E Diel, 1 Nëntor 2026

Task Forca për Reformën Rregullatore vendosi për thjeshtimin dhe reduktimin e kohës, kostos dhe procedurave në marrëdhëniet shtet – biznes për të thelluar përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri

Kryeministri Berisha thirri një mbledhje të zgjeruar të Task Forcës së Reformës Rregullatore, ku merrnin pjesë si të ftuar edhe përfaqësues të shumë institucioneve, për të analizuar, diskutuar dhe vendosur mbi thellimin e mëtejshëm të reformave për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Merrnin pjesë dhe përfaqësues të Bankës Botërore, IFC, që kanë dhënë e japin një ndihmë të çmuara në konceptimin dhe zbatimin e kësaj reforme madhore.

Kryeministri Berisha u shpreh se përmirësimi i klimës së biznesit ka qenë dhe është një nga objektivat më madhorë të kësaj qeverisjeje, që konsideron sektorin privat, biznesin, një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Rezultat i kësaj politike ka qenë rritja e numrit të bizneseve, përthithja e katër miliardë investime të huaja në 6 vjet, rritja ekonomike dhe rënia e papunësisë, trefishimi i eksporteve, etj.

Ministria e Ekonomisë, vijoi Kryeministri, ka bërë një studim të hollësishëm të të gjithë problematikës së klimës së biznesit dhe masave që duhet të merren për të vendosur një seri standardesh të reja në të gjitha fushat. “Gjithnjë e më shumë po rritet interesi i investitorëve vendas e të huaj për të investuar në këtë vend. Gjithnjë e më shumë bëhet e domosdoshme që burokracia shqiptare t’i shërbejë biznesit sa më mirë, të bëjë gjithçka për të lehtësuar barrën burokratike ndaj tyre”, u shpreh Kryeministri.

Vendosmëria për të vazhduar e thelluar reformat u konkretizua me detyra e hapa konkretë, për t’u ndërmarrë e realizuar në afat kohor prej një muaji, në shumë drejtime të reformës rregullatore si; koha që shpenzohet në marrëdhëniet shtet - biznes, kostoja e këtyre proceseve, numri i hapave dhe procedurave, etj.

Disa nga lehtësitë e tjera që i ofrohen së shpejti biznesit kanë të bëjnë me:

- Numri i procedurave të regjistrimit të biznesit do të reduktohet nga 5 që janë sot në vetëm 2 dhe kostoja e regjistrimit ulet në vetëm 100 leke, nga rreth 112 lekë që ka qenë.

- Për sa u përket lejeve të ndërtimit, Tirana, e cila deri vjet klasifikohej ne vendin e fundit në rajon dhe në botë do të lehtësojë biznesin e ndërtimit duke reduktuar numrin e procedurave dhe kohën për të marrë një leje ndërtimi. Konkretisht numri i procedurave reduktohet nga 24 që janë sot në 5 dhe dhe kohëzgjatja për të marrë një leje ndërtimi do të ulet në mënyrë drastike nga plot 436 ditë që duhen sot në 35 ditë. Kjo e bën të krahasueshme Tiranën me SHBA ku duhen 40 dite.

- Për furnizimin me energji, numri i procedurave reduktohet në 4, nga 6 që është sot, numri i ditëve nga 177 që është sot ulet në vetëm 45 ditë ndërsa kostoja reduktohet afro 3 herë.

- Për regjistrimin e pronësisë, numri i procedurave përgjysmohet - pra nga 6 që janë sot bëhen 3, ndërsa numri i ditëve të duhura për këtë proces reduktohet me 3 herë, pra nga 33 ditë që është sot bëhet 13.

- Për pagesat e taksave do të ulet kontributi i punëdhënësit nëpërmjet heqjes së pagës së referencës; dhe thjeshtimit dhe shkurtimit të kohës, kostove dhe procedurave nëpërmjet veprimeve që do të kryhen online.

- Për tregtinë e jashtme, dokumentet për eksport do të reduktohen me më shumë se gjysma , nga 7 që janë sot, në vetëm 3 dokumente ndërsa dokumentet për import reduktohen nga 8 që janë sot në 4. Koha e nevojshme për eksportim do reduktohet me 5 herë, nga 19 ditë që janë sot në 4 dite ndërsa koha për import do të reduktohet me 6 herë, nga 18 ditë në vetëm 3 ditë.

Po ashtu, përmirësime të ndjeshme do të bëhen në lidhje me zbatimin e kontratave, zgjidhjen e paaftësisë paguese, (falimentimin), marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorit, etj.

Këto hapa që po zbatohen me shpejtësi, do të shoqërohen dhe me përshtatje ligjore dhe synojnë arritjen e objektivit madhor të kësaj qeverisjeje: rritjen e besimit dhe sigurisë së investitorëve, si dhe nxitjen e tyre të zgjedhin Shqipërinë si vendin më të mirë për të bërë biznes.

Kryeministri përcaktoi një grafik ditor raportimi dhe ndjekjeje operative të këtyre hapave të Reformës.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Task Force e Reformës Rregullatore mblidhet sot për klimën e biznesit. Me një përpjekje serioze, Shqipëria ia doli të arrijë disa standarde që e rendisin atë në 10 vendet e para, për sa i përket regjistrimit të biznesit, ndërhyrjes së qeverisë në biznes. Shqipëria ndodhet në vende të lakmueshme në garantimin e investimeve, në harmonizimin e treguesit paga - produktivitet. Është fakt që 3 vitet e fundit, investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me 316 për qind. Fakt i pamohueshëm është se numri i bizneseve në tërësinë e vet pothuajse është trefishuar. Por, përmirësimi i klimës së biznesit është dhe mbetet një objektiv ndër më madhorët dhe më të rëndësishmit për qeverinë. Evropën dhe botën i ka pllakosur një krizë e paprecedentë që nga vitet 30 të shekullit që shkoi. Kjo krizë, e cila nisi me flluskat e derivateve, tani është shndërruar në një krizë multi dimensionale. Një aspekt i saj janë borxhet publike dhe pasojat e tyre, por thellë në vetvete, bazë ka globalizimin dhe efektet e tij. Nuk ka as edhe një shteg apo rrugë tjetër për t’u përballur me këtë krizë përveçse rritjes së kompetitivitetit, bërjen e ekonomisë shqiptare gjithnjë e më kompetitive, detyrë kjo e vështirë, por plotësisht e mundshme për t’u realizuar.

Sot ne merremi kryekëput me klimën e biznesit, me shqyrtimin e të gjitha shtyllave që në tërësinë e tyre përbëjnë kushtet për një klimë miqësore ndaj biznesit. Problemet e evidentuara ndër më seriozet kanë qenë të lidhura me lejet e ndërtimit, në të cilën Shqipëria qëndronte në krye të piramidës burokratike të botës, me një afat për marrjen e tyre prej 399 ditësh. Imagjinoni ju se çfarë mesazhi merrte një investitor kur lexonte se për të marrë një leje ndërtimi në Shqipëri duheshin 399 ditë. Këtu ishte fjala për Tiranën, sepse në Vlorë, Shkodër, merreshin me të njëjtin standard si në Paris e Londër, sipas BB-së, ndërsa në Tiranë, që ishte dhe qyteti më përfaqësues, ky afat ishte 399, ndërkohë që ka vende që e kanë 20-30 ditë.

Ndër problemet e tjera madhore është procesi i mundimshëm për t’u lidhur me energjinë elektrike, ku për këtë proces duheshin 145 ditë, plus me 520 për qind si çmim të të ardhurave për frymë. Gjithashtu, janë larg standardeve procedurat e tregtisë së jashtme, eksporteve. Pra, edhe atyre u krijohen mundime nga burokracia e kësaj administrate.

Kërkohen dokumente që edhe mund të shmangen. Ju jeni dëshmitarë që në mbledhjen e kaluar ne u ndalëm dhe diskutuam së bashku për “One Stop Shop” për energjinë dhe, nga 22 procedura burokratike, ne arritëm t’i thjeshtojmë ato në 12. Ministria e Ekonomisë ka bërë një studim të hollësishëm të të gjithë problematikës së klimës së biznesit dhe masave që duhet të marrim për të vendosur një seri standardesh të reja në të gjitha fushat. Unë dua të përgëzoj Bashkinë e Tiranës, e cila i dha përgjigje 2 javë më parë çështjeve të lejeve të ndërtimit. Kjo është një çështje themelore, në biznes, duke reduktuar afatin ne 50 ditë, me zotimin që do ta zbresin në 40 ditë. Le t’u referohemi lejeve të ndërtimit në Singapor, në Zelandën e Re. Ne duhet të frymëzohemi nga shembujt më të arrirë, nga praktikat më pak burokratike dhe më transparente. Ndaj unë përgëzoj afatin 50 ditor, por absolutisht, do të përgëzoja dyfish afatin 30 ditor. Nuk duhet të kënaqemi asnjëherë me standardin e arritur, por të shohim se si ta përmirësojmë më tej.

Z. Bozo do të bëjë këtu një ekspoze të situatës reale në të 11 drejtimet kryesore të klimës së biznesit dhe do të paraqesë ndërhyrjet e domosdoshme në afatin kohor më të shkurtër, në mënyrë që vendi të ketë një përmirësim substancial të klimës së bizneseve. Gjithnjë e më shumë po rritet interesi i investitorëve vendas e të huaj për të investuar në këtë vend. Gjithnjë e më shumë bëhet e domosdoshme që burokracia shqiptare t’u shërbejë atyre sa më mirë, të bëjë gjithçka për të lehtësuar barrën burokratike ndaj tyre”.


17/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›