Tallja me ushtarët në Afganistan, u mbahen lekët e misionit

Berisha gjate vizites ne Afganistan
Kryeministri Berisha, ndërsa vizitoi trupat paqeruajtëse shqiptare në Afganistan, i vlerësoi lart ata, duke thënë se kanë treguar dinjitet. Një dinjitet që shteti shqiptar duket se nuk e ka treguar ndaj tyre.
Mësohet se 92 ushtarëve komando, të cilët kanë qenë në Kandahar të Afganistanit në periudhën janar-qershor 2011, u janë mbajtur më shumë se 100 milionë lekë të vjetra.
Denoncimi është bërë nga vetë ushtarët, të cilët nuk duan të identifikohen, nga frika e marrjes së masave ndëshkuese ndaj tyre.
Sipas denoncimit, çdo ushtari i është mbajtur kësti i fundit që duhej tu jepej, në shifrën e 1.5 milionë lekëve të vjetra. Drejtuesit e lartë të ushtrisë e kanë argumentuar këtë gjë me faktin se ka ndodhur një ngatërresë shkresore dhe u kanë thënë ushtarëve se nuk kanë për ti marrë ato para, pasi kanë shkuar diku tjetër.
Ushtarakët shprehen të revoltuar me këtë fakt, pasi shumë prej tyre, përveç detyrës, shkojnë edhe për shkak të anës ekonomike.
Ndërsa u fliste për dinjitet, ndoshta kryeministri Berisha dhe vartësit e tij duhet ta tregojnë me vepra këtë dhe të mos u mbajnë lekët ushtarëve, të cilat janë lekë gjaku, pasi ata rrezikojnë edhe të humbasin jetën, si Feti Vogli.