E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet me një ligjëratë “Konferencën e Liderëve” të Universitetit ‘’Ajdën’’ të Stambollit

15 mars 2012
Stamboll, Turqi

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar shqiptar, mori pjesë sot në Konferencën e Liderëve, të mbajtur në Universitetin “Ajdën” të Stambollit me ftesë të Kryetarit të Bordit Drejtues të Universitetit dhe njëkohësisht President i Unionit të Universiteteve Euroaziatike (EURAS), Dr. Mustafa Ajdën.

Presidenti Topi dhe delegacioni shqiptar, i shoqëruar nga Dr. Mustafa Ajdën zhvilloi paraprakisht një takim me anëtarët e Bordit Drejtues ku u njoh me historikun, strukturën dhe objektivat e Universitetit prestigjoz ‘’Ajdën’’ të Stambollit në të cilin shkollohen afro 15 mijë studentë, midis të cilëve edhe të rinj nga Shqipëria dhe Kosova. Me këtë rast, themeluesi, Kryetari i Bordit Drejtues të Universitetit dhe njëkohësisht Presidenti i Unionit të Universiteteve Euroaziatike (EURAS), Dr. Mustafa Ajdën i premtoi Presidentit Topi dhënien e dhjetë bursave studimore për studentë shqiptarë.
Më pas Presidenti Topi vizitoi disa prej Fakulteteve dhe Katedrave më të rëndësishme të Universitetit duke u njohur nga afër me veprimtarinë akademiko-shkecore e duke u përshëndentur me studentët dhe pedagogët.

‘’Konferenca e Liderëve’’ në të cilën ishte i pranishëm dhe ku përshëndeti edhe Kryenegociatori dhe Ministri turk i Bashkimit Evropian, Egemen Baësh, u hap nga Rektorja e Universitetit “Ajdën” të Stambollit, Prof. Dr. Jadigar İzmirli, e cila pasi përshëndeti veçanërisht praninë e Kryetarit të Shtetit shqiptar, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm të promovimit të vlerave universitare e standardeve arsimore akademike, prezantoi disa nga arritjet më të rëndësishme të Universitetit, që nga themelimi i tij e deri në ditët e sotme. Më tej, e mori fjalën Kryetari i Bordit Drejtues të Universitetit “Ajdën” të Stambollit, njëkohësisht dhe President i Unionit të Universiteteve Euroaziatike (EURAS), Mustafa Ajdën, i cili vuri në dukje se konferencave të tilla kontribuojnë në promovimin e vlerave shkencore, akademike, teknologjike, universitare e pedagogjike të Universiteteve të rajonit euroaziatik dhe u bëjnë “një shërbim i vyer jo vetëm ndaj shtetasve të tyre, por dhe në funksion të përmbushjes së misionit për zhvillim, për një shoqëri më të mirë e për më shumë solidaritet dhe paqe në botë”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi, në ligjëratën me temë: “Transformimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në 20 vitet e fundit në drejtim të zhvillimeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit në fushat arsimore dhe kulturore me Shqipërinë”, vuri në dukje “problemet dhe arritjet e transformimit demokratik të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit të Evropës Juglindore”. Në këtë aspekt, Presidenti Topi nënvizoi se “vende që deri dy dekada më parë jetonin në izolim politik dhe ekonomik, vende që vetëm një dekadë më parë iu dhanë fund luftërave etnike dhe nacionaliste, dhe që sot në pjesën më të madhe të tyre janë anëtare në NATO apo pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, - mbartin në vetvete simbolikën e ndryshimit historik, transformimit të jashtëzakonshëm, sidomos në aspektin politik dhe shoqëror”.

Duke vijuar në këtë temë dhe duke evidentuar faktin se për Shqipërinë dhe shqiptarët ka patur “një model të veçantë transformimesh”, Presidenti Topi u shpreh se “në dallim nga ish-Jugosllavia dhe vendet e tjera ballkanike Shqipëria ishte përjashtim: një vend tërësisht i izoluar, ku ndalohej me Kushtetutë shkëmbimi ekonomik me jashtë, besimi në Zot dhe lëvizja jashtë kufijve shtetërorë. Në fillim të proceseve demokratike, - theksoi më tej Kreu i Shtetit, - etja e madhe për ndryshim e reforma ndeshej me mungesën e projekteve të qarta, stafit të kualifikuar dhe modelit referues edhe në rajon”. Duke nënvizuar se “në gjithë kufijtë e saj tokësorë Shqipëria kufizohet nga qytetarë shqiptarë, pjesë administrative e zyrtare e shteteve të tjera fqinje”, Presidenti Topi u shpreh se “kjo përbën një faktor me rëndësi që e kushtëzon zhvillimin e përparimin e Shqipërisë edhe me evoluimin e gjendjes dhe modelit politik e shtetëror ku jetojnë edhe shqiptarët e tjerë, pra me kontekstin rajonal të transformimeve”. Duke shpjeguar më tej, Kryetari i Shtetit theksoi se luftërat ndëretnike në ish-Jugosllavi ishin një kërcënim për demokracinë në gjithë rajonin; ato u shoqëruan me humbje të mëdha për vetë vendet e përfshira, por edhe me embargo ekonomike për vendet fqinje, kufizim të pranisë së investimeve të huaja në Ballkan. ‘’E sotmja e vërteton më së miri këtë tezë” - vuri në dukje Presidenti Topi, duke vënë në dukje se “tani që nuk ka luftë, nuk ka më konflikte etnike dhe kur vendimmarrësit politikë në rajon kanë një agjendë të përbashkët integrimi euroatlantik, dalin edhe më në pah kapacitetet dhe hapësirat e mëdha për zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik”.

Duke e vënë theksin tek progresi i dukshme të Shqipërisë në dy dekadat e fundit, në politikën e brendshme dhe objektivat e saj në politikën e jashtme, me anëtarësimin në NATO dhe me aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Presidenti Topi vuri në pah se “Shqipëria ka raporte politike aktive, marrëdhënie ekonomike dhe klimë miqësore bashkëpunimi me të gjitha vendet ballkanike” dhe se “pavarësisht problemeve që shfaqen në procesin e konsolidimit politik, në tërësi kemi një ndryshim radikal pozitiv në rritjen e kulturës politike, pjesëmarrjes qytetare si dhe forcimit të shtetit të së drejtës dhe të institucioneve të pavarura kushtetuese”.

Gjithashtu, Presidenti Topi nxori në pah zhvillimet pozitive të vendeve të tjera të rajonit, duke u ndalur veçanërisht tek Kosova, e cila edhe pse është shteti më i ri në rajon, “ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në funksionimin e saj demokratik dhe kontributin në stabilitetin rajonal”, dhe se “Shqipëria krenohet me suksesin e Kosovës, dhe çmon me kënaqësi se pavarësia e saj e ka bërë rajonin më të sigurt dhe ritmet e zhvillimit më të mëdha”. Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit theksoi se “koha kërkon mendje të hapura, energji integruese, energji pozitive, - dhe distancim të qartë e të prerë institucional e shoqëror ndaj çdo projekti apo mendësie arkaike që kërkon të mbajë peng zhvillimet në ndonjë shtet apo zonë të rajonit”.

Në ligjëratën e tij, Kreu i Shtetit u ndal edhe në çështje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit midis fqinjëve, siç është arsimi dhe kultura, që aktualisht “ka një zgjim kulturor, interes të madh dhe një bilanc në rritje të shkëmbimeve akademike”, “dukuri investimi masiv familjar e shoqëror në drejtim të shanseve më të mira të arsimimit brenda dhe jashtë vendit”, duke përmendur në këtë drejtim përvojën e Unionit të Universiteteve Euroaziatike (EURAS), partneritetin e kësaj organizate edhe me universitetet shqiptare, si “një shembull pozitiv dhe që hap një fushë të re veprimi, me interes të madh në të ardhmen”.

Në fund të ligjëratës, Presidenti Topi, duke shprehur “interesin dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë aktive në nisma e projekte konkrete bashkëpunimi në të gjitha aspektet e bashkëpunimit kulturor e arsimor”, vlerësoi “frymën e veçantë të miqësisë historike dhe partneritetin strategjik me Turqinë, si një vend mik, me lidhje të forta historike dhe aktuale, një vend dhe një popull tek i cili kemi gjetur e gjejmë përherë një mik të madh e të sinqertë të popullit dhe të kombit shqiptar”.

Në përfundim të ‘’Konferencës së Liderëve’’ Presidenti Topi iu përgjigj disa pyetjeve të studentëve të pranishëm lidhur me zhvillimet në Shqipëri, qëndrueshmërinë në rajonin ballkanik dhe efektet e krizës ekonomike në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›