E Diel, 1 Nëntor 2026

Tarifat e spitaleve, qytetarët ankohen se janë të papërballueshme



Emanuela Sako

Rritja e tarifave në poliklinika dhe spitale ka hasur në kundërshtimin e pacientëve që marrin shërbimin në këto qendra. Ankesat janë bërë nga ajo kategori qytetarësh që nuk paguajnë sigurime shëndetësore, por janë të detyruar të paguajnë tarifat e reja të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Bluzat e bardha në spitale nuk lejojnë askënd të futet në ambientet e tyre pa u regjistruar më parë si dhe pa paguar faturën përkatëse për shërbimin, nëse qytetarët nuk kanë librezë shëndetësore. Kjo situatë, ka shkaktuar reagimin e qytetarëve, të cilët deri tani kanë marrë shërbim mjekësor falas edhe pse nuk kishin paguar sigurime shëndetësore, ose kanë kryer vizitë kundrejt një pagese 400 apo 600 lekëshe. Specialisti i Ministrisë së Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, shprehet se Ministria e Shëndetësisë është e vendosur që të vërë në zbatim ligjin. Sipas tij, kush nuk paguan nuk merr shërbim shëndetësor. Kjo me përjashtim të disa kategorive si invalidët, pensionistët, fëmijët etj.
Situata
Pak javë më parë, Ministria e Shëndetësisë u dha urdhër spitaleve të vendosin tarifat e reja, të cilat do të zbatohen tani e tutje. Prej disa ditësh, spitalet kanë afishuar tarifat e reja, që pothuajse janë trefish më të larta se ato më parë. Tashmë një pacient që do të kryejë një vizitë të thjeshtë në poliklinikë nuk do të paguajë më 400 lekë, por do të paguajë 1000 lekë. Ndërsa një vizitë te specialisti, pacientit do t’i duhet të paguajë 1500 lekë nga 600 lekë që ka qenë më parë. Po kështu është vepruar me spitalet e nivelit terciar dhe me maternitetet, ku tarifat kanë arritur vlerat maksimale dhe janë bërë të papërballueshme për personat e pasiguruar. Numri i personave të pasiguruar në vend është tepër i lartë, prandaj dhe numri i pacientëve që do të kryejë vizitë me lekë në dorë është shumë i madh.
Rregulli
Aplikimi i sistemit të referimit dhe rritja e tarifave ka hasur në kundërshtimin e pacientëve. Ata ankohen se nuk kanë mundësi të përballojnë tarifat e reja për shkak të papunësisë dhe pamundësisë ekonomike që kanë në familjet e tyre. Njëkohësisht edhe vendosja e sistemit të referimit është një lloj pengese dhe tejzgjatje e procedurave, pasi edhe ata që janë të siguruar duhet të presin në radhë për të prerë një faturë për t’u vizituar tek specialisti. Njëkohësisht, kryerja e vizitës tek mjeku i familjes dhe rekomandimi te specialisti për qytetarët do të thotë një procedurë e gjatë dhe pagesë më të madhe për të pasiguruarit. Dalja Publike e Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, i hapi rrugë zbatimit të sistemit të referimit dhe tarifave të reja në spitale. Por, problemi qëndron më tepër tek të papunët dhe familjet me të ardhura të pakta që nuk kanë mundësi përballi të tarifave, si dhe nuk kanë mundësi të paguajnë sigurimet shëndetësore vullnetare. Specialistët e MSH-së, deklaruan se
qytetarët duhet të drejtohen pranë organeve të pushtetit vendor nëse janë të varfër, të papunë apo i përkasin një tjetër kategorie në mënyrë që të pajisen me librezë shëndetësore për të marrë shërbimin mjekësor.

Vizitat te mjeku, arsyet e rritjes së tarifave
Vendosja e tarifave të reja në çdo spital apo poliklinikë dhe veçanërisht ndryshimi i tyre, janë një detyrim që pacientët të sigurohen. Sigurimet shëndetësore do të mundësonin ecurinë e reformës që MSH-ja ka nisur në spitalet e vendit, ku do të rritej niveli i të ardhurave për spitalet dhe ulja e kostos së vizitave për pacientët. Po të shohësh tarifat e afishuara në spitalet, duket qartë se një pjesë e tyre kanë shënuar rritje, si dhe këmbëngulja e MSH-së për të zbatuar sistemin e referimit është një nxitje për sigurimin shëndetësore të pacientëve. Për një pjesë të qytetarëve që nuk janë të siguruar në punë ose nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune, problemi mbetet që ata duhet t’i paguajnë kontributet në mënyrë vullnetare. Kjo është një situatë që i step një kategori të caktuar qytetarësh për të mos kryer pagesën. Sipas tarifave të reja qytetarët që nuk janë të siguruar dhe nuk paraqesin librezën shëndetësore në spitalet, ku duan të vizitohen do të paguajnë koston reale të vizitave. Nëse ata do të jenë të siguruar tarifat për vizitë kryhen falas ose në disa raste të diagnozave të veçanta përgjysmohen. Prandaj MSH-ja këmbëngul për zbatimin e sistemit të referimit, që pacientët që nuk kanë rekomandimin e mjekut të lagjes nuk mund të vizitohen në spitale të nivelit terciar. Sipas informacioneve të marra nga QSUT-ja, Maternitetet dhe spitale të tjera qendrore, bëjnë të ditur se nuk pranojnë më vizita pa pasur rekomandimin e mjekut të lagjes, që e drejton pacientin të kryejë një vizitë në këtë spital. Sipas këtij rregulli, pacientët duhet të ndjekin sistemin e referimit, që do të thotë që çdo pacient duhet të kryejë një vizitë fillestare tek mjeku i lagjes, pastaj duhet të shkojë në poliklinikë dhe më pas me rekomandimin e mjekëve përkatës duhet të drejtohet në spitalet e mëdha.

Shënohet viktima e dytë në Kosovë

Gripi, Mjekët: Vendi në epidemi, kush ka shenja të vizitohet

Prej disa ditësh Ministria e Shëndetësisë ka shpallur zyrtarisht se jemi në prag epidemie nga virusi i gripit stinor dhe ai pandemik, A/H1N1. Të ndodhur në këto kushte mjekët sqarojnë për popullatën shenjat që shfaqin këto dy viruse dhe rrugën që duhet ndjekur për kurim. Mjeku infeksionist Ergys Ramosako thotë se pjesa më e madhe e rasteve janë trajtuar në shtëpi nga mjeku i familjes, ndërsa trajtimi me tamiflu është aplikuar vetëm tek rastet me komplikacione. “Shenja kryesore është temperatura e lartë 39-40 gradë, dhimbje fyti, dhimbje koke, dhimbje muskulore, dobësi të përgjithshme, mungesë oreksi, kollë, teshtima dhe në raste të rralla edhe të vjella apo heqje barku. Ky grip stinor presupozon një ecuri sëmundje 4-5 ditore me shenjat e mësipërme të cilat vijnë duke u zbehur në harkun kohor të 5 ditëve”,- theksoi mjeku Ramosako. Për përballimin e rasteve të shumta me virusin A/H1N1 apo me atë stinor, në Spitalin Infektiv në QSUT prej disa ditësh është ngritur një pavijon i posaçëm. Aktualisht në Shqipëri janë 144 persona të prekur me virusin e gripit të derrave, ndërsa pritet konfirmimi nga laboratori i virologjisë edhe për 21 mostra të tjera. Ndërkohë që në vendet fqinje situata paraqitet më e vështirë, pasi ka pasur viktima të shkaktuara nga gripi i derrit. Në Kosovë është shënuar viktima e dytë nga virusi i gripit AH1N1 gjatë ditës së djeshme. Një 31 vjeçare ka gjetur vdekjen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Gruaja ishte shtruar në spital prej datës 18 nëntor, ndërsa për 8 ditë ishte trajtuar në mënyrë ambulatore nga mjekët në Prizren. Mjekët janë shprehur se pacientja është shtuar në spital në gjendje tepër të rëndë ndërsa theksojnë se është trajtuar me Tamiflu, antibiotikë, kortizonikë e oksigjenoterapi.

23 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›