E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrimi i parave, kontroll edhe për blerjen e shtëpive

 

DURRES/ OERD ULQINI

Qeveria ka vendosur që edhe blerja e shtëpive apo pagesat për legalizimin e tyre nëpërmjet ALUIZNI-t, do të kalojnë nën filtrin e pastrimit të parave. Udhëzimi i miratuar dje ka përfshirë edhe transaksionet e kryera në Hipoteka dhe ALUIZNI në rastet e pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit. Kështu, në rast se një individ apo shoqëri paguan mbi 1.5 milionë lekë në dorë, për të blerë një pronë ose për ta legalizuar atë, Hipoteka dhe ALUIZNI duhet të raportojnë menjëherë pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave si rast i dyshuar. Në këtë mënyrë, edhe blerja e aseteve të patundshme bëhet pjesë e hetimit, duke shmangur në këtë mënyrë investimin e parave në prona. Pjesë e hetimit për burimin e parave është edhe rasti i blerjeve me anë të bankave. Në këto raste shuma e transaksionit është 6 milionë lekë. Në rast se dikush blen një shtëpi apo tokë mbi 6 milionë lekë, ose legalizon një ndërtim apo truall me vlerë të tillë, pavarësisht se paratë qarkullojnë me bankë, Hipoteka dhe ALUIZNI që bëjnë regji-strimin janë të detyruara të paraqesin rastin në Drejtorinë e Pastrimit të Parave. Duhet theksuar se rast i hetimit janë edhe pagesat me valutë në kundërvlerën e 1.5 milionë lekëve para në dorë dhe 6 milionë lekëve në rrugë bankare. Këto dy kushte të vendosura dje nga qeveria, mbyllin ciklin e hetimit të pastrimit të parave. Deri sot, asnjë individ apo biznes, kur blinte një pronë të paluajtshme nuk ishte i detyruar të tregonte burimin e parave. Ka shumë raste kur hetimi i Prokurorisë ka dalë në rezultatin se paratë e krimit investohen në pasuritë e paluajtshme. Në vendet e BE-së, kur blen një shtëpi apo edhe makinë je i detyruar të deklarosh burimin e parave.

1.5 milione
lekë është kufiri i deklarimit të një transaksioni të dyshimtë në rastin e pagesave me para në dorë nga ALUIZNI dhe Hipoteka. Kush paguan mbi këtë shumë do të jetë i detyruar të deklarojë origjinën.

6 milione
lekë është kufiri i deklarimit të një transaksioni të dyshimtë në rastin e pagesave me anë të bankave nga ALUIZNI dhe Hipoteka. Në rast tejkalimi, personat dhe bizneset duhet të deklarojnë origjinën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›