Task-Forca, kontroll bizneseve në bregdet
Edhe 60 ditë na ndajnë nga trokitja e pare e sezonit veror 2010, ndërkohë që bashkia ka nisur paralelisht me strukturat e qeverisë marrjen e masave për një prezantim dinjitoz para pushuesve.
Kështu, nisur nga ky bashkëpunim, një ekip i Task-Forcës pritet të vijë nga Tirana, për të nisur kontrollin ndaj gjithë bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonat bregdetare të qarkut Durrës. Aktualisht numërohen mbi 5600 subjekte tregtare, duke nisur nga lokalet, bar-restorantet, vilat e pushimit, pallatet, hotelet, motelet, fshatrat turistike etj., ku grupet e Task-Forcës, do të përqendrohen për kontrollet dhe verifikimet ligjore.
Durrësi ka një vijë bregdetare me gjatësi 46.6 km, duke nisur nga ajo e Currilave, sektori “Teuta” e deri tek Përroi i Agait, ku priten të kalojnë në duart e Task-Forcës si dhe të Urbanistikës së Bashkisë dhe Shëndetit Publik për evidentimin e problematikave. Shumica e bizneseve dhe aktiviteteve tregtare në bregdet, veç mangësive të cilat lidhen me mosderdhjen e detyrimeve në arkën e shtetit, kanë problematika edhe me higjienën. Ndotja e madhe e vijës bregdetare nga derdhjet në det dhe rërë, duke përdorur gropa septike, duket se ka vënë në alarm institucionet e shtetit, të cilat duan të sigurojnë pastërtinë e bregdetit njëlloj si tek fqinjët tanë ballkanikë.
Alarmin e kanë dhënë fillimisht banorët e zonave bregdetare, ambientalistët dhe mjekët, por edhe zyra e Mbrojtjes së Florës dhe Faunës lidhur me ndotjet masive në bregdetin durrsak, por edhe në akuatoriumin portual, duke nisur nga derdhjet e karburanteve e deri tek mbeturinat organike.
Kjo dhe shumë tjera arsye kanë nxitur strukturat e qeverisë, të nxisë bashkëpunimin mes Task-Forcës dhe Bashkisë Durrës, për të evidentuar borxhlinjtë ndaj shtetit dhe duke nxjerrë shkaktarët kryesorë të ndotjes e duke prishur ndonjë objekt të ligjshëm që prej vitesh ndot ajrin, detin dhe rërën e plazhit.
Bregdeti durrsak njihet për nivelin e ndotjes nga ujërat e zeza, por edhe abuzimin me vlerat e kostove në shërbimet publike për pushuesit verorë. Jo më larg se viti 2009, punonjësit e Policisë Ndërtimore dhe ata të Higjienës, zbuluan mijëra metra me tubacione që derdheshin në det me ujërat e zeza të dhjetëra pallateve dhe lokaleve, por që u mjaftuan vetëm me këshillime dhe gjoba, ndërsa në infektiv përfunduan me dhjetëra pushues.
Në shkallë qarku, Durrësi ka afro 46.6 km gjatësi vijë bregdetare, e cila megjithëse e mbushur me objekte me dhe pa leje, do t’i nënshtrohet kontrollit dhe evidentimit të çdo shkeljeje të bërë nga pronarët e firmave gjatë ndërtimit.
Ky ka mbetur si kusht edhe ndaj kërkesës së mjaft turistëve të cilët kërkojnë para së gjithash higjienë dhe terren të pastër. Drejtuesit e bashkisë shpresojnë se Durrësi në sezonin veror 2010 do të jetë partner dinjitoz ashtu si qytetet e tjera bregdetare e portuale në Evropë.