E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare: “Do i nxijmë jetën Interit”Drejtori sportiv i Lacios: “Do të shkojmë në Milano për ta vënë në vështirësi”. Bardhekaltërit shfaqen si “tifozë” të Milanit: “Do të rihapim kampionatin”

Igli Tare është shndërruar në një nga njerëzit më të fuqishëm të Lacios, skuadrës së dytë më të rëndësishme të kryeqytetit italian, Romës. Drejtori sportiv i Lacios dhe një nga të besuarit e presidentit Lotito, tashmë ka fituar edhe admirimin e tifozëve më radikalë lacialë, pas replikave të bujshme me trajnerin e Romës, Luçiano Spaleti, që bënë xhiron e Italisë.

Në prag të ndeshjes kundër Interit në “San Siro”, ish-kapiteni i Shqipërisë, duke folur për mediat italiane, pohoi se Lacio (tashmë në finalen e Kupës së Italisë), do të luajë me një objektiv të qartë.

“Lacio do të shkojë në Milano për të vendosur në vështirësi Interin. Humbja e së dielës së kaluar (me Atalantën, 0-1) erdhi në momentin e gabuar, pasi skuadra vinte pas një periudhe shumë pozitive. Vinim në fakt nga tri ndeshje të rëndësishme, por mungesat, kualifikimet, lodhja nga ndeshja e së mërkurës për Kupën e Italisë (Lacio fitoi 2-1 me Juventusin), bënë të tyren”, - tha Tare.

“Në rast të një shpërthimi në ‘San Siro’ mund të rihapim kampionatin, pasi duhet të shfrytëzojmë edhe rikthimin e Matuzalemit, që do të jetë për ne një armë më shumë. Shpresojmë të bëjmë një rezultat edhe për klasifikimin tonë”, - theksoi drejtori sportiv i Lacios. 

Interi kryeson bindshëm kampionatin italian (74 pikë) me një diferencë prej 7 pikësh në raport me Milanin e vendit të dytë, ndërkohë që administratori i kuqezinjve, Galiani, në një deklarim për mediat italiane e konsideroi si diçka të pamundur përmbysjen.

Lacio, finaliste e Kupës së Italisë ashtu si dhe Sampdoria (eliminoi në gjysmëfinale pikërisht Interin), ndodhet në vendin e 9-të me 47 pikë dhe ka si objektiv primar fitimin e Kupës së Italisë (do të ishte hera e pestë nëse do ta fitonte) dhe një vend në Ligën e Europës.

E Enjte, 30 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›