E Diel, 1 Nëntor 2026

Tashmë edhe me gjykatë, Ilir Beqja divorcohet nga partia e mikut të tij të vjetër

17-06-2011 / Redaksionale

Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar të vlefshëm vendimin e Parlamentit për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Ilir Beqja, dhe bazuar në shqyrtimin e padisë dhe gjykimin e aktit, urdhëroi heqjen e mandatit. Sidozot Kushtetuesja dha verdiktin më të pritshëm mbi mandatin e deputetit e PS-së, i cili u përfshi në skandalin për përfitim nga tenderat e zhvilluar nga bashkia e Durrësit, gjatë kohës që ai ishte zgjedhur tashmë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Është e vërtetuar me dokumente dhe fakte të pamohueshme se kishte konflikt interesi të mandatit të deputetit Beqja dhe marrjes së kontratës për Softwere në bashkinë socialiste të Durrës. U vërtetua se të gjitha pazaret dhe shpenzimet bëheshin brenda familjes politike, “me jep të të jap”, me paratë e taksapaguesve. E pafalshme për Ilir Beqjen që ndërsa bënte bojkotin dhe grevistin e urisë, nga ana tjetër fitonte kontrata dhjetëra miliona lekësh. Ilir Beqja ka fituar, në kundërshtim me ligjin dhe moralin e deputetit, para publike me biznesit e tij. Sakaq mbrojtja e dobët e  z. Beqja se tenderi ishte fituar gjatë kohës që ai s’kishte bërë betimin në parlament, por fakti që kohëzgjatja e projektit e tejkalon 25 Shkurtin kur deputeti socialist ka bërë betimin do të thotë se ai ka qenë i vetëdijshëm se puna qe po ushtronte me kompaninë Intech - fituese e tenderit, çka bie ndesh me paragrafin 3 të nenit 70-të të Kushtetutës së Shqipërisë.
Afërmendsh gazeta me datë 06-10-2010 ka sqaruar me fakte të pakundërshtueshme shkeljen e Ligjit themeltar të Shtetit nga shtetasi, Ilir Hamit Beqja: deputet, socialist, biznesmen, duke shpjeguar të gjithë hapat e tenderit që vë përballë deputetin dhe dhunimin e Kushtetutës. Nga ana e tij, me deklaratat për shtyp të kohës, Ilir Beqja tentoi të mbrohet me hijen e datave metafizike duke harruar datat e dorëzimit të mallit, sepse vetëm kështu përfundon bashkëpunimi në një kontratë me firmë të Beqjes “Intech +” dhe bashkisë Durrës, të drejtuar ende nga socialisti Vangjush Dako. A jemi dakord me ligjin se kontrata ka edhe një afat përfundimi? Sigurisht që po. U shpjegua që afati i kontratës vetë parashikonte 154 ditë “për dorëzimin e mallit”. Sipas një llogarie të thjeshtë, po të numërosh 154 ditë, nga data 9 dhjetor 2009, i bie që kontrata të ketë përfunduar në 12 maj të vitit 2010, kur tashmë Ilir Beqja, ishte deputet prej 77 ditësh sepse “kishte bërë betimin”, që në datën 25 shkurt 2010.
Megjithatë zoti Beqja asnjëherë, edhe sot që po shkruajmë, nuk ka mohuar publikisht faktin e pakundërshtueshëm, të përmbushjes së detyrimit 154 ditor të kontratës me Bashkinë e Durrësit. Në përfundim është ashiqare se Partia Socialiste, në mënyrë despotike shpërfilli mundësinë e aktit të dorëheqjes së deputetit Beqja, pasi lidershipi, ligjërisht dhe moralisht ishte kundër asaj kushtetute që është betuar ta mbrojë me barrikada njerëzore. Morali i kësaj fabule është se një përfaqësues i opozitës ndërsa akuzonte pa fakte qeverinë “Berisha” për korrupsion, ishte ai vetë përfaqësues i pazakontë i korrupsionit politik. Një bumerang që i theu turinjtë epërsisë së supozuar morale të Partisë Socialiste mbi partitë e tjera parlamentare.
Sidoqoftë Partia Socialiste në këtë 6-mujor të parë të vitit është në një hall të madh bilanci, pasi llogaritë e nxjerrin me firo kudo. Është totalisht e dështuar nga pikëpamja politike. Asnjë kauzë e saj s’ka fituar besueshmëri publike. Zgjedhjet lokale të 8 majit vërtetuan lidershipin e Partisë Socialiste si jo frymëzuese, pasi është e pamundur të ndryshosh mendim kur konstaton se është një parti pa program dhe pa alternativa qeverisëse.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›