E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca refuzon paketën “Rama”

30/09/2011  Kuvendi i Shqipërisë nuk voton ligjet që kërkojnë mbështetjen e 84 deputetëve

Patozi: Parlamenti s’merret me letra të hapura të kryetarit të PS-së

Herion Mesi

Ligjvënësit shqiptarë humbën një tjetër mundësi për t’u treguar ndërkombëtarëve që janë të aftë politikisht të bëjnë pakte dhe të kontribuojnë për integrimin e Shqipërisë në BE. Të parashikuara në rend të ditës, ligji për Gjykatën Administrative dhe katër nismat për ndryshimin e Kodit Penal nuk mundën të marrin 84 vota. Partia Socialiste, përmes kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, institucionalizoi në Kuvend paketën me 10 pika, për të cilat kjo parti kërkon konsensusin nga mazhoranca në këmbim të votës për ligjet që duan shumicë të cilësuar. “Së pari, të votojmë konsensualisht rregullat e bashkëjetesës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Integrimi i parlamentit shqiptar si institucion dhe procedurë në kornizën e integrimit evropian të Shqipërisë është A-ja, pa të cilën duhet harruar përgjigjja pozitive e BE-së, edhe sikur të arnohen gjitha Kodet e depozituara nga qeveria në përpjekje për t’i hedhur hi syve Brukselit. Opozita është shprehur publikisht për detyrimet e saj”, u shpreh Ruçi. Por mazhoranca e refuzoi në mënyrë të hapur paketën “Rama”, duke e cilësuar atë një letër të hapur me të cilën një Kuvend nuk mund të merret. Kreu i kuvendorëve të PD-së, Astrit Patozi, veçoi vetëm kërkesat e socialistëve për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, nismë e cila, siç tha ai, do të futet në procedurat normale të shqyrtimit nga parlamenti. “Kjo paketë apo i ashtuquajturi pakti i Edi Ramës është një pseudokauzë e kutisë që u përdor pa mëshirë dy vjet për të mos ardhur në parlament. Pastaj për të ardhur dhe për të mos votuar. Dhe jo rastësisht javën e shkuar, grupi parlamentar i PS u kthye te marrëdhënia me parlamentin. Jo vetëm që nuk votoi ligjet me 3/5, por edhe u tërhoq nga votimi i ligjeve të thjeshta. Parlamenti nuk shqyrton, nuk vihet në lëvizje përmes letrave të hapura, por prodhon ligje. Ai nuk mund të ndalë frymën dhe merret me këto editorialet e Edi Ramës. I vetmi propozim që mund të merret në konsideratë nga ky parlament është paketa për ndryshimin e Rregullores, të cilën Kuvendi mund ta fusë në rend të ditës për shqyrtim. U themi ‘jo’ pazareve të pista për integrimin”, tha në fjalën e tij Patozi. Kuvendi nuk i hodhi për votim nismat parlamentare që kërkonin edhe votën e opozitës, pasi në rast rrëzimi të tyre, Rregullorja e Kuvendit parashikon 6 muaj afat deri në rifutjen sërish për shqyrtim në parlament.

Mosvotimi i projekteve që kërkojnë 84 vota

Projektligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative” dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar” (4 nisma legjislative), ishin projektet që ishin parashikuar në rendin e ditës të seancës së djeshme parlamentare dhe që nuk u hodhën në votim nga Kuvendi. Ato kanë nisma që sipas përcaktimit kushtetues kërkojnë domosdoshmërish konsensusin e opozitës, pra 84 vota. Opozita nga ana e saj paralajmëroi votën kundër për këto dy projekte më herët përmes kryetarit të grupit të saj parlamentar, Gramoz Ruçi. Rregullorja e Kuvendit në nenin 73 të saj parashikon procedurat për miratimin e një projektligji në seancë plenare, duke nisur që nga diskutimi i tij në parim deri tek shqyrtimi nen për nen i tij. Pika e katërt e këtij neni përcakton qartë: “Projektligji që nuk miratohet në parim në seancë plenare nuk mund të paraqitet përsëri pa kaluar 6 muaj nga data e mosmiratimit”. Për këtë arsye edhe dy draftet nuk u futën nga Kryetarja e Kuvendit në procedurë votimi. Të njëjtën gjë Kryeparlamentarja ka bërë edhe me të gjitha nismat e tjera që kërkojnë votën e socialistëve.

Vendimi

Mazhoranca “ok” zhvendosjes së varrezave të makinave

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e mazhorancës aktin normativ të qeverisë për zhvendosjen e varrezave të makinave 1 km larg nga akset kryesore të rrugëve. Në të kundërt, ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për të bërë konfiskimin e mallit. Deputetët e opozitës e cilësuan nismën antikushtetuese dhe kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, nisma e ekzekutivit kishte si qëllim monopolizimin e tregtimit të pjesëve të makinave të shkatërruara për skrap, dhe për këtë arsye votuan kundër. “Kjo qeveri do t’ua marrë atyre fakirëve për t’ua shitur për skrap grosistëve. Madje, as nuk e fshehin dot, por e përmendin shitjen e tyre edhe në akt”, tha deputeti i PS-së, Blendi Klosi. Ndërsa mazhoranca e mbrojti draftin me përpjekjen për të mbrojtur ambientin nga ndotja dhe shmangia e aksidenteve në rrugë për shkak të këtyre varrezave makinash. Të rreth 300 pikat duhet të zhvendosen brenda 7 tetorit të këtij viti, në të kundërt do t’u konfiskohet malli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›