Vrasësi i nënës, nën hetim për tri vrasje të tjera
Vrasësi i nënës së tij me sëpatë dhe plagosjen e së bijës adoleshente është nën hetim për dy vrasje të tjera të ndodhura para 15 viteve. Sipas burimeve nga policia, Haki Miska dyshohet si një vrasës serial i akuzuar për katër vrasje gjatë viteve. Hetuesit akuzojnë 50-vjeçarin se në vitin 1995 ka vrarë njerkun e tij, Gani Bruku, si dhe bashkëfshatarin Qani Lluka. Policia dyshon se edhe e ëma e viktimës ka qenë në dijeni të vrasjes së njërës prej viktimave. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje të Miskës në polici pas arrestimit tri ditë më parë, ai pranoi se është autori i vrasjes së gruas së tij në vitin 1994. Policia gjati eshtrat e gruas së tij, të zhdukura që prej vitit 1994. Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari u tha hetuesve se ai kishte vrarë dhe varrosur gruan e tij në oborrin e shtëpisë. Pas kërkimeve të kryera, ato u gjetën ditën e djeshme. Në 5 shkurt të vitit 2010, Miska qëlloi me sëpatë nënë e tij 78-vjeçare, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që në këtë ngjarje mbeti i plagosur vajza e tij 18-vjeçare, e cila po tentonte ta ndalonte. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ndaj tij është shtuar akuza për plagosje me dashje të së bijës.
Arrestimi
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Prevadh të rrethit të Librazhdit, policia kishte nisur një operacion për arrestimin e autorit të krimit. Ai i ishte shmangur arrestimit, duke u fshehur në zonat malore të fshatit dhe kishte shpëtuar duke përfituar nga terreni i vështirë dhe njohja e zonës, ndërkohë që policia vazhdonte kërkimet në terren, si dhe grumbullimin e informacionit për vendndodhjen e 50-vjeçarit. Pas të dhënave të marra në rrugë operative se Miska ishte parë në komunën e Ostrenit, policia organizoi operacionin për ndalimin e tij. Ai u vu në pranga gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme. Miska u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.
Ngjarja
Në datën 5 shkurt, një ngjarje tragjike ka ndodhur në rrethin e Librazhdit, ku një 50-vjeçar ka vrarë nënën e tij me sëpatë dhe ka plagosur të bijën në fshatin Prevadh. Menjëherë uniformat blu shkuan në vendngjarje, ku në banesën e familjes Miska gjetën trupin e pajetë të një të moshuare. Viktimë e këtij sulmi makabër ka qenë 75-vjeçarja Dije Miska, ndërsa mbeti e plagosur 18-vjeçarja Besjana. Nga ekspertiza e kryer u vërejt se viktima kishte humbur jetën si pasojë e goditjeve të shkaktuara me mjete të mprehta. Si autor i kësaj vrasjeje ishte i biri i viktimës, Haki Miska. Sipas burimeve nga policia, 18-vjeçarja është plagosur, ndërsa po përpiqej që të ndalonte të atin që të godiste gjyshen me sëpatë, por ka mbetur edhe vetë viktimë e sulmit.