Teknika bërthamore në Shqipëri, në nivele fillestare

Intervista / Flet prof. Dine Merja, një nga radiokimistët dhe themeluesit e parë të ish-Institutit të Fizikës Bërthamore
Merja: Vendi ynë ka akoma shumë burime energjie të pashfrytëzuara. Centrali, ndoshta pas 25 vitesh
Dine Merja është një nga radiokimistët e parë të vendit tonë, të cilët e kryen specializimin në fushën e kimisë bërthamore jashtë vendit, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Ai gjithashtu është edhe një nga themeluesit e Institutit të Fizikës bërthamore, sot Qendra e Fizikës Bërthamore. Si një nga specialistët e parë të fushës dhe njohës i mirë i teknologjisë bërthamore në vendin tonë Profesor Merja në intervistën e mëposhtme tregon për situatën energjetike në Shqipëri, mundësitë e ndërtimit të një centrali bërthamor, si dhe për pasojat që do të sjellë ndërtimi i një centrali të tillë në vendin tonë.
Profesor, pak kohë më parë qeveria miratoi ngritjen e Agjencisë Kombëtare Bërthamore. Hapi i parë që duhej hedhur për ndërtimin e një centrali bërthamor në vendi tuaj. Ju si një nga themeluesit e Institutit të fizikës bërthamore, si e shihni ngritjen e një centrali të tillë?
Mendoj se vendi ynë disponon rezervat dhe burimet e nevojshme për furnizim të plotë me energji elektrike, por për këtë nuk është punuar për një shfrytëzim racional të tyre. Një rrjet i gjerë lumenjsh nuk është vënë në shfrytëzim për hidroenergji.
Por, edhe burime të tjera energjetike, si nafta, gazi, qymyri, energjia diellore, era, bioenergjia etj., jo vetëm që nuk janë shtuar, por, përkundrazi, janë reduktuar, mbyllur ose amortizuar.
Janë mbyllur minierat e qymyrit dhe TEC-et me naftë dhe qymyr, janë reduktuar së tepërmi kërkim-zbulimet e naftës dhe të gazit. Investitorët e huaj mendoj se duheshin orientuar në radhë të parë në shfrytëzimin e rezervave dhe burimeve energjetike natyrore të vendit tonë.
Atëherë, shtrohet pyetja përse duhet filluar që tani me central bërthamor, kur kemi ende shumë burime të tjera energjetike të pashfrytëzuara, kur jemi ende shumë larg infrastrukturës së nevojshme për t'i hyrë, si i thonë fjalës "detit me këmbë". Fqinjët tanë, Italia e Greqia, anëtare të Bashkimit Europian dhe shumë përpara nesh, nuk kanë ende centrale bërthamor.
Madje, në Itali, prej shumë vitesh u ndërprenë punimet me referendum popullor, dhe u vendos ngritja e centraleve bërthamore, pavarësisht deficitit të madh energjetik të saj.
Realisht, a i ka mundësitë vendi ynë për ngritjen e një centrali bërthamor?
Ngritja e një centrali bërthamor në Shqipëri, nuk është i pamundur, por për këtë më parë duhen plotësuar mjaft kërkesa. Zhvillimi i energjisë bërthamore në një vend bëhet gradualisht, centrali atomik është stadi më i lartë i zhvillimit në këtë fushë. Në vendet e zhvilluara, energjetika bërthamore i përket të sotmes dhe të ardhmes, pavarësisht rreziqeve që ajo mbart.
Në të ardhmen, kur vendi ynë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe të ecë në këto zhvillime, në Shqipëri do të shtrihet në shkallë të gjerë përdorimi i energjisë bërthamore direkte dhe indirekte, në të gjitha fushat e jetës dhe të veprimtarisë njerëzore.
Kjo ka qenë edhe ëndrra dhe përpjekjet e mia rreth 40 vjet më parë kur u ktheva nga studimet pasuniversitare, jashtë shtetit në fushën e Kimisë Bërthamore (Radiokimisë) dhe u ngarkova për ngritjen e Laboratorit të Rrezatimeve Bërthamore (me pas Instituti i Fizikës Bërthamore) pranë Universitetit të Tiranës.
Sot ky institut mund të ishte zhvilluar në një Qendër të Fuqishme Aplikative të Teknikës Bërthamore, por fatkeqësisht u mbyll në guaskën e vet për katër dekada, u atrofizua dhe tashmë u kthye atje ku filloi 40 vjet me parë, si laborator fakulteti.
Megjithatë, centrali bërthamor për vendin tonë sot për sot mendoj se është i parakohshëm kundrejt kërkesave të tjera shumë më imperative, përfshi edhe ato të aplikimeve të teknikës bërthamore, të cilat kanë mbetur në nivele fillestare.
Në të ardhmen, ndoshta pas 20-25 vjetësh, në qoftë se vendi do të ngrihet në nivelin e duhur të aktivitetit bërthamor aplikativ, përfshi edhe ngritjen e ndonjë reaktori të vogël bërthamor aplikativo-eksperimental (i cili na u ofrua gratis nga Agjencia Atomike e Vjenës rreth 40 vjet më parë), atëherë do të mund të bëhej bilanci i gatishmërisë njerëzore dhe materiale, dhe i nevojës së ngritjes së centralit elektrik bërthamor.
Cilat janë pasojat që do të sjellë ndërtimi i një centrali bërthamor?
Në vende të ndryshme të botës, ku janë ngritur centrale atomike janë zhvilluar debate ndërmjet perceptimeve dhe argumenteve të ndryshme të organizatave, partive, organeve qeverisëse dhe të shtresave të ndryshme të popullsisë. Kjo është e natyrshme dhe e nevojshme, për arsye se ndërmarrje të tilla prekin interesat kombëtare të një populli.
Një aksident i mundshëm katastrofik në këto centrale nuk godet vetëm përkrahësit e tyre, por gjithë vendin dhe popullatën në tërësi. Përkrahësit e energjisë bërthamore argumentojnë se centralet bërthamore janë një burim i qëndrueshëm energjie, reduktojnë efektin serë (hedhjen në atmosferë të karbonit) dhe rrisin kursimin e energjisë, duke ulur importin e naftës, të gazit ose të qymyrit.
Duke krahasuar problemet dhe rreziqet e mbeturinave bërthamore me ato të energjetikës tradicionale, nga studimet e ndryshme rezulton se një termocentral me qymyrguri lëshon në atmosferë rreth 100 herë më shumë radioaktivitet se sa një central bërthamor me të njëjtën fuqi. Mbeturinat e lëndëve djegëse organike, shkaktojnë ngrohjen globale (efektin serë).
Kështu, sipas projektit 50-vjçar të konsumit botëror të energjisë (1980-2030) rritja e përqendrimit të gazit karbonik në atmosferë, një nga gazet kryesore që shkakton efektin serë, për shkak të djegies së lëndëve djegëse, parashikohet të rritet në masën nga 26.9 miliard tonë për vitin 2004, në 42.9 miliard tonë për vitin 2030-të.
Ata mendojnë se rreziku i mbeturinave radioaktive është i vogël dhe volumi i tyre mund të reduktohet në të ardhmen, me përmirësimin e teknologjisë në reaktorët e rinj.
Kundërshtarët e kësaj teorie mendojnë se burimet e energjisë bërthamore janë me potencial të lartë shkatërrimtar në rast aksidentesh. Kjo palë kundërshton uljen e rrezikut për shkak të përmirësimit të teknologjisë dhe e konsideron të rrezikshëm shtimin e vazhdueshëm të mbeturinave radioaktive, duke theksuar mundësinë e përhapjes se këtyre mbeturinave në rajone të ndryshme ku ato transportohen ose depozitohen për shkaqe natyrale ose kriminale.
Sa kohë duhet për të ndërtuar një central bërthamor?
Koha e nevojshme për ngritjen e një centrali bërthamor që nga projektimi e deri në shfrytëzimin e tij është mjaft fleksibël, pasi varet nga një sërë faktorësh si: fuqia e centralit, kushtet gjeologjiko-topografike dhe hidroteknike të terrenit ku do të ngrihet centrali, infrastruktura rrugore, e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe e destinacionit të mbetjeve radioaktive, fuqia materiale dhe njerëzore e firmave projektuese dhe ndërtuese, fuqia investuese, përgatitja e infrastrukturës ligjore, institucionale e laboratorëve të kontrollit bërthamor dhe e personelit të specializuar etj. Në funksion të këtyre faktorëve ajo ndërtimi i një mund të zgjasë 10 deri 20 vjet.
Çfarë masash paraprake duhet të ndërmarrë qeveria?
Mendoj se qeveria duhet të kryente studimin përkatës nga një grup ekspertesh për përfitimet dhe rreziqet e një projekti të tillë. Së dyti, do të duhet të informonte opinionin publik lidhur me nevojën e ngritjes së këtij centrali bërthamor, përfitimet dhe rreziqet eventuale deri në votimin e tij me referendum popullor.
Në rast miratimi, qeveria do të krijonte infrastrukturën përkatëse ligjore dhe institucionale në zbatim të këtij projekti. Do të merrte masat e nevojshme për përgatitjen e specialistëve dhe ekspertëve në fushën e energjetikës bërthamore, të shfrytëzimit, kontrollit dhe sigurisë bashkë me laboratorët dhe kabinetet përkatëse.
Po në vende të tjera, cilat janë tendencat e sotme lidhur me energjetikën bërthamore dhe me ngritjen e centraleve bërthamore?
Burimet klasike të energjisë nuk plotësojnë kërkesat në rritje për njerëzimin. Rezervat botërore të këtyre burimeve kanë ngritur prej disa dekadash nevojën e kërkimit dhe të zbulimit të burimeve të tjera të energjisë.
Sot, rreth 38% e konsumit botëror të energjisë përballohet nga nafta, 23% nga gazi, 26% nga qymyri i gurit, 5.5% nga hidrocentralet, 6.5% nga centralet bërthamore dhe 1% nga energjia diellore, era dhe druri. Për shkak të krizës së naftës, shumë vende deficitare për naftën dhe gazin kanë rritur investimet për sigurimin e energjisë nga centralet bërthamore, nga impiantet diellore dhe alkooli.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, sot në botë janë në shfrytëzim 439 reaktorë energjetik bërthamorë që veprojnë kryesisht në 31 vende, rreth 33 të tjerë janë në ndërtim e sipër, 94 reaktorë janë në plan për t'u ndërtuar dhe rreth 222 reaktorë energjetikë janë propozuar për t'u ndërtuar gjatë viteve në vazhdim. Në vitin 2004, centralet bërthamore siguruan 6.5% të konsumit botëror të energjisë dhe 16% të energjisë elektrike globale.
ShBA-ja, Franca dhe Japonia, së bashku, numërojnë rreth 57% të centraleve bërthamore botërore. Në vendet e Bashkimit Europian, centralet bërthamore sigurojnë 30% të konsumit të energjisë elektrike.
Në Francë rreth 78% të nevojave të energjie elektrike sigurohen nga 16 centralet bërthamore të saj, duke eksportuar energji elektrike edhe në vendet fqinje sidomos në Itali, e cila nuk ka një central bërthamor. Në shkallë botërore, energjia elektrike bërthamore është parashikuar të rritet, nga 2619 miliard Kw-orë në vit që ishte në 2004-ën, në 3619 miliard Kw-orë në vit, në vitin 2030.