”, - përfundoi deklaratën kreu i Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Gërdecit. Vetëm pak javë më parë, kryeprokurorja, Ina Rama, refuzoi që të priste në një takim familjarët e viktimave të Gërdecit, të cilët kërkuan të informoheshin lidhur me kërkesën e tyre për hetimin e Mediut.

Beteja e familjarëve

Familjarët e viktimave të Gërdecit, duke parë që jo të gjithë personat e akuzuar si përgjegjës për këtë tragjedi janë hetuar dhe gjykuar, kanë ndërmarrë një aksion, për t’i shkuar deri në fund gjykimit të të gjithë personave përgjegjës të tragjedisë së 15 marsit. Beteja e tyre më së shumti është përqendruar në gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dosja e të cilit u pushua nga Gjykata e Lartë. Për këtë, ata i kanë drejtuar një peticion Kuvendit të Republikës. Me anë të këtij peticioni, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Në peticionin e tyre, të afërmit e viktimave të 15 marsit i kanë kujtuar kryeministrit Berisha që të mbajë premtimin për heqjen e imunitetit të kujtdo deputeti që akuzohet. “Nëse premtimi publik i z. Berisha dhe mazhorancës parlamentare që ai përfaqëson, është për t’u marrë i mirëqenë, atëherë do të çelej rruga e procedimit, jo vetëm për veprat penale të plagosjeve të rënda e të lehta, por edhe ato që ndiqen nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërdorim detyre, vrasje, shkatërrim prone, mosrespektim i rregullave të operimit me lëndët plasëse etj. Nëse ky premtim është i sinqertë, atëherë askush nga të pandehurit nuk do mund t’i fshihet drejtësisë dhe kjo e fundit do triumfojë”, - thuhet në peticionin e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Gërdecit. Fatmir Mediu akuzohet si një prej përgjegjësve kryesorë për tragjedinë e Gërdecit. Kjo është pohuar edhe nga të pandehurit kryesorë që po gjykohen për shpërthimin e 15 marsit. Pas pretendimeve të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ka qenë një prej të akuzuarve kryesorë për këtë ngjarje, Mihal Delijorgji, i cili ka bërë përgjegjës direkt për tragjedinë Fatmir Mediun. Gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia, është përpjekur që të shfajësojë klientin e vet, duke e kaluar gjithë përgjegjësinë te Ministria e Mbrojtjes. Avokati i Delijorgjit është shprehur se ka qenë pikërisht Ministria e Mbrojtjes, që drejtohej nga Fatmir Mediu, ajo që ka caktuar Gërdecin si vend për demontimin e municioneve. Kjo e fundit, sipas Haxhisë, ka përcaktuar edhe firmën fituese për tenderin që u zhvillua për demontimin e municioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›