Taso e Vasili, ekspozitë e përbashkët në Korçë
"Piktura është më e fortë se unë". Me këtë përcaktim të Pikasos janë vendosur në galerinë e muzeut të shkronjave në Korçë, punimet e larmishme që mbajnë firmën e dy autorëve të njohur, Taso dhe Vasili. Magjiplotë piktura në stile dhe teknika të veçanta, madje me qasje drejt artit kontemporan nëpërmjet eksperimentimit, janë sjellë në ekspozitën e përbashkët të dy piktorëve pogradecarë që kanë zgjedhur Korçën për të paraqitur punimet e tyre më të reja. Mbi 40 piktura, vepra të autorëve Anastas Kostandini (Taso) piktor i merituar dhe Vangjo Vasilit kanë sjellë artin si argument për të fiksuar fenomenet e botës të para nga këndvështrimi i artistëve dhe të hedhura në telajo mes ngjyrave, stileve dhe teknikave të veçanta. Për Tason, piktura është si një magji me kreativitet provokativ. "Përmbajtja kryesore nuk është tema pasqyruese, por vetë piktura si një proces kimik, magji dhe kreativitet provokativ. I besoj përcaktimit të Pikasos se piktura është më e fortë se unë. Pas këtij principi kam sjellë për të parën herë 15 punime në formë eksperimentale që i përkasin tendencës së pikturës post natyre dhe ndriçohen prej eklipsit të një individualiteti periferik. Ato shprehin zhurmën groteske të kotësive të jetës në trajtë gamash apo dekoresh abstrakte", shprehet Anastas Konstandini. Artistët rrëfejnë se arti i tyre është një dialog, por edhe një eksperiment në stile të veçanta të palëvruara. Ndërsa për piktorin Vangjo Vasili, intimiteti simbolik i këtyre veprave do të kuptohet me mesazhet që përcillen nga vetë artdashësit, por edhe kolegët artistë. "Kam zgjedhur pikërisht Korçën për t‘i ekspozuar këto punime, duke vlerësuar edhe mendimin që do të japin intelektualë dhe artistë për këto vepra. Nuk kam një mesazh të caktuar, por vetë piktura është mesazhi që thyen te gjithsecili mendimet dhe perceptimin vizual, ndërsa argumentet janë të ndryshme dhe vijnë jo vetëm nga tematika lokale", thotë Vangjo Vasili. Për piktorë dhe artistë korçarë, peneli i dy piktorëve pogradecarë shënon arritje të reja në krijimtarinë e tyre. Artistët me një karrierë të gjatë dhe veprimtari të pasur në vite me dhjetëra ekspozita dhe vlerësime me çmime, edhe këtë herë janë vlerësuar për risitë që kanë sjellë nëpërmjet veprave të tyre