E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksistët protestojnë kundër konkurencës së pandershme

TIRANE- Konkurenca e paligjshme vazhdon të nxjerrë në protesta drejtuesit e automjeteve taksi të kryeqytetit. Paraditen e kësaj të premte dhjetra taksistë kanë protestuar në sheshin Skënderbej kundër konkurencës së paligjshme dhe strukturave përgjegjëse të cilat nuk po reagojnë.
Sipas drejtuesit të shoqatës së taksive “Tirana“, Gëzim Bardhi, Ministria e Transporteve dhe policia nuk po marrin masa dhe po bëjnë veshin e shurdhër ndaj kërkesave të tyre. Taksistët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse vazhdon të mos ketë reagim nga strukturat përkatëse.

“Motivi i parë dhe më i rëndësishëm për ne ka të bëjë me Ministrinë e Transporteve e cila nëpërmjet një udhëzimi të marsit të vitit 2008 ka bërë liberalizimin e licensave dhe pas kësaj I bie që licensat tona nuk kanë më asnjë lloj vlere. Ne e kemi kundërshtuar këtë udhëzim me anë të protestave por me sa duket protestat tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Shpresojmë të merren masa, sepse ndryshe protesta tjetër nuk do jetë paqësore por do jetë më e rëndësishme sepse do thërrasim edhe taksistë të tjerë për të realizuar kërkesat tona.” shprehet Gëzim Bardhi .

Taksistët e licensuar prej kohësh kërkojnë nëpërmjet protestave shmangien e konkurencës së paligjshme dhe largimin nga qarkullimi të automjeteve taksi të palicensuara. Para disa muajsh policia e qarkut Tiranë nisi një aksion kundër taksive të palicensuara por pa asnjë arsye aksioni u pezullua.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›