E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi i rrugëve dytësore, donatorët e huaj financojnë projektin

TIRANE- Donatorët e huaj financojnë me 180 milionë dollarë projektin e ndërtimit të rrugëve rurale në Shqipëri. Ky fond i shtohet atij me vlerë 107 milionë dollarë të dhënë gjatë vitit 2009 nëpërmjet të cilit po mundësohet edhe ndërtimi i 304 km rrugë dytësore.
Këshilli drejtues i fondit shqiptar të zhvillimit ka diskutuar lidhur me ecurinë e këtij projekti i cili parashikon që deri në vitin 2013 të ndërtohen 1500 km rrugë dytësore.

“Ky është financimi i dytë pas atij të parit i mbështetur dhe ai nga institucione ndërkombëtare zhvillimore në vlerën 107 milionë dollarë me të cilin janë realizuar ose janë duke u realizuar 304 km rrugë dytësore lokale në të gjitha qarqet e vendit. Në këtë mënyrë ne po realizojmë programin tonë që parasheh ndërtimin e 1500 km rrugë dytësore.” theksoi ministri Pollo.

Bashkëfinancuese në këtë projekt janë Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, Fondi i Instrumentave të Paraaderimit etj. Në total vlera e këtij projekti arrin në 400 milionë dollarë.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›