E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH nis eksportin e energjisë me Greqinë dhe Kosovën

 

KESH ka rinisur eksportin e energjisë elektrike. Pas përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në hidrocentralin e Fierzës, korporata ka vendosur që të nisë sërish eksportin e energjisë drejt Greqisë dhe Kosovës. Ndërkohë po dje, në mbledhjen e djeshme, qeveria ka miratuar kontratën e shitjes së OSSH-së tek kompania çeke “CEZ”. Sipas të dhënave më të fundit nga KESH, niveli i ujit në HEC e Fierzës është drejt pikës maksimale, dhe kjo si pasojë e situatës së mirë hidrike të këtij viti. Në një situatë të tillë, KESH ka vendosur që kërkesa për energji në vend të plotësohet vetëm nga prodhimi vendas. Por përveç kësaj, KESH do të eksportojë për një muaj energji drejt Kosovës dhe Greqisë. Sipas burimeve nga KESH, eksporti i energjisë do të zgjasë nga data 1-30 prill dhe sasia e energjisë që do të eksportohet është 2.2 milionë kilovat/orë në ditë, kryesisht gjatë orëve të paradites. Eksporti i energjisë në këto dy shtete është bërë në bazë të kontratave të shitjes mes KESH dhe kompanisë shtetërore të Greqisë dhe KEK-ut në Kosovë. KESH do të kryejë gjithashtu gjatë muajit prill edhe shkëmbime të energjisë elektrike me Kosovën, konsumi i së cilës kap shifrën 17.5-18 milionë kilovat/orë në ditë. KESH ka eksportuar gjatë këtij viti energji elektrike në Greqi rreth 40 ditë, duke filluar nga data 22 janar. Sipas të dhënave, eksporti i energjisë ka kapur vlerat e 5 milionë eurove.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›