E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tanke ne Sirte kryengritesit zgjerojne kontrollin

Kryengritësit në Libi marrën nën kontroll edhe disa lagje të Tripolit, sidoqoftë pa e gjetur kolonel Gadaffin dhe djemtë e tij, siç njoftuan më herët, dhe tashmë përgatiten për sulmin final në Sirte, vendlindjen e tij. Duket se Sirte dhe zona përreth kanë mbetur ndër vendet e fundit ku mendohet se mund të fshihet koloneli.

Ky i fundit ka dalë sërish përmes një mesazhi audio të enjten duke thënë se Libia është e libianëve dhe askush në perëndim nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. E përditshmja britanike Telegraf, njoftoi se bashkë me Gadaffin ndodhet në arrati edhe Abdelbaset Ali al-Megrahi, attentantori i Lockerbie, i dënuar për vendosjen e bombës në fluturimin Pan-Am në dhjetor 1988 që vrau 270 njerëz. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini ka thënë për mediat italiane se së shpejti do të bëhen publike urdhërat e tmerrshëm, sipas tij, që kanë dalë nga tenda e Gadaffit gjatë luftës.

“Kemi prova të urdhërit për ta transformuar ishullin e Lampeduzës në një ferr të vërtetë”, ka thënë Fratini. Lampeduza, cepi më jugor i Italisë, u bë strehë për mijëra refugjatë libianë që i iknin luftës në vendin e tyre.

Kolonel Gadaffi lindi në shkretëtirë, në një tendë në afërsi të fshatit të peshkatarëve me emrin Sirte. Kur erdhi në pushtet, ai ndërtoi qytetin e Sirtes, gati një rival për kryeqytetin. Këtu janë drejtuar kryengritësit që po përforcojnë rrethimin në Sirte, ku ndodhen mbi 1500 forca besnike të regjimit. BBC njofton edhe për lëvizje intensive të tankeve drejt qytetit bregdetar.

Në Tripoli kryengritësit kanë hapur burgun e Abu Salim, duke marrë rob disa dhjetëra ushtarë. Distrikti i Abu Salim ishte një nga qendrat e rezistencës së regjimit në kryeqytet. Kombet e Bashkuara tashmë kanë arritur marrëveshjen për të funksionalizuar 1.5 miliardë dollarë asete të regjimit në ndihmë si ndihma humanitare për Libinë.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›