Na duhet një skuadër e re

Humbja e turpshme nga Luksemburgu, në kuadër të eliminatoreve për Euro 2012, ka qitur në pah faktin se Kombëtarja shqiptare menjëherë duhet të fillojë rinovimin e skuadrës duke ofruar lojtarë të rinj.
Kështu mendon trajneri kroat i ekipit kuqezi, Josip Kuze, i cili e pranon se të përzgjedhurit e tij të martën zhvilluan një ndeshje të dobët përballë një kundërshtari shumë modest.
“Një ditë e pafat për ne. Bëmë disa gabime dhe nuk luajtëm mirë. Në pjesën e dytë kishim disa momente të mira, por kartoni i kuq prishi gjithçka. Për mendimin tim Shqipëria duhet të mësojë nga kjo ndeshje”, është shprehur Kuze pas rikthimit në Shqipëri.
“Në mënyrë të menjëhershme duhet të fillojmë nga fillimi. Duhet të grumbullojmë lojtarë të rinj dhe të formojmë një kombëtare të re. Na duhet të provojmë gjëra të reja pas eksperiencës në këtë eliminatore”, theksoi 58 vjeçari.
Pas humbjes nga Luksemburgu, shumë njohës të futbollit në Shqipëri kanë kërkuar dorëheqjen e trajnerit Jusip Kuze. Por, ky i fundit as që e diskuton largimin para kohe nga ekipi shqiptar.
“Deri tani nuk kam menduar për pozicionin tim, duhet të mbyllim edhe dy ndeshjet e ardhshme. Por, do të shohim”, ka deklaruar ish trajneri i Dinamo Zagrebit, i cili ekipin shqiptar e drejton që nga vera e vitit 2009.
Me humbjen nga Luksemburgu, përfaqësuesja e Shqipërisë i ka dhënë fund ëndrrës për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian 2012. Përveç kësaj, ekipi kuqezi lë shumë për të dëshiruar.
Megjithatë, ky ishte një rezultat i papranueshëm, një moment i vështirë për kuqezinjtë, një paraqitje shumë larg asaj që pritej dhe e pajustifikueshme.
Jemi të parafundit sërish në grup me 8 pikë, 3 humbje radhazi që prishën ëndrrën në të cilën besuan të gjithë në fillim të edicionit. Gjithçka duket drejt një fundi të hidhur sa i përket rezultateve, lojtarëve që po largohen pa zëvendësues dhe një trajneri që mendon se duhet filluar nga e para, por sërish me të në timon.
Ujkani: Humbje e rëndë
Portieri Samir Ujkani ka qenë një prej më realistëve pas humbjes së pësuar në Luksemburg. Ndërkohë që të gjithë akuzonin gjyqtarin, vushtrriasi ka deklaruar se Shqipëria duhet t’i shohë gabimet te vetja.
“Duhet të shikohemi në pasqyrë dhe të marrim përgjegjësitë tona. Humbja nga Luksemburgu ishte mjaft e rëndë dhe nuk duhet të fajësojmë askënd tjetër për këtë zhgënjim”, ka deklaruar Ujkani i cili nuk ka qenë në formën më të mirë në dy ndeshjet e fundit.
Skela sulmon gjyqtarin finlandez
Pas përfundimit të ndeshjes Luksemburg – Shqipëri (2:1), Ervin Skela i ka futur duart në fyt gjyqtarit finlandez Petteri Kari, vendimet e të cilit kanë qenë mjaft të diskutueshme dhe të kontestuara nga lojtarët shqiptarë
Sipas burimeve të gazetës së përditshme shqiptare ‘Shqip’, në përfundim të takimit, mesfushori vlonjat ka pritur gjyqtarin në korridorin e dhomave të zhveshjes dhe pasi e ka akuzuar për gjykim të dëmshëm ndaj Shqipërisë, ai e ka sulmuar atë.
Burimet e ‘Shqip’ kanë treguar se mesfushori 35-vjeçar i ka thënë shokëve të skuadrës që askush të mos guxonte të bënte ndonjë veprim kundër gjyqtarit, pasi mund të suspendohen gjatë nga UEFA dhe ka marrë përsipër që të jetë ai vetë që do të nxirrte inatin. Kjo edhe për faktin se Skela do t’i japë lamtumirën futbollit, duke qenë se vazhdon të jetë pa skuadër”.