“Taksa për makinat në Tiranë, feudalizëm i Ramës”
ZIRINA LLAMBRO
Qeveria nuk do të lejojë në asnjë mënyrë bashkinë që të vendosë taksa për hyrjen në Tiranë të automjeteve që vijnë nga rrethet e tjera.Këtë deklaratë bëri dje kryeministri i vendit Sali Berisha. “Ideja e taksës për hyrjen në Tiranë, është një ide më feudale se feudalizmi. Këto lloj taksash kanë ekzistuar dhe ky është një lloj regjimi vize, jashtë çdo lloj imagjinate që targat e kamioneve, mikorbuzëve, autobuzëve tatohen me 10 mijë lekë të vjetra për çdo hyrje në kryeqytet. Kjo nuk mund të ndodhë”, u shpreh shefi i ekzekutivit. Sipasj tij aksionerë në kryeqytetin e vendit janë të gjithë qytetarët shqiptarë. “Si qytetari shqiptar që jeton mbrapa Dajtit, ashtu edhe ai që jeton në shpatet e Çajupit, apo të Shkëlzenit, të gjithë kanë pikëzat e djersës së tyre në këtë kryeqytet. Nuk e di, se ku e ka gjetur kryetari i bashkisë këtë ide, por është e pabesueshme. Ne kemi hequr edhe 1 euro-n që kishim vendosur për të hyrë në Shqipëri dhe të vendosësh taksë për të hyrë në kryeqytet është tmerrësisht e pamenduar”, theksoi Berisha. Ai shtoi se në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë lloj barriere. “Nuk dua t’i ndërhyj në kompetenca, kjo çështje duhet të diskutohet me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe në rast se ka nevojë për fonde mbi bazë projektesh, qeveria rrit fondin. Këtë, ne e bëjmë për çdo qeveri vendore”, tha Kryeministri. Duke e vënë theksin tek rritja e granteve për pushtetin vendor, kryeministri premtoi se në mandatin e dytë qeveria do ta rrisë sërish atë për t’i dhënë mundësinë bashkive dhe komunave të investojnë edhe më shumë në zonat e tyre.
Taksa e biznesit
Ashtu siç kishte deklaruar dhe më parë kreu i qeverisë, tha dje se kufizimi i rritjes së taksave të biznesit jo më shumë se 10% do të bëhet realitet. Berisha theksoi se biznesi i vogël punëson forcën kryesore të punës, ndaj dhe përkujdesja ndaj tij duhet të jetë një përparësi si e qeverisë qendrore, ashtu edhe e asaj vendore. Ai nuk la pa thumbuar kryebashkiakun Rama. “Unë u çudita me reagimin e pastudiuar të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse të jem i sinqertë nuk kishte synim që të drejtohej atij që i rri miza nën kësulë, po kishte qëllim që tu drejtohej të gjithë vendoreve”, nënvizoi kryeministri. Sipas tij vendi ynë nuk është vend i industrive gjigande, por edhe këto vende 70 për qind të forcës së punës e ka të punësuar në biznesin e vogël. Prandaj, përkujdesja ndaj këtij biznesi duhet të jetë përkujdesja e parë e qeverisë qendrore dhe asaj vendore, në mënyrë që mbarëvajtja e tij të mos cënohet, pasi ai është gjeneratori i zhvillimit. “Unë nuk jam që ata të mos kenë të drejta për tarifat dhe të kenë një hapësirë, por qeveria i ka lejuar vetes totalisht vetëm 10 për qind mbi tatim fitimin, totalisht vetëm 10 për qind mbi të ardhurat personale, nga 25 për qind që ka qenë më parë dhe nuk po bën asgjë tjetër, por po u kërkon qeverive vendore të përdorin të njëjtën përqindje mbi taksën e biznesit të vogël, që vilet tërësisht për llogari të arkës së qeveritarëve vendorë”, u shpreh Kryeministri. Duke e konsideruar spekulimin me këtë çështje të rëndësishme, theksoi se kjo masë e qeverisë synon që mbi biznesin e vogël të mos vendoset një barrë fiskale më e madhe se 1.5 për qind dhe 10 për qind e saj, një kufi ky i njëjtë edhe për qeverinë qendrore. “Ne, nuk po bëjmë asnjë arbitraritet, por po u vendosim qeverive vendore atë kufi që i kemi vendosur qeverisë qendrore. Është e pandershme të spekulosh me tatim fitimin. Tatim fitimi është interesi më i mirë i biznesit të vogël, sepse është mekanizmi që u jep mundësi atyre të rimbursohen në fund, edhe për taksën që paguajnë mbi xhiron”, vijoi kryeministri.
Shembulli i Ministrisë së Financave
Ministria e Financave sqaron opinionin publik lidhur me aplikimin e taksës së sheshtë për biznesin e vogël dhe implikimet e mundshme mbi të. Për të shmangur çdo keqinterpretim të qëllimtë, situata është konkretizuar me një shembull. Biznesi ‘x’ është i regjistruar si subjekt i taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe realizon një xhiro vjetore prej 7 milionë lekësh. Taksa vendore mbi biznesin e vogël llogaritet duke shumëzuar xhiron vjetore me shkallën tatimore prej 1,5% dhe paguhet në 4 këste të barabarta për çdo tremujor. Subjekti ‘x’ duhet të paguajë pranë komunës a bashkisë një taksë vjetore të barabartë me 7 milionë x 1,5%=105.000 lekë. Me përfundimin e vitit kalendarik, subjekti duhet të dorëzojë pranë degëve të tatimeve një pasqyrë të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe të llogarisë fitimin e tatueshëm e më tej tatimin përfundimtar. Të supozojmë se subjekti ynë ka 6 milionë lekë shpenzime të zbritshme, ku përfshihet kosto e mallrave dhe shërbimeve të blera, pagat, sigurimet shoqërore, qiratë, faturat e energjisë, telefonisë, amortizimin e aktiveve të qëndrueshme dhe çdo shpenzim tjetër të lejuar nga ligji. Diferenca mes të hyrave gjithsej dhe shpenzimeve të zbritshme na jep të ardhurat e tatueshme të cilat në rastin tonë do të ishin 7 mln – 6mln= 1 milionë lekë. E ardhura e tatueshme po te shumëzohet me shkallën tatimore prej 10% na jep tatimin real mbi të ardhurat personale që duhet të paguante subjekti: 1 mln x 10%=100.000 lekë. Por ndërkohë subjekti ka parapaguar 105.000 lekë pranë bashkive dhe komunave të cilat janë të zbritshme nga tatimi real.
Në rastin tonë subjekti ka paguar 105.000-100.000=5 mijë lekë më shumë sesa duhet, ndaj ligji thotë se në këtë rast subjektit i lind e drejta për të kërkuar rimbursim për tatimin e paguar tepër. Ky rimbursim jepet nga fondet e pushtetit qendror dhe të ardhurat e bashkive dhe komunave nuk preken.