Tashmë Rapidi shpreson te Salihi Bakaj zgjedh fanellën me numër 20
Në Austri shkodrani shpreson të zbresë në fushë nga minuta e parë, ndërsa ish-lojtari i Partizanit po ndihet për mrekulli në Bukuresht
Edhe pse marrëdhënia mes sulmuesit të kombëtares kuqezi dhe trajnerit Pakult nuk është nga ato më të mirat, duket se në ndeshjen e kësaj jave kundër Kapfenbergut, Rapidi i Vjenës do të mbështetet pikërisht te Salihi. Me Venegor dhe Gartler të dëmtuar, Pakult gjendet me shpatulla pas murit dhe duket se do t’i japë fanellën e titullarit shkodranit, që kundër Kapfenbergut ka arritur të gjejë 5 herë rrugën e rrjetës dhe me të në fushë, Rapidi ka fituar gjithnjë. Tjetër alternativë është edhe shqiptari Atdhe Nuhiu, por mes tij dhe Salihit duket se Pakult e ka ndarë mendjen që do të zgjedhë këtë të fundit, pasi Nuhiu ka shënuar vetëm 2 gola në këtë sezon, ndërsa Salihi 10. Rapidi ka nevojë emergjente për 3 pikë, pasi një tjetër dështim do ta largonte edhe më shumë skuadrën austriake nga Kupat e Europës.
Elozhe për Bakaj
Ka luajtur pak minuta në ndeshjen e fundit të Dinamos së Bukureshtit, por në momentin që trajneri Ioan Adone e nxjerr në nxehmje, publiku e pret me ngrohtësi. Bakaj po jeton një ëndërr të bukur. Ai futet në fushë në vend të Torjes në minutën e 74-ët dhe në fund të ndeshjes merr komplimentet e trajnerit. “Më pëlqeu, Bakaj luajti mirë. Është një lojtar shumë interesant.” Por, ndërkohë, Dinamo ka rindarë fanellat dhe Elisi ka zgjedhur atë me numër 20, që dikur e ka pas mbajtur një idhull në pjesën e kuqe të Bukureshtit, Adrian Kristea.