568 vjet nga Besëlidhja e Lezhës – Skënderbeu dhe fisnikët shqiptarë vendosën krijimin e shtetit

Skandal i Presidentit Bamir Topi, refuzon ceremonitë dhe aktivitetet festive
Berisha: Kuvendi i Lezhës, shpirti i bashkimit kombëtar
Lezha përkujtoi dje 568-vjetorin e Kuvendit të Lezhës me një serë aktivitetesh, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Ceremonia festive ka nisur në Obelisk, ku në shenjë simbolike është ngritur edhe flamuri kombëtar si dhe është ndezur edhe Flakadan-i i Jubileut. I pranishëm në ceremonitë dhe aktivitetet festive të 568-vjetorin e Kuvendit të Lezhës, krahas shumë personaliteteve të larta shtetërore dhe të trevave shqipfolëse si nga Kosova dhe Maqedonia, kryeministri Sali Berisha u shpreh se “kjo është një nga ditët më të veçanta pasi Skënderbeu dhe fisnikët shqiptarë vendosën në këtë qytet të krijonin shtetin e tyre”. “Ne sot nderojmë Kuvendin e Lezhës të cilët shqiptarët do ta titullonin më pas si “Besëlidhja e Lezhës”, akt në të cilin burrat e këtij vendi vendosën të përballen me superfuqinë e kohës dhe të qëndrojnë të pamposhtur duke u bërë burim frymëzimi për popujt e tjerë të Europës dhe të botës. Sot ne nderojmë shpirtin e bashkimit kombëtar, 568 vjet më parë në këtë qytet lindi parimi i përjetësisë së shqiptarëve, i bashkimit të tyre “Një komb një qëndrim”- u shpreh kryeministri Berisha. Duke u bashkuar në Lidhjen e Lezhës, Berisha tha se shqiptarët shkruajtën kapitullin më të ndritur të historisë së tyre. “Shqiptarët në këtë parim u bashkuan në Lidhjen e Prizrenit dhe ia dolën me qëndresën e tyre, me vuajtje, mundime e sakrifica të kenë shtetin e tyre. Shqiptarët u bashkuan në fund të 10 vjeçarit të shekullit që kaloi në parimin “Një komb, një qëndrim“ për çlirimin e Kosovës dhe Kosova sot është e lirë. Është ky parim i shenjtë që ne sot të bashkohemi nga të gjitha trevat shqiptare, si njerëz të lirë, si qytetarë të lirë, në vendet ku jetojmë. Por ne ndërtojmë sot, veprën ndër më madhore, të prijësit tonë legjendar, të prijësit tonë të të gjithë kohërave, Skënderbeut. Shqiptarët kanë tek Skënderbeu burimin e përjetshëm të frymëzimit të tyre, të trimërisë së tyre, të guximit të tyre. Burri që qëndroi me trimërinë më të madhe ndaj superfuqisë më të madhe të kohës, që kishte përkulur shtete dhe Perandori ka frymëzuar dhe frymëzon përjetë shqiptarët, të sakrifikojnë, të qëndrojmë për liritë dhe çështjen e tyre. Se i frymëzoi Skënderbeu, ata u mblodhën dhe luftuan në Lidhjen e Prizrenit, se i dha zemër Skënderbeu, organizuan kryengritjet më të mëdha të Evropës që sollën pavarësinë e Shqipërisë, se u frymëzuan nga Skënderbeu dhe trimëria e tij, luftuan me heroizëm në Luftën e Dytë Botërore dhe renditën vendin në koalicionin fitimtar. Se është i pavdekshëm Skënderbeu në zemrën e tyre, luftuan në çlirimin e Kosovës dhe fituan”- tha kryeministri. Berisha nderoi edhe figurën e princit legjendar Skënderbeut duke theksuar se shqiptarët kanë tek ai burimin e përjetshëm të frymëzimit. Skënderbeu është pra, shenjtori i lirisë, i trimërisë, i guximit të shqiptarëve, frymëzimi i tyre i përjetshëm për të sakrifikuar për dinjitetin e tyre. Por, Skënderbeu është gjithashtu, vizionari i vokacionit perëndimor të Kombit shqiptar. Këtu, në këtë qytet shqiptarët lidhën besën të udhëhiqeshin nga prijësi i tyre legjendar për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor, vlerat perëndimore të kombit, djepin në të cilin kishin lindur. Shqiptarët kanë tek Skënderbeu, doktrinën e vokacionit të tyre perëndimor, ndaj dhe sot, në këtë ditë, nderimi më i madh që ne mund tu bëjmë fisnikëve shqiptarë që u mblodhën 568 vjet më parë, nderimi më i madh që mund t’i bëjmë prijësit tonë legjendar Skënderbeu është të ndjekim me vendosmëri vizionin e tyre, vokacionin kombëtar perëndimor, të bëjmë gjithçka për të vendosur kombin në BE, të bëjmë gjithçka për të bërë Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët, në treva dhe vende të zhvilluara”- theksoi mw tej kryeministri. Ndwrkaq, në fjalën e tij, kreu i Bashkisë sw Lezhws, Viktor Tusha tha se kjo datë jeton e gjallë në të gjithw mendjet e shqiptarëve. “Lezha hyri në historinë e kombit pasi në këtë vend u shkrua historia e lavdishme e kombit tonë”, theksoi Tushe ndërsa shtoi se Lezha është qyteti i kuvendeve më të rëndësishme në historinë e vendit.
Kjo festë, në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë, mblodhi në Lezhë personalitete të larta të politikës, historianë, akademikë, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Ishin të pranishëm Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, Zëvendës/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, z. Edmond Haxhinasto, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, etj. Gjithashtu, merrnin pjesë drejtues dhe përfaqësues të pushtetit lokal në vend, si dhe të komunave dhe bashkive në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Pjesëmarrës në këto festime ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtues të komuniteteve fetare në vend, si dhe shumë miq e dashamirës të Shqipërisë. Kryeministri Berisha e nisi ditën në qytetin e Lezhës me një vizitë në Bashkinë e qytetit, ku u prit nga Kryetari i saj, zoti Viktor Tushe. Më pas, Kryeministri dhe të ftuarit u drejtuan për tek Obelisku i Besëlidhjes, ku gjatë ceremonisë së zhvilluar atje, u përkujtua nga personalitetet, kjo ditë e rëndësishme në historinë e mbarë kombit shqiptar. Më pas, Kryeministri Berisha dhe të gjithë të ftuarit morën pjesë në mbjelljen e drurit të ullirit, si simboli i paqes dhe i besëlidhjes. Veprimtaritë vijuan më tej, me vizitën në Memorialin e Skënderbeut, ku Kryeministri Berisha dhe personalitetet e tjera vendosën kurora me lule në varrin e Heroit tonë Kombëtar. Gjithashtu, të pranishmit ndoqën në Pallatin e Kulturës, Koncertin Festiv “Dita e Besëlidhjes”, dhe në përfundim morën pjesë në drekën e shtruar me rastin e kësaj dite nga Bashkia e Lezhës.