Taktika e re e Edi Ramës: “Të shkuara, të harruara!”
Janë të rrallë, madje edhe në Europë e në të gjithë Rruzullin, njerëzit që nuk i duan lulet. Vetëm në Shqipërinë tonë bëjnë vakí shëmtira të tilla. Lulet i ka bërë Perëndia, për ngjarje të lumtura, dasma. Por edhe për vdekje. Dhe hyu u ka dhënë instinktin edhe të marrëve që t’i duan lulet. Me përjashtim të shqiptarëve të çmendur. Për t’i bërë qejfin njeriut meskin, që nuk e duron dot suksesin e humbësit në seri, siç është vetë, ndaj atij që ia ka marrë bashkinë me votat e vullnetit të zgjedhësve, jo të kauçukut. Ndëshkim hyjnor? Në autobus, një plakë klithi, kur pa lulet e shkelura përpara ministrive: -Iu thafshin lulet në vorr atij pizevengu! Askush nuk iu kundërvu plakës. Në të vërtetë, siç duket, ne i meritojmë disa ndëshkime nga Perëndia që na vëzhgon nga qiejt. Ç’patëm, në vitin 1967, që rrafshuam kishat, xhamitë, teqetë? Këtë mëkat, që kaloi edhe përmasat e sakrilegjeve të Stalinit, e bëri – në të vërtetë, - jo rinia, por i patenzoni Enver Hoxha. Sepse rinia, u padit padrejtësisht nga ai, i paudhi, që hidhte gurin e fshihte dorën.
Për të treguar papajtueshmërinë me tiranin, edhe rinia, si i gjithë populli ynë , u përfshi në atë sakrilegj të despotit tonë por, ama, duke qenë tërësisht, në shkallë kombëtare, e pranishme në fetat fetare të të gjitha besimeve tona, në ditët e shenjta. Natyrisht bajrami dhe pashkët festoheshin, paçka se në fshehtësi. Sesa e donte rinia Enverin, këtë ajo e shprehu në shfronëzimin e statujave të tij, në fillim të ’91-shit. Madjé edhe klasa punëtore e tregoi pakënaqësinë e saj ndaj diktaturës me atë vërshimin e madh përtej detit, duke shpërfillur diktatorin trashëgues, Ramiz Alinë, në ruajtjen, tanimë pa sukses. të kufijve tokësorë e detarë...
Ndër të tre diktatorët Hitler, Stalin dhe Enver, dy të parët e patën një atentat. Stalini, idhulli i Enver Hoxhës, e pësoi nga një atentat oborri, për ta ribërë B.Politike me inkopetentë dhe me injorantë, mjafton që të flinte i qetë. Prandaj ajo katërshja e fundit që i kishte mbetur, u vu nën shënjestër. Këtë herë plani i Berias dhe i tre të tjerëve, e hoqën qafe vrasësin e milionave. Atë që s’e bëri dot Stalini, arriti ta kuptojë dhe e vuri në zbatim Enveri. Kësisoj e mbushi Byronë me karrocierë e me shoferë, me kooperativistë e me jesmenë. E gjithë elita partizane, ushtarake e civile, duhej zëvendësuar me injorantë tërësisht “të sigurt”. Ajo u asgjësua pa faj, për shkak të paranojës së Enverit, që shihte nën krevat para se ta zinte gjumi rehat. Kështu e pati të lehtë që, për hir të terrorit ndaj kundërshtarëve politikë të fajshëm a të pafajshëm, që ta ruante kultin e Stalinit, pas vitit 1956, kur u bë destalinizimi.
Kjo solli atë mendësi enveriste, që po na ndëshkon edhe sot e kësaj dite.
Enveri numër 2, që bëri sikur ishte antienverist i tërbuar në fillim të proceseve demokratike, ky i çakërdisur nga mendtë e kokës që ç’thoshte sot, thoshte të kundërtën pas një jave, i dënuar me vdekje nga komunistët e Smokthinës, me dorë të hekurt e vuri PS-në në duart e tij. Ky ishte Edvini. Diktator në të gjithë qenien e tij, por nuk kishte në dorë të vriste të gjithë kundërshtarët brenda radhëve, siç kishte bërë Enveri, mentori i tij. Bëri përçarjen e madhe brenda radhëve dhe tani po bën ato piruetat e tij të pështira, nën parullën “të shkuara, të harruara”!
Tani kërkon të bëjë një zhurmnajë të madhe që presidenti i republikës të mos zgjidhet sipas normave të Kushtetutës, por “me konsensus” , domethënë që të kemi një president të katërt si Bamir Topi, që po bën propagandë zgjedhore të jashtëligjshme ndaj një partie ku ende s’është bërë anëtar, pavarësisht se, endé në titull të presidentit, i ndalohet propaganda partiake. Apo si ish-presidenti Moisiu, për të cilin na ka sqaruar mirë sekretarja e tij Iris Halili, sesi i shtroi mirë interesat e tij me të majtën. Ose si Meidani që dihet se vinte nga radhët e së majtës.
Tani Edi Rama, me azganllëkun e tij të zakonshëm, në emër të “konsensusit” të tij, pa pyetur për konsensusin e kundërshtarëve të tij politikë, (në këtë rast s’kemi konsensus!) kërkon të turbullojë ujërat dhe të shpresojë në aleancat që ai vetë i ka pas bërë të pamundura. Dhe, kur ia përmendin pabesitë e tij të hershme që sollën në këtë papajtueshmërí, ai e ka në gojë atë “të shkuara të harruara!” (Dhe, si hipokrit, e përdor si kot më kot, atë fjalën “koherencë”, ndonëse është personifikimi i inkoherencës). Kjo farë e majtë, me ruajtje kontingjentesh mëkatare të kohës së diktaturës, është – veç së tjerash – edhe antiamerikane, si edhe kundëreuropianiste. Për këtë mund të shihen disa prononcime ksenofobe të numrit dy në partinë e tij, Gramoz Ruçit. Edi s’kishte marrë asnjë masë. Por... të shkuara të harruara! Edi e përjashtoi majtistin properëndimor Kastriot Islami, se ai mund të sillte harmoninë bashkëvepruese ndërmjet të dy forcave politike të mëdha. Kishte frikë se mos i zinte vendin! Edhe në këtë pikë i ngjante atij që ia lanë piedestalin bosh! Në një intervistë të pardjeshme me Blendi Fevziun, e nxori sërish atë shabllonin e “vjedhjes së votave”. Por, me nxitjen e tij të ethshme që çështja të çohej në komisionin e Venecies, mori mandatën: “Votat në kutinë e gabuar janë të vlefshme”! Dhe kjo i jep të drejtë z. Lulzim Basha që jo vetëm është fitues me +10, por afërsisht me +100! Madje është përcaktuar edhe në kodin zgjedhor të ri njohja e votës në kutinë e gabuar. Siç u vlerësua edhe vota e Bamirit, në kutinë e gabuar! Megjithatë Rama do të gjejë rebuse të tjera që të jetë doemos “votëvjedhur”, nëse është humbës në zgjedhje të lira e të drejta. Ai kërkon “fitore” si ajo me abstenimet e detyruara, kur votuesit përbënin 1/3-n e personave të regjistruar në listat zgjedhore! (Shih librin e cituar édhe më parë, “Ditari i një katundari”).
Edi Rama është edhe provokator. 21 janari i vitit 2011 është një pjellë e Ramës, me synimin që të diskreditonte rivalin e tij për mandatin e Tiranës, z. L. Basha. Por nuk ia arriti qëllimit, me atë +10-n e tij qesharake, që mbështetej në vlerësimin e kauçukut mbi vullnetin e zgjedhësit. Nuk e kuptonte ai absurditetin e këtij mendimi? Si ankues i sëmurë, kërkoi edhe mendimin e Venecies. Dhe e mori!
Së pari ai e quan 21 janarin “paqësor”! Së dyti, e quante “Spontan”, sikur ai s’kishte ç’të bënte! Por përse në diagramin e mitingjeve, ky 21 janar ndryshon nga të gjitha demonstratat e tjera dhe mbërrin në një pikë maksimumi, ndërsa më tej shkon në pikën zero? Për të qenë “paqësor”, udhëzimet do të duhej të ishin që të mos thyhej asnjë xham, e jo më të digjeshin veturat vetëm se ishin parkuar aty, pranë trotuarit, e të arrihej gjer në shpërthimin e portës së hekurt të kangjellave rrethuese të kryeministrisë! Sa kohë vazhdoi mësymja e tërbuar ndaj mbrojtjes së selisë së sulmuar dhe sa gardistë dhe trupa të mbrojtjes përfunduan spitaleve, para se gjendja të bëhej emergjente? Përse nuk u dha një mesazh në celular, “Mjaft. Përfundon me kaq” , nga sehirxhiu përballë, Rama, që kërkonte doemos viktimat? Se ky ishte synimi i kësaj demonstrate! A e kishte në dorë, në kohën e duhur, që të shmangeshin viktimat? Përse i kërkonte, në mënyrë të ethshme, Edvini viktimat? Askush nga lakenjtë dhe sejmenët e Ramës, nuk i shtrojnë këto pyetje dhe të tjera si këto.
Këtë stil të hedhjes së gurit e të fshehjes së dorës, Edi Rama e kishte përvetësuar, gjithashtu, nga Enver Hoxha. Qysh në fillim ai dënoi me vdekje një të pafajshëm, Ludovik Nikajn. Ai ishte një komunist i fillimit të lëvizjes, që nuk mund të akuzohej për asnjë faj, përveç mundësisë se mund të ishte në dijeni pak më shumë se të tjerët, sesi u vra Qemal Stafa. I arrestuar nga fashistët italianë, kur u lirua kërkoi të kthehej nga Italia në Shqipëri. Në Bari, i deleguari pranë Shtabit koordinativ të aleatëve, nënkolonel Kadri Hoxha, e porositi Ludovikun të mos e bënte atë hap. I bindur në pafajësinë e tij, Ludoviku nuk e dëgjoi këshillën miqësore. Erdhi në Shqipëri. U arrestua, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua, me urdhër të E. Hoxhës. Viktimë e mirëbesimit ndaj një Komandanti të Përgjithshëm, që trembej nga hija e tij! (Mund të lexohet dosieri i Kastriot Dervishit, në “55”-n e një jave më parë).
Tani, me rastin e zgjedhjes së presidentit, ky obstruksionist i dalë boje, po bëhet katërsh me atë shabllonin e tij të denatyruar “konsensus”. Le ta shohim edhe né këtë fjalë që Rama kërkon ta futë në meandrat e misterit. Konsensusi ndërmjet dy palëve është kur ti je dakord me mua dhe unë jam dakord me ty. Por këtu teorema nuk e përmban për të vërtetë pohimin e anasjellë. Dy trekëndësha të barabartë janë të ngjashëm. Por dy trekëndësha të ngjashëm mund të mos jenë të barabartë! Rama kërkon konsensus, vetëm nga pala tjetër. Domethënë me kushtin që ai tjetri të jetë i njëmendjeje (Kushtëzimet i ka në gjak, që të jetë gjithmonë protagonist!). Por nëse pala tjetër, për reciprocitet, kërkon të njëjtën gjë, domethënë që edhe ajo të jetë domosdoshmërisht pranuese, a arrihet dot bashkëpëlqimi? Edvini të shpon timpanin e veshit me atë fjalën e shëmtuar, krejtësisht jashtë standardit : Dakordësí!). Ku shkojmë, kështu? Në kalendat greke? Ka shpresë, dredharaku, të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Në të vërtetë ai kërkon në çdo 3-4 muaj zgjedhje të parakohshme, duke mos pranuar në asnjë rast përfundimet kundër tij. Prandaj mashtron kur thotë se njëra nga kutitë ishte e tillë sa të futej krahu brenda! Është e vërtetë se njëra prej tyre ishte e krisur, por nuk futej brenda as maja e gishtit, jomë... krahu! Përndryshe do të kishim një të proceduar penalisht, me emër e me mbiemër...
Veçse “kushtëzimeve absurde” të Ramës mund t’u pritej hovi, në ndjekjen e përpiktë të Kushtetutës, të ndryshuar me propozimin e tij. Por tani Haxhi pishmani, do të kërkonte sërish ndryshime kushtetuese, ndonëse e kupton edhe vetë se kjo është e pamundur.
Përballë kësaj gjendjeje, nuk mbetet veçse ndjekja e asaj që është shkruar, e zezë në të bardhë. Të bëhen votimet në parlament. Dhe, nëse në të tri raundet e para nuk arrihet në përfundim, në raundin e katërt le të dalë presidenti me shumicë të thjeshtë. Vërtet ai që kënaqet me lulet e prishura, siç justifikonte edhe pirgjet e shëmtuara me dhé përpara ministrive dhe përligjte edhe Sahatin qorr e bllokimin e rrugëve në qendër të kryeqytetit, do të vazhdojë qarjet e tij që s’iu ndanë që nga puberteti, por nuk do të realizohet ajo thënia që ai mund ta ketë dëgjuar: - Hapi rrugën budallit. Se këtë rrugë nuk ia hapi as Venecia!