E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksat e tarifat që do lehtësohen

30/09/2011  Panairi i Mobilerisë. Basha :Kryeqyteti do të jetë qendra më atraktive për biznes në rajon.

Bashkia, gati paketën e re fiskale për reduktimin e 60 taksave e tarifave për bizneset

Paketa e re fiskale për kryeqytetin do të jetë gati brenda dy javësh. Kryebashkiaku Lulzim Basha, teksa ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Mobilierisë, ka pohuar se së shpejti Këshillit Bashkiak do t’i paraqitet platforma e re fiskale për kryeqytetin, e cila synon reduktimin e taksave dhe tarifave vendore në ndihmë të shërbimeve që do të marrin kryeqytetasit, si dhe zgjerimit të veprimtarisë së bizneseve. Veprim, ky që jo vetëm do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, por edhe në gjenerimin e vendeve të reja të punës. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 60 taksa dhe tarifa vendore, të cilat për vite me radhë kanë rënduar mbi qytetarët dhe mbi subjektet e biznesit të vogël. Basha ka konfirmuar se tashmë grupet e punës, po shkojnë drejt finalizimit duke përcaktuar detajet përkatëse se cilat do të jenë taksat që do të reduktohen, dhe se cilat subjekte do të përfitojnë të parat. Rishikimi do të kalojë për një sërë taksësh, si ato tabelës, mirëmbajtjes, të ardhurave për bizneset, për licencat etj, të cilat janë bërë pengesë në reduktimin e prodhimeve apo shërbimeve të ofruara nga subjektet e ndryshme të biznesit. Të parat që do të përfitojnë një reduktim të theksuar të këtyre tarifave janë ato subjekt që do të gjenerojnë të paktën 50 vende të reja pune. Kështu është parashikuar që në platformën e re do të ketë lehtësira fiskale për 4-5 vjet për të gjitha bizneset që punësojnë mbi 50 punonjës. Heqja e 60, nga 85 taksa dhe tarifat e bashkisë, ulja e barrës fiskale nga 40 deri në 60 mijë lekë në vit; ulja 3 deri në 5 herë e kohës për marrjen e lejeve ose licencave, janë ndër pikat më të rëndësishme të klasifikuara që në kohën e fushatës nga kryebashkiauku Basha. “Askush të mos mendohet gjatë, para se ta vendosë gishtin tek Tirana, si qyteti më i favorshëm për të bërë biznes. Pikërisht për këtë arsye, pas dy javësh do t’i paraqes Këshillit Bashkiak të Tiranës, platformën time të lehtësimit të barrës fiskale dhe me një vendim të Këshillit Bashkiak, pres të lehtësojmë barrën fiskale të biznesit të Tiranës, nga 60 taksa dhe tarifa vendore”, tha kryetari Basha. Duke e cilësuar Tiranën si "një qendër të mirë rajonale ku mund të bëhet biznes", Kryebashkiaku Basha pohoi se, Tirana do të shndërrohet në qytetin më atraktiv, të preferuar për biznesin. “Politikat që ne do të ndërmarrim në këtë drejtim synojnë që askush të mos mendohet gjatë për ta vënë gishtin tek Tirana, si qyteti më i favorshëm për të bërë biznes”, theksoi Basha. Në çeljen e këtij panairi e pranishme ishte edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, Industrinë e drurit në Kosovë dhe Shqipëri e presin ditë më të mira. Dy vendet tona nuk duhet të presin anëtarësimin në BE, për të pasur një treg dhe politika unike, me qëllim që kufiri mes dy shteteve të jetë i padallueshëm”, tha Kusari Lila. Ministrja e cilësoi heqjen e çmimeve referente për sektorin e bujqësinë mes Shqipërisë dhe Kosovës, “si një model për të gjitha industritë, që Kosova dhe Shqipëria të kenë sa më pak dallime në politikat fiskale dhe politika të tjera”, ka pohuar Kusari-Lila.

Reduktimet e para

Pas dyjavësh do t’i paraqes Këshillit Bashkiak të Tiranës, platformën time të lehtësimit të barrës fiskale dhe me një vendim të Këshillit Bashkiak, pres të lehtësojmë barrën fiskale të biznesit të Tiranës, nga 60 taksa dhe tarifa vendore, që deri më sot kanë rënduar veprimtarinë e tyre bizneseve, qofshin këta të regjistruar dhe veprimtarinë në Tiranë, apo miqtë angazhuar në marrëdhëniet tregtare me qytetin e Tiranës. Po kështu do të stimulojmë investimet dhe veprimtaritë tregtare, duke hequr plotësisht taksat për një periudhë 4-vjeçare, për cilin çdo biznes premton angazhim në përhapjen e 50 apo më shumë vendeve të reja të punës.

Platforma e re fiskale parashikon thjeshtim dhe ulje të taksave. Paraprakisht është komunikuar se taksa e pastrimit do të ulet 3-fish, ndërsa taksa e gjelbërimit dhe e tabelës do të hiqet. Po ashtu do të ketë dhe një sërë lehtësish të tjera fiskale veçanërisht për subjektet prodhuese në mënyrë që tarifat e shërbimeve të mos pësojnë rritje duke rënduar mbi xhepat e qytetarëve. Në mbledhjen e afërt të këshillit do të zbardhet edhe lista e plotë e taksave dhe tarifave që do të eliminohen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›