E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH:Kush s’paguan, s’ka energji; borxhi, 27 miliardë lekë



Nëse energjia nuk paguhet nga konsumatorët, OSSH menjëherë do të bëjë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike. Të gjithë ata që i kanë detyrime të paguara nga kompanisë çeke, e cila ka privatizuar tashmë sistemin e shpërndarjes në vend, do të mbesin në errësirë, nëse nuk nxitojnë të shlyejnë detyrimet. Drejtuesit e OSSH-së kanë dalë me një vendim zyrtar për ndërprerjen e energjisë, pasi borxhi që konsumatorët i kanë kësaj kompanie është miliarda lekë. Duke parë se shumë konsumatorë privatë, por jo të paktë dhe ata të institucioneve shtetërore, kanë akumuluar këtë borxh, OSSH ka vendosur të jetë krejt e ashpër ndaj kujtdo që nuk paguan energjinë e konsumuar. Kompania private OSSH nuk do të tolerojë askënd që do të neglizhojë në pagesën e faturave. Nisur nga situata e vështirë në të cilën ndodhet Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë, si dhe nivelin e lartë të detyrimeve të papaguara që klientë të ndryshëm i kanë kompanisë, kjo e fundit ka marrë vendimin për t’i ndërprerë energjinë çdo borxhliu. Sipas një njoftimi zyrtar, kompania private “Çez” bën të ditur se borxhi arrin në vlerën e 27 miliardë lekëve, ndaj ajo ka ndërmarrë një projekt për vjeljen e tij në të gjithë vendin. Si fillim, do të njoftohet çdo subjekt për borxhin që ka, më pas atij do t’i ndërpritet energjia në rast se nuk e paguan atë, por do të ketë edhe denoncime në prokurori, në rast se do të ketë lidhje të energjisë në rrugë të paligjshme. Për këtë janë ngritur grupe të veçanta të cilët po bëjnë prerjen e debitorëve. Ky projekt do të vazhdojë të operojë në tërë vendin derisa niveli i borxheve të kompanisë të arrijë tek kufijtë e përcaktuar. Vlerën më të lartë të borxhit e mban qyteti i Tiranës me 10 miliardë lekë, më pas vjen Durrësi me 4 miliardë, i pasuar nga Shkodra dhe Fieri me nga 3 miliardë lekë secili. Sipas burimeve nga OSSH-ja e Shkodrës mësohet se vetëm për periudhën janar 2007 - nëntor 2009 borxhi i rajonit të Shkodrës (ku bëjnë pjesë rrethet e Shkodrës, Lezhës, Pukës dhe të Malësisë së Madhe) arrin në nivelin e 3.2 miliardë lekëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›