E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Taksat mbi pagat, Rama: 93% e të punësuarve në Shqipëri paguajnë më pak se 10%, në BE shkon deri në 50%

TIRANË, 20 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku biznesi i vogël nuk ka asnjë taksë.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rubrikën “Sy m’sy’, Rama iu përgjigj një komentuesi, sipas së cilit Shqipëria nuk mund të pretendojë të anëtarësohet në Bashkimin Europian me taksat e larta dhe çmimet e larta të ushqimeve.

“Për sa i përket si do futemi ne në BE, shko pyet BE-në pse thonë ata se ne jemi pranë futjes në BE, pse thonë ata që ne kemi bërë shumë përparim”, shtoi Rama.

Duke iu përgjigjur komentuesit i cili shprehet se taksat janë më shtrenjtë se në BE, Kryeministri theksoi se në fakt taksat mbi pagat për 93% të të punësuarve në Shqipëri janë më pak se 10%, krahasuar me deri në 50% që janë në BE.

“Për sa i përket taksave më shtrenjtë se në BE, ti nuk e paske fare idenë se çfarë taksash ka BE. Në Shqipëri 93% e të punësuarve paguajnë më pak se 10% taksë nga paga e tyre. Në BE mund të shkojë edhe 50% që t’i merr shteti. Biznesi i vogël në Shqipëri nuk ka taksë fare, nuk ka TVSH, zero. Nuk ka në rajon biznes të vogël pa taksa”, tha Rama.

Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimin se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më shtrenjtë sesa në BE, ndërsa shtoi se ata që vijnë këtu thonë të kundërtën.

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›