Pas Biberajt, policia e kryeqytetit prangos Ernest Jahelezin dhe Gëzim Muldakën
Policia ka mundur të vendosë në pranga dy bashkëpunëtorë të tjerë të personit të kërkuar për vrasje, i cili u arrestua dy ditë më parë. Pas kapjes dhe arrestimit të të shumëkërkuarit Ylli Selim Biberaj, 27 vjeç, i akuzuar për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtjes pa leje”, në kuadër të të njëjtit operacioni të koduar “Komani”, specialistët e Seksionit Kundër Jetës dhe Shëndetit në Policinë e Tiranës realizuan arrestimin edhe të dy shtetasve të tjerë, të dyshuar për “Përkrahje të autorit të krimit”.
Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit u mor masa e arrestit në flagrancë për shtetasin Ernest Jahelezi, 22 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kamzë dhe Gëzim Muldaka, 22 vjeç, lindur dhe banues në Laç, i proceduar më parë për vjedhje. Këta dy shtetas janë kapur së bashku me shtetasin Ylli Byberaj dhe arrestimi i tyre u bë pasi dyshohen që në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprën penale “të përkrahjes së autorit të krimit”.
Dy ditë më parë, pas 20 operacioneve, prej pesë muajsh në kërkim, policia ka mundur të vendosë në pranga një nga autorët e vrasjes së Doganës dhe plagosjes së dy të tjerëve. Ylli Biberaj është arrestuar mëngjesin e së enjtes gjatë një operacioni të forcave RENEA, në bashkëpunim me skuadrën operacionale të Policisë së Tiranës dhe shërbimet e Komisariatit nr. 5. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Bashkim Qefalinë, i cili e ka pranuar krimin, kanë vrarë me armë zjarri Artan Allushin dhe kanë plagosur Kujtim e Nertil Allushin.