Fjala e Kryeministrit Berisha në interpelancë në Kuvend
Zonja kryetare,
Zotërinj deputetë,
Për konceptin tim e të qeverisë sime, korrupsioni për një shoqëri të lirë përbën nënën e të gjitha të këqijave, me të cilat mund të përballet kjo shoqëri, përbën atë që quhet matter matrix. Sikundër lufta kundër tij është beteja më jetike për suksesin e të gjitha reformave. Në këtë kontekst, që në programin e saj të parë qeveritar gjer më sot, qeveria që unë drejtoj ka mbajtur e mban në epiqendër të të gjitha përpjekjeve, lutën kundër korrupsionit, cili nuk mund të çrrënjoset kurrë, por, siç fakton rasti i Shqipërisë, mund të luftohet me efiçencë e sukses të pamohueshëm. Le t’u referohemi fakteve dhe raporteve ndërkombëtare. Në raportin e Bankës Botërore i vitit 2004 deklarohet se nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, në taksa e dogana, avullonin, zhdukeshin në kontot e zyrtarëve dhe evazorëve mbi 1.4 miliardë dollarë, në vit. Le t’u referohemi sërish fakteve. Raporti për investimet e huaja i institucioneve financiare prestigjioze faktojnë se Shqipëria kishte marrë në mesataren e saj, në 8 vite, 38 milionë dollarë investime të huaja, kundrejt 72 milionëve që kishte marrë Maqedonia, një vend që kishte kaluar edhe nëpër një konflikt të caktuar. Faktet dëshmojnë gjithashtu se në Shqipëri, 75 përqind e të gjitha prokurimeve ishin prokurime direkte. Le t’u referohemi edhe një herë fakteve. Në 8 vite, as edhe një i dënuar nga drejtësia shqiptare, për veprën e korrupsionit.
Kjo ishte pra, situata, kur ne erdhëm në pushtet dhe e shndërruam këtë, në kalë kryesor beteje. Për të luftuar korrupsionin, në Shqipëri e në botë, ka dy drejtime themelore: Reformat e gjithanshme, gjithëpërfshirëse, të cilat kanë synim vendimtar rritjen e plotë të transparencës dhe së dyti, penalizimi i korrupsionit. Në këtë kontekst, pas krijimit të Task Force të luftës kundër korrupsionit filloi të zbatohej një program ambicioz, ndër më radikalët në historinë e një vendi. Program që konsistoi: Së pari, në zvogëlimin në maksimumin e mundshëm të administratës shtetërore, e cila, sipas raportit të Komisionit Europian, u zvogëlua me 33 përqind. Së dyti, ndonëse kishim një pararendje të tillë, ne vendosëm parimin: Korrupsionin do ta luftojnë duke nisur nga vetja, duke nisur nga zyrat tona. Me vendosjen e kritereve të reja në përdorimin e shpenzimeve operative, u bë e mundur që ato të zbrisnin nga 3.2 përqind e Prodhimit të Brendshëm në 1.8, çka do të thotë se çdo vit kursehet rreth 100 milionë euro vetëm nga shpenzimet e administratës, para që zhdukeshin për qoka, pritje, telefonata kilometrike, dieta të paqena etj.. Gjithashtu, me një vendim të veçantë u ndaluan të gjitha prokurimet publike direkte; u vazhduan përpjekjet për reforma; u amendua ligji i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të luftuar konfliktin e interesit; u amendua ligji për organizimin e drejtësisë; u miratua ligji i ri i prokurorisë dhe u hoq imuniteti për prokurorët; u soll në parlament ligji për heqjen e të gjitha imuniteteve, por që nga viti 2005 e deri më sot nuk është votuar nga ju. Uroj që të jeni bindur se nuk ka opozitë në botë që të dalë e të mbrojë qeverinë me imunitet. Ju jeni unikë! Pavarësisht nga mëkatet e shkuara, nuk ka diskutim që paratë i ka qeveria, problem është korrupsioni i administratës, por që opozita të mos votojë heqjen e imunitetit për të mbrojtur dinjitarët, zyrtarët e gjykatësit me imunitet, unë besoj se në historinë e partisë suaj, kjo do të vlerësohet si qëndrimi më bizar që mund të mbahet. Më së fundi keni rënë dakord dhe ju them se cilindo variant që të dëshironi, me ndryshim të Kushtetutës apo me ligj organik, kjo qeveria do ta votojë.
Një seri aktesh të tjera u ndërmorën për të zbatuar vendimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilat ishin inekzistente, të pazbatuara në masën 74 përqind.
[Ndërhyrje nga deputetë në sallë] Të vërtetat nuk duhet t’ju lëndojnë zotërinj deputetë! Më kërkuat në interpelancë dhe kam ardhur në kohë rekord. Dje e dorëzuat kërkesën, sot, erdha në parlament për t’ju dhënë juve llogari.
Po ashtu u kalua ligji i informantëve për korrupsionin. Janë me dhjetëra, të nderuar zotërinj, qytetarët shqiptarë që janë shpërblyer në përputhje me këtë ligj, i cili ka pasur një rëndësi kryesore dhe sërish funksion në mënyrë të shkëlqyer në denoncimin e korrupsionit nga qytetarët. Kjo jo sepse qytetari e bën pikë së pari për të pasur një vlerë monetare në xhepin e tij, por se ky ligj inkurajon dhe shpreh mirënjohjen e shoqërisë ndaj secilit prej atyre, që e denoncojnë atë.
Një reformë ndër më uniket në Europë u bë me transportin publik të funksionarëve. Nga 3100 makina zyrtare që secila i kushtonte këtij vendi, në karburant e pjesë këmbimi, 19 mijë dollarë në vit, sot janë 36-37 të tilla. Kjo reformë e rendit Shqipërinë ndër vendet më transparente në këtë fushë.
Po ashtu, u kalua ligjin për prokurimet elektronike dhe u instalua sistemi i prokurimeve elektronike, që e bëri Shqipërinë vendin e parë në botë me prokurime 100 përqind elektronike. Si rezultat i kësaj, në qoftë se para vendosjes së këtij sistemi, në garën totale vjetore merrnin pjesë gjithsej 8500 kompani, pas vendosjes së tij, në garën totale vjetore merrnin pjesë 56 mijë kompani dhe të gjitha këto sollën reduktimin e çmimit të kostos së përgjithshme me 27 përqind.
A ju kujtohen zotërinj, provimet për pranimet në universitete që jepeshin në stadiume dhe që ishin shndërruar në panairin më të shëmtuar të korrupsionit? Më thoni kush nga ju ka dëgjuar qoftë edhe një njeri të thotë se ky i ri apo ajo e re është ulur në bankat e universiteteve, mbi bazën e një pagese apo miku dhe nuk janë një e dy, por rreth 40 mijë studentë, në vit. Po certifikatat, për marrjen e së cilës duhej të paguaje 50 lekë, a ju kujtohen? Sot e merrni automatikisht në zyrën e gjendjes civile. A nuk është kjo pjesë e luftës kundër korrupsionit?! Po ashtu regjistrimi i biznesit. Mund të pyesni miqtë tuaj se me ç’tagër i regjistronin bizneset para vitit 2007, kur u duhej të paguanin 4 mijë euro dhe këto bakshishe. Sot paguajnë vetëm një euro. Ndërsa licencat i kishit shndërruar si indulgjencat e dikurshme, të cilat jua merrnit sa herë donit vetëm për të mbushur xhepat dhe kjo ishte një gjobë e tmerrshme mbi shqiptarët. Kjo qeveri i shndërroi 2/3 e tyre në vetëdeklarime dhe për 1/3, me ndihmën e USAID-it ngriti Qendrën Kombëtare të Licencave dhe Lejeve. Studimi që ka bërë vetë USAID-i tregon në mënyrë të kristaltë se 97 përqind e aplikantëve janë të lumtur dhe shumë të lumtur me këtë Qendër dhe nuk besoj se ata tregohen hipokritë dhe deklarojnë se kur japin ryshfet, janë të lumtur e shumë të lumtur.
Tetë vite në pushtet nuk dhatë një koncesion. Me ligjin e ri të koncesioneve, një nga ligjet më transparente në Europë, u realizuan në një njësi kohe 320 koncesione për hidrocentrale dhe kanë filluar procedurat përfundimtare për ndërtimin më të madh në Europë, një investim prej 1 miliardë euro, në kaskadën e Devollit, për të mos përmendur kaskada të tjera, nga lumenjtë e Alpeve deri në Vjosë.
Po ashtu ka edhe një seri masash të tjera, por a mund të përballet korrupsioni vetëm me reforma? Jo, është iluzion! Korrupsioni përballet me reforma dhe penalizim. Lexoni Transparency International ç’thotë për Task Force-n e krijuar nga kjo qeveri, në bashkëpunim me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është në nderin e tyre kapitulli i suksesit që ajo Task Force synoi dhe në turpin e atyre që rrënuan këtë Task Force, duke hequr njerëz me integritet dhe duke i zëvendësuar me pezakët e tyre, duke ju imponuar dorëheqjen atyre, vetëm e vetëm se donin të bënin ligjin, për t’i zëvendësuar me farefisin e tyre dhe për të rrjepur mbi dosjet e krimit. Por koha nuk funksionon për këta, por për ata burra e gra që janë të vendosur ta luftojnë korrupsionin. Koha funksionon për atë qeveri që është e vendosur për t’i dhënë përgjigje korrupsionit dhe jo për ata që i përdorin instrumentet shtetërorë, për të grabitur prona, toka si lukuni.
Nga kjo periudhë që thoni ju zotërinj janë të penalizuar mbi 380 zyrtarë dhe unë dua të shtroj një pyetje: Cili ishte kontributi juaj si opozitë nga viti 2005 e deri më sot, në luftën kudër korrupsionit? Këtë pyetje jua bëj me seriozitetin më absolut dhe ju ftoj të merrnin rolin tuaj. Në qoftë se thoni se e keni kryer, po më ndihmoni, nuk keni kryer asgjë! Merrni funksionet tuaja! Çfarë bëtë ju, gjithë këto vite, për luftën kundër korrupsionit? Bllokuat imunitetin. Çfarë bëtë ju gjithë këto vite për luftën kundër korrupsionit? Politizuat në çdo moment, luftën kundër korrupsionit, përdorët të gjitha levat. Edhe para dy javësh, ju sollët ligjin për penalitet kolektiv, vetëm e vetëm që sollakët tuaj, të tmerruar nga aktet që kanë bërë, të ndjehen të sigurt për aktet e shëmtuara të tyre.
Sigurisht ka korrupsion, por ka korrupsion dhjetëra herë më pak se sa kishte.
Ne privatizuam dhe do privatizojmë të gjitha sipërmarrjet, sepse korporatat, për definicion, ishin trupa gjigande korrupsioni.
[Ndërhyrje nga deputetë në sallë] Nuk e dini që e keni koleg e superstar në Partinë Socialiste, njërin që mallkastriotët thonë se i drejtonte trenat me naftë. Sigurisht që do privatizonim, sepse korrupsionin nuk e marrim me ngjyra. Korrupsioni është në genet e babëzisë së njeriut. Njeriu duhet të disiplinohet, të ketë sensin e ligjit, të përgjegjësisë e të detyrës. Unë nuk e kam parë të drejtonte trenin, por të tjerët thonë se bëhej edhe si trenist, aq sa tani nuk shkon dot atje. Gojët flasin!
Rezultatet janë spektakolare, megjithëse ka korrupsion. Dhe rezultatet janë: 7.2 miliardë dollarë të ardhura më shumë. Ju ftoj të shkoni e të shihni të ardhurat. Kanë qenë 122 miliardë, janë rreth 380 miliardë. Sot, të gjitha korporatat e mëdha janë privatizuar. Ku është korrupsioni në Telekom apo në të tjera? Janë të gjitha në duart e privatit. Jo se sektori privat nuk ka korrupsion, por ata që jetojnë me paratë e taksapaguesve, janë dy herë më faqezinj, kur i shpërdorojnë ato. Nuk është se sektori privat nuk ka korrupsion, por korrupsioni në sektorin publik është 5 herë më i rrezikshëm e i dëmshëm. Kur erdhëm në pushtet, ne gjetëm 70 tarifa, 5 eurosh, 15 eurosh, 30 eurosh etj. dhe i hoqëm të gjitha, vetëm e vetëm për të mos vjelë e për të mos mjelë.
Korrupsioni luftohet me reforma dhe rezultatet e të gjitha këtyre janë një vend krejt tjetër: Janë mbi 9 mijë kilometra rrugë të asfaltuara në të katër anët e këtij vendi; mbi 97-98 përqind e shqiptarëve marrin ujë rubineti; rritje të pagave e pensioneve, më e madhe në përqindje se çdo vend tjetër, me 120 përqind; një Shqipëri në quantum leap përsa i përket zhvillimit të saj; një vend që la mbrapa gjatë këtyre viteve, 5 kombe anëtare të OECD-së dhe BE-në, në banesa për një mijë banorë; trefishim i numrit të studentëve në universitetet e vendit; ndërtim e rindërtim i 1200 shkollave; energji 24 orë në 24; një sistem spitalor modern, me aparaturat e fjalës së fundit.
Unë nuk them se nuk ka korrupsion, sepse, që në momentin që ai të mohohet, lufta kundër tij ka marrë goditjen më fatale. Nuk më keni dëgjuar e nuk do të më dëgjoni të marr shembuj poshtë e përpjetë. Ligji i artë i luftës kundër korrupsionit është të shohësh në oborrin tënd dhe meqenëse ju pëlqen të më quani mbret, unë po përdor këtë fjalë. Në fakt, ju pëlqen juve të më quani kështu, se unë vetë jam republikan.
[Ndërhyrje nga deputetë në sallë] Thoni si të doni, por tani, juve po ju udhëheq. Kur ai nuk ju frymëzon, një njeri duhet t’ju frymëzojë juve. Kjo është e vërteta!
15/03/2012