Rikard Ljarja, pasioni i fshehtë i legjendës së kinemasë
Po pinte kafe. Ishte i qetë, ishte vetëm. Iu afrova dhe u prezantova. I thashë se çfarë kërkoja. Pasi ngurroi bukur gjatë, më ofroi një karrige dhe filloi të bisedonte. “Nuk kam çfarë them, i kam thënë të gjitha”, - më tha. Por unë ngula këmbë përsëri. Ai tha se nuk i kishte fort për zemër gazetarët, prandaj e kishte të vështirë të jepte intervistë. Megjithatë pranoi. Atëherë unë nxora diktofonin, por ai u ngërdhesh. Më tha ta fusja prapë në çantë. Nxora bllokun, e hapa dhe i bëra pyetjen e parë:
Teatër, apo kinema?
Nuk mund të flas për dy gjëra të mrekullueshme, kështu papritur, duke pirë kafe…; të dyja kanë një mijë gjëra të përbashkëta, por kanë edhe dallime mes tyre. Tani, në një farë mënyre, unë jam larguar nga teatri dhe kinemaja. Me dëshirë apo pa dëshirë kjo është një e vërtetë. Teatri dhe kinemaja, përveç të tjerave, duan durim dhe forcë fizike. Durimi ka filluar të më soset, e sa për forcë fizike, nuk jam shquar ndonjëherë. Më mungojnë dhe disa aftësi që sot qenkan të domosdoshme për të bërë një film apo për të vënë një shfaqje në skenë. Aftësia e menaxhimit? Nuk kam prirje fare për këtë punë. E po nuk ishe i zoti ta nxjerrësh vetë gomarin nga balta, balta të zë frymën, e më e keqja është se mund të marrësh edhe të tjerët me vete. Prandaj më mirë…
Më mirë të rrish pa bërë asgjë?!
Jo, diçka bëj. Para pak kohësh kam luajtur një rol në teatër. Ishte kënaqësi e madhe. Kisha kohë pa luajtur. Po zanati është si puna e biçikletës, nuk harrohet lehtë. Unë për vete u kënaqa, të tjerët nuk di a u kënaqën më me mua… Pastaj kam lexuar shumë tekste me kore dhe orkestra, sepse dikur kam qenë muzikant. Përpiqem të intonohem me tonalitetet e pjesëve që ekzekutohen, pastaj ndoshta dhe timbri i zërit tim tingëllon… si të ta them, se duket sikur po lavdëroj veten, tingëllon mirë. Për zërin nuk kam pse krenohem, se e kam dhuratë, nuk e kam blerë e as e kam fituar me punë, me mund dhe djersë.
Përveç regjisurës dhe aktrimit...
Them se njeriu duhet të bëjë atë punë që di të bëjë më mirë. Në këto kushte, kushte pensionisti, duke përfshirë edhe ato të tjerat që thashë pak më sipër, që s’kam aftësi menaxhimi etj., etj., shkruaj. Ndoshta të shkruarit është bërë një sëmundje mbarëkombëtare dhe unë nuk kam se si t’i shpëtoj kësaj epidemie. Publiku ndoshta nuk e ka vënë re kur ka parë ndonjë film, se shumë kohë më parë kam shkruar disa skenarë që janë bërë filma, pra kam “botuar”. Tashti vazhdoj të shkruaj. Nuk kam asnjë nxitim. Shkruaj kur më hipën në kokë, kur kam çfarë të them dhe kur kam kohë, kohë kam plot, po koha më rrëshqet e shpesh nuk kam kohë. Pak absurde kjo, po është e vërtetë. Pra unë edhe shkruaj. Para pak vitesh kam botuar një roman. Tani, në panairin e fundit, “Ombra GVG” më ka botuar një libër. Ishte befasi. Kisha disa kohë që ia kisha dhënë Gëzimit dhe… prit e s’ka, prit e s’ka, kur një miku im më telefonon dhe më thotë: “Shko në panair, more idiot, se të ka dalë libri!”. Të them të drejtën u shtanga. Ishte i njëjti emocion si para një premiere. Gëzimi më kishte bërë një surprizë (se mos ju duket si reklamë) mendoni si të doni. Pra shkova në panair. E para gjë që më ra në sy ishte moria e njerëzve nga të gjitha moshat. Ishte një mrekulli. Kjo mendova e ka një domethënie të madhe shoqërore. Shqiptarët më në fund janë qetësuar. Po kërkojnë tjetër lloj ushqimi. S’ka se si të jetë ndryshe. Dhe moria e titujve ishte menyja e botuesve që po i ofronin. Një meny që i ka munguar për shumë vite me radhë. Se ky popull i shkretë është ushqyer për vite e vite vetëm me “groshë”.
Nuk do të luani në ndonjë film, nuk do të bëni ndonjë film?
Nuk e di. Nuk them kurrë jo. Po varet nga shumë gjëra që nuk është vendi t’i rendis këtu. E lëmë me kaq? Ju falënderoj për mundimin që morët, ju falënderoj sinqerisht.
Jeta artistike e Rikard Ljarjes
Ka lindur në Shkodër më 1 prill të vitit 1943. Brenda një harku të shkurtër kohor ai do të bëhej një ndër aktorët më aktivë dhe më me emër të skenës shqiptare. Pasi mbaron gjimnazin në vitin 1960 vazhdon shkollën e lartë për aktor pranë Teatrit Kombëtar, të cilën e mbaron në vitin 1965. Nga ky vit e deri në vitin 1973 punon si aktor në teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, ndërsa më 1996-2002 është drejtor Artistik në Televizionin Shqiptar. Pas kësaj periudhe ai shijon pensionin e pleqërisë. Karriera e tij kinematografike ka nisur në vitin 1965 kur ai iu përkushtua tërësisht kinematografisë si aktor, duke interpretuar me shumë sukses në shumë filma. Ndonëse emri i tij nuk është përmendur shumë në ekranin e pas viteve nëntëdhjetë, para viteve nëntëdhjetë figura aktoriale e Rikard Ljarjes ka qenë gjithmonë në qendër të ekranit dhe të skenës shqiptare. Portreti i tij ka qenë vazhdimisht i pranishëm, si në kinema, ashtu dhe në Televizionin Shqiptar. Aktori i famshëm me origjinë nga Shkodra, me interpretimin dhe portretin e tij të veçantë kishte pushtuar ekranin e kinemasë, po ashtu dhe atë të televizionit. Ai ka interpretuar rreth njëqind role në skenë dhe në kinematografi. Artisti i merituar, aktori i madh Rikard Ljarja, emri i të cilit tashmë është gdhendur përjetë në historinë e kinemasë shqiptare. Menjëherë pas diplomimit si aktor ka ardhur edhe roli i parë i tij në kinematografi, ku ai interpreton me talent rolin duke hapur rrugë për shumë role të tjera. Në debutimin e parë ka interpretuar rolin e mësuesit, i cili ishte Dritan Shkaba, te filmi “Komisari i dritës”. Prej vitit 1973 deri në 1996-n interpretoi si aktor në filmat “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Plagë të vjetra”, “Ilegalët”, “Radiostacioni”, “Pranverë e hidhur”, “Rrethi i kujtesës”, “Fletë të bardha”. Si regjisor ka realizuar filmat “Pesha e kohës”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Skëterrë ‘43”, “Radiostacioni” etj. Si regjisor, filmi më i arrirë i tij është “Kur hapen dyert e jetës”, i cili u realizua në vitin 1986, ku ishte edhe autor i skenarit. Ky film u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu”. Për meritat e tij aktoriale dhe regjisoriale është nderuar me titullin “Artist i merituar”.
Filmografia
Aktor
* Viktimat e Tivarit (1996)
* Fletë të bardha - (1990)
* Rrethi i kujtesës - (1987)
* Në prag të jetës - (1985)
* Pranverë e hidhur - (1985)
* Radiostacioni - (1979)
* Në pyjet me borë ka jetë - (1978)
* Ilegalët - (1976)
* Rrugicat që kërkonin diell - (1975)
* Rrugë të bardha - (1974)
* Shpërthimi - (1974)
* Ndërgjegjja - (1972)
* Kur zbardhi një ditë - (1971)
* Plagë të vjetra - (1968)
* Ngadhënjim mbi vdekjen - (1967)
* Duel i heshtur - (1967)
* Komisari i dritës - (1966)
Regjisor
* Pesha e kohës - (1988)
* Kur hapen dyert e jetës - (1986)
* Fundi i një gjakmarrjeje - (1983)
* Dita e parë e emërimit - (1981)
* Skëterre 43 - (1980)
* Radiostacioni - (1979)
* Në pyjet me borë ka jetë - (1978)
Skenarist
* Pesha e kohës - (1988)
* Kur hapen dyert e jetës - (1986)
23 Nentor 2009