E Diel, 1 Nëntor 2026

Tapeti i stadiumit të Korçës rrezikon prishjen, shkak shtrimi në ditë me shi

Tapeti i ri i stadiumit të Korçës, rrezikon të mos jetë funksional. Shkak është bërë lidhja e tij me tokën në një ditë me shi. Kështu një punë voluminoze dhe mjaft e kushtueshme rrezikon të shumëzohet me zero. 

KORÇE- Rrezikon të dëmtohet tapeti i ri i stadiumit “Skënderbeu” të qytetit të Korçës. Kjo pasi tapeti me bar natyral i ardhur posaçërisht për këtë fushë me ndërhyrje të FSHF-së është shtruar në një ditë me shi. Për këtë arsye drejtuesit e klubit të futbollit në Korçë shprehen të alarmuar për rezistencën e fushës së re, ndërkohë që ajo që duket dhe më serioze është se ajo është rrethuar me një mur të vogël betoni duke mos respektuar standardet e FIFA dhe UEFA. Shtrimi i një pjese të tapetit të ri me bar natyral në një ditë me shi, është duke sjellë pasojat e para, ndërsa rrezikon që një pjesë e saj të mos lidhet me tokën që do të thotë të hidhet në erë e gjithë puna voluminoze e kryer prej gati tre muajsh. Pas pastrimit të terrenit, drenazhimit dhe hedhjes së shtresave të kërkuara duke respektuar rregulloren e organizmave ndërkombëtare të fubollit ka ardhur dhe fusha e re e cila nuk është vendosur e gjitha, ndërkohë që ditët me reshje të shumta shiu nuk i kanë favorizuar korçarët. Për fushën e re të futbollit janë investuar rreth 250 mijë euro, shumë e cila është ndarë me rreth 100 mijë euro nga FSHF, 60 mijë të tjera nga Bashkia e qytetit, kurse pjesa e mbetur nga shoqata e biznesit për futbollin. Aktualisht ekipi i “Skënderbeut” ndodhet në Kategorinë e Parë duke qenë dhe i pari në tabelën e klasifikimit në 5 javët e para të këtij kampionati, ndërsa synon rikthimin në Superligë, por dhe me kushte optimale në drejtim të infrastrukturës. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›