Kryeministri Berisha: 20 vjet pas fitores së parë, nderim dhe përgjegjësi për besimin që shqiptarët i japin PD
Kryeministri Berisha përshëndeti sot, të gjithë shqiptarët, me rastin e 20 vjetorit të fitores së parë të Partisë Demokratike, në zgjedhjet e 22 mars të vitit 1992, një vit pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri.
Kryeministri iu drejtua qytetarëve shqiptarëve me ftesën për të festuar këtë ditë që shënon “përmbysjen me votën e lirë të regjimit më të egër, më çnjerëzor e barbar që kombi shqiptar njohu në tërë historinë e tij”, në hapje të takimit me kryetarët e PD-së në rrethe dhe deputetë, në selinë e Partisë Demokratike, për të diskutuar mbi organizimin e aktiviteteve festive në 22 mars, në orën 12.00.
Fjala e Kryeministri Berisha në këtë takim:
Së pari, përshëndes të gjithë anëtarët, simpatizantët e mbështetësit e Partisë Demokratike dhe qytetarët e këtij vendi. Ky takim nuk do mund të kishte temë tjetër më të rëndësishme se 22 marsi, që këtë vit shënon 20 vjetorin e përmbysjes në Shqipëri, me votën e lirë të qytetarëve të saj, të regjimit më të egër, më çnjerëzor e barbar që kombi shqiptar njohu në tërë historinë e tij.
Ky 20 vjetor është i një rëndësie të veçantë, sepse e festojmë në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Asgjë nuk ka ndikuar më shumë, nga koha e pavarësisë deri më sot, në fatin e shqiptarëve, në jetën, dinjitetin e qenien e tyre, sesa përmbysja e diktaturës komuniste dhe fakti që sot e festojmë të lirë. Nuk do të ndalem të flas për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, por ajo ndau për shqiptarët epokën dhe regjimin e sistemit socialist të skllavërimit të njeriut, të shtetëzimit dhe bunkerizimit të tij e të vendit, me sistemin e lirisë e vlerave të përjetshme të qytetërimit perëndimor.
Këto zhvillime, shqiptarët ia besuan 20 vjet më parë, Partisë Demokratike. Ata ishin masivisht faktor përcaktues të një ndryshimi epokal dhe e vendosën besimin e tyre tek forca e re politike që kishte vetëm një vit e themeluar, tek programi i saj. Këtë besim, ata ia dhanë kësaj force politike në mënyrë të përsëritur. Fakti që ky 20 vjetor e gjen Partinë Demokratike në pushtet përbën jo vetëm nderimin më të madh, besimin më të madh, por gjithashtu edhe detyrime e përgjegjësi më të mëdha e më të larta.
Në këtë kontekst, data 22 mars është ditë pushimi, por ne do ta shndërrojmë atë në ditën e festës më të bukur. Ndaj jeni thirrur këtu për t’u angazhuar me të gjithë potencialet e seksioneve, degëve e nëndegëve të partisë, që Tirana të përjetojë atë ditë festën më të bukur në historinë e saj, që nga 22 marsi i vitit 1992. Dhe këtë do ta bëjmë në një nderim të madh për të gjithë ata burra e gra, vajza e djem që firmosën në 22 mars të vitit ’92, pranverën e parë të demokracisë në historinë e shqiptarëve, do ta bëjmë këtë në nderimin më të madh të përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarëve në këto 20 vite, përpjekje, me të cilat ata kanë realizuar në të njëjtën periudhë kohore, më shumë se çdo komb tjetër. Asnjë komb, në historinë e zhvillimit, nuk ka realizuar në 20 vite, aq sa kanë realizuar shqiptarët. Dëshmi kjo e energjive të mëdha që ata kanë si njerëz të lirë. Ndaj do ta bëjmë këtë festë në nderim të arritjeve të mëdha të këtij vendi.
Shqipëria feston 20 vjetorin e vendosjes së sistemit demokratik, e fitores së demokracisë si një vend anëtar i NATO-s, sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën. Me gjithë problemet, sakrificat e dhimbjet e këtyre 20 viteve, këto janë vite, në të cilat shqiptarët ngjitën me shpejtësinë më të madhe se çdo komb tjetër, shkallët e zhvillimit. Këto janë vite, në të cilat në Shqipëri u krijua një klasë e mesme dhe kjo përben në nga arritjet më të mëdha në historinë e vendit, përbën garancinë më themelore të stabilitetit të demokracisë. Është kjo klasë e mesme, e cila nga mëngjesi në darkë krijon dhe është gardiane e vlerave të krijuara; është kjo klasë e mesme, e cila në të gjitha kohërat ka qenë promotore kryesore e ndërtimit të sistemit të bazuar në vlera; është kjo klasë e mesme, e cila nuk pranon nga askush aventura. Kjo klasë është e një spektri të gjerë politik, por krijimi i saj përbën garancinë më madhore të stabilitetit të demokracisë shqiptare dhe konsolidimit të tij.
Shqiptarët kanë ecur më shpejt se kushdo tjetër, sepse në 20 vjet, ata kanë rritur të ardhurat për frymë së paku me 35 herë, sepse në 20 vjet dhe veçanërisht 10 vitet e fundit, ata ndërtuan në këtë vend shtëpi për veten e tyre, më shumë se çdo komb tjetër europian, në 30 vite të marra së bashku, përveç një kombi. Në këtë garë të lirisë, të dertimit të prosperitetit dhe të ardhmes, shqiptarët u shkëputën nga njëri prej 2-3 vendeve më të varfra të botës dhe sot janë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. 20 vitet janë dëshmia më e shkëlqyer e vullnetit të hekurt, e gjenisë krijuese të qytetarëve shqiptarë për të investuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre europiane. E ardhme, e cila parakupton standardet më të mira të lirisë, jetesës e sigurisë së qytetarëve shqiptarë.
Ne duam që kjo festë të jetë festë për të gjithë. Ndaj me këtë rast do të ftoja të gjithë qytetarët shqiptarët ta festojmë së bashku këtë 20 vjetor, si dita që çeli dyert e të ardhmes sonë. Por do të doja që kjo festë të ishte para së gjithash, festë e të rinjve shqiptarë, festë e 20 vjeçarëve shqiptarë, e brezit më të lumtur në historinë e këtij vendi, i cili nuk jetoi qoftë edhe një orë të vetme diktaturën që përjetuan shqiptarët. Ndaj i ftoj të gjithë këtë manifestim të bukur dhe koncertin që do të organizohet ditën e enjte, në orën 12.00, ndonëse festa do të vazhdojë deri në darkë dhe një pjesë të skenarit së bashku me fishekzjarrët do t’i shpalosim në darkë.
22 marsi është festa e të gjithë shqiptarëve, është dita në të cilën shqiptarët, më shumë se kurrë, votuan një forcë politike dhe i ripërtërinë besimin asaj force politike, më shumë se çdo force tjetër në Europën ish komuniste. Ky është realiteti i Partisë Demokratike. Ndaj 22 marsin, ne do ta caktojmë si ditën, me të cilën do të nisim një seri të re anëtarësimesh në Partinë Demokratike, seri e cila do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë, deri një muaj para zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013. Me këtë do të synojmë të ftojmë që të bashkohen me ne, energjitë më të mira të komunitetit dhe shoqërisë. Kjo gjë është jetike, në sensin që 20 vitet që kaluan ishin vite të përpjekjeve të mëdha dhe 20 vitet që vijnë kanë nevojë për një energji të re, të gjithanshme, kanë nevojë për kontribute të reja në çdo seksion, në çdo degë e nëndegë.
Ne jemi sot, këtu, si forcë në qeverisje, si forcë e fitores, para së gjithash, sepse në mënyrë konstante kemi qenë një parti e hapur, një parti tek e cila kanë mbështetur besimin dhe projektin e tyre politik, çdo vit, mijëra e mijëra qytetarë e qytetare, të rinj e të reja. Ata e kanë përqafuar si program të tyre, programin e kësaj force politike, e cila udhëhoqi vendin në anëtarësimin e tij në NATO, në reformat e gjithanshme që bënë të mundur heqjen e vizave, që bënë të mundur që ekonomia shqiptare, në periudhën më të stuhishme për ekonominë rajonale, europiane dhe botërore, të dëshmohet një ekonomi e qëndrueshme. Ajo udhëhoqi vendin në një kohë kur në mbarë Europën u shkurtuan në mënyrë të ndjeshme rrogat, pensionet, mbështetja ekonomike dhe u rrit ndjeshëm papunësia. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri. Rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë objektivi më fisnik, më njerëzor, i kësaj qeverie. Rroga mesatare që ishte rreth 220 dollarë, arriti në 520 dollarë. Pak kohë më parë, po lexoja një studim, i cili dëshmonte se edhe diferencën e madhe gjinore që ekzistonte në të ardhura në paga, e cila në shkallë vendi kalonte në 37 për qind, ne e kemi zbritur në vitin 2008, në 18 për qind. Unë ju garantoj se do të jetë akoma më e ulët.
Zonja e zotërinj,
Asgjë nuk ka më përcaktuese, sesa vendimet e qeverisjes për ecurinë e të gjitha degëve të zhvillimit. Janë vendimet tona të drejta, reformat tona të thella, ato që mbajtën ekonominë shqiptare. Është përcaktimi ynë për të luftuar, jo me fjalë, por me vendime, me reforma, pabarazinë gjinore, duke e njohur atë si një deformim të papranueshëm për shoqërinë. Por, në një hark kohor të shkurtër, ne kemi arritur dhe do të arrijmë edhe më shumë.
Janë vendimet dhe reformat e kësaj qeverie që bënë që Shqipëria, e cila në vitin 2005 kishte 12 studentë për 1 mijë banorë, sot të ketë 49 studentë për 1 mijë banorë, duke tejkaluar mesataren evropiane që është 43 studentë për 1 mijë banorë.
Janë këto reforma dhe këto qëndrime që po konturojnë çdo ditë e më shumë një sistem mjekësor me teknologjitë më moderne, me shërbimet më të mira.
Sot, krahasuar me 20 vite më parë, qytetarët e këtij vendi, të rejat e të rinjtë, kanë 20 herë më shumë motive për t’u bashkuar me ne. Le të kthehemi 20 vite më parë. Të shumtë ishin ata që besonin se Shqipëria do të bëhej, por të panumërt ishin dhe ata që nuk besonin se Shqipëria mund të bëhej. E vërteta është se ajo kohe ishte hamletiane. Po t’i rikthehemi eksodeve të paimagjinueshme, ato ishin rezultat i përgjigjes se Shqipëria nuk do të mund të bëhej. Nuk është se ata nuk kishin mall për Shqipërinë, por ishin të mbytur nga dëshpërimi. Në këto 20 vite, u faktua se Shqipëria mund të bëhej, me vendosmërinë dhe shpejtësinë më të madhe, mund të bëhet duke konsoliduar gjithnjë e më shumë ligjin, domethënë liritë e qytetarëve shqiptarë.
Ndaj le të trokasim në çdo zemër të qytetarëve shqiptarë, t’u ofrojmë ftesën tonë, vlerësimin tonë të madh, dëshirën tonë për të pasur energjinë e tyre, kontributin e mendjen e tyre. Nuk mund të zgjidhnim ditë më të bukur dhe nuk mund të gjenim moment më të goditur historik, sesa kjo ditë, për të lançuar projektin tonë të afrimit të shqiptarëve, të anëtarësimit të tyre në PD.
Me vlerësimin më të madh për kontributin që ata japin dhe do të japin në shndërrimin në realitet të projektit të Shqipërisë europiane, të kësaj force politike, unë kam besim të madh se ne do të jemi në lartësinë e kësaj detyre, se do të justifikojmë plotësisht besimin, dëshirën, vullnetin e të rinjve dhe të rejave, e qytetarëve të çdo moshe, për t’i bashkuar me PD-në dhe për të ecur të sigurt drejt një fitoreje të shkëlqyer. Qershori që vjen do të përsërisë 22 marsin e vitit ‘92.
16/03/2012