E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk mund të luftojë për titull

Promotori gjerman Ebby Thust mendon se Luan Krasniqi nuk mund të luftojë menjëherë për titullin e kampionit të botës, edhe nëse e mposht boksierin amerikan Jonathan Banks. Nga Express më 17 dhjetor 2010 në ora 12:08

Luan Krasniqi ka vendosur t’i rikthehet ringut, pas një pauze të gjatë. Boksieri kosovar është i motivuar dhe optimist se ende ka shanse për të luftuar për titullin e kampionit të botës.

Por, promotori gjerman, Ebby Thust, i cili pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi boksit, mendon se kosovari me pasaportë gjermane nuk mund të luftojë për titull të kampionit të botës në peshat e rënda, edhe nëse fiton ndaj amerikanit Jonathan Banks.

“E lexova një shkrim: Luan Krasniqi bokson kundër Jonathan Banks para luftës për titull të kampionit. T’jua them të drejtën, më është dashur ta lexoj dy herë këtë shkrim. Në të njëjtën kohë jam qe më shumë se 45 vjet i angazhuar profesionalisht në boksin ndërkombëtar dhe besoj se jam ekspert sa duhet dhe i di statutet e këtij sporti, për të dyshuar në një gjë të tillë, duke e parë renditjen aktuale botërore dhe rezultatet”, shkruan Thust në kolumnen e tij të botuar në ueb faqen boxen1.com.

Promotori 63 vjeç thotë se e ka përcjellë vazhdimisht karrierën e 39 vjeçarit nga Juniku. Ai përmend humbjen në luftën e fundit të boksierit kosovar nga Dimitrenko, dy vjet më parë.

“Ndër të tjera, ma thotë mendja se një boksier që është jo aktiv për një vit e më shumë, nuk figuron më në klasifikimin e organizatave botërore të boksit. Kjo konfirmon se aty nuk gjendet as Luan Krasniqi, përfshirë këtu versionet kryesore: WBC, WBA, WBO e IBF. Tash shtrohet pyetja: Kush do ta aranzhojë kampanjën e kualifikimit për titull të botës? Krasniqi aktualisht nuk figuron as në top 50 të botës”, nënvizon promotori gjerman.

Mirëpo, ai nuk i ka shuar të gjitha shpresat që Krasniqi të luftojë për titull të botës, por jo menjëherë pas luftës me Banks.
“Fakti se Luani ka kualitet për të luftuar për titull të kampionit e ka dëshmuar ndaj Brewster, kur mezi ishte mposhtur nga amerikani”, shtoi ai, duke përmendur disa fakte të frikshme për dominimin e vëllezërve Klitschko në boksin profesionist viteve të fundit.

“Po kundër vëllezërve Klitschko? Do të boksojë për para apo për famë? Deri atëherë do të jetë 40 vjeç. Si duket Luani nuk e ka parë ende Shannon Briggs, pas luftës me vëllezërit Klitschko, kur kishte rënë përtokë. Luani thoshte se e ka mposhtur Wladimitin kur ishin të rinj. Por, nuk mund të kthehemi tash te mosha 15 vjeçare, sepse Wladimiri nuk është më i dobët. Si mund të mos kesh frikë në një moshë afro 40 vjeçare të boksosh me një boksier që nuk ka rënë në tokë që dy vjet?”, pyet Ebby Thust.

Edhe mundësisë që kundërshtari i Krasniqit, Jonathan Banks të luftojë për titull të kampionit të botës nëse fiton ndaj boksierit kosovar, promotori Thust i është përgjigjur me një JO të madhe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›