E Diel, 1 Nëntor 2026

KOALICION I MADH?

Këmbëngulja e disa ditëve më parë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që Shqipëria duhet të aplikojë për statusin e kandidatit të vendit anëtar të Bashkimit Evropian, e mbathur me argumentin se kjo duhej bërë për shkak të realizimeve të reformave që kishte bërë qeveria shqiptare, pavarësisht se si u përcoll dhe u diskutua për arsye elektorale, në të vërtetë nuk ishte një gjë e re. Këtu e një vit përpara ishte (çuditërisht) vetë shefi i ri i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili, pas një udhëtimi në Bruksel, ia këshillonte këtë ndërmarrje "kundërshtarit" të tij Berisha. Kjo kërkesë u përsërit edhe dy herë të tjera po nga Rama, pavarësisht se për nevoja fushatizmi dërgon përfaqësuesit e vet që të shprehin të kundërtën. Pa dashur të spekulojmë me arsyet e këtij propozimi (që janë përthyerje e suprrahjes që ai i bënte Berishës ditën e tragjedisë së Gërdecit dhe mohim i gjoja akuzës për keqqeverisje), këmbëngulja e ditëve të fundit e Presidentit dëshmon se "lidershipi" politik i Shqipërisë (Berisha, Rama dhe Topi), pavarësisht diferencave të pretenduara, pajtohet në analizë të fundit në pohimin direkt apo indirekt se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe se duhet ta bëjë këtë aplikim për të fituar statusin e kandidatit për në BE. Kjo këmbëngulje mund të gjykohet në disa mënyra, përfshirë edhe atë të papërgjegjshmërisë dhe të mashtrimit populist politik për gjasme-qytetarët e këtij Yrti të Shkretë të Ilirisë që quhet Shqipëri, por ajo që ngre pyetje është pikërisht këmbëngulja e shefit të opozitës. Nisur nga fakti se së paku qysh nga ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, dy partitë kryesore politike shqiptare janë në një mendje dhe bashkëpunojnë për shumë "reforma", shto këtu edhe faktin se "thashethemi" në lidhje me një koalicion të mundshëm postzgjedhor mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike nuk është mohuar nga asnjëra palë, natyrshëm lind nevoja për një analizë në lidhje me faktin se çdo të prodhojë ky koalicion "I madh" për zhvillimet e pritshme të vendit. Ǒdo t‘u sjellë zhvillimeve ekonomike? Sa produktiv ka për të qenë? Nga ç‘premisa niset? Si do të funksionojë pas kësaj pluripartitizmi dhe vetë demokracia? Si do të garantohet dhe nga kush mbrojtja e interesave të publikut?

Në të vërtetë, ideja e një bashkëpunimi mes asaj që vetëshpallet si e djathtë dhe asaj që për inerci vazhdon të thirret e majtë, nuk se është një ide e re ndër ne. Pavarësisht shfaqjes, zhvillimet e kohëpaskohshme kanë dëshmuar se një aleancë mes krahëve politikë, së paku në momente kyçe, ka funksionuar dhe jo një herë ka shmangur kriza që do të kishin qenë peshë e madhe për gjithkënd. Kështu ka ndodhur në prag zgjedhjesh të përgjithshme, në momentet e zgjedhjes së presidentëve etj. Edhe vetë Valentina Leskaj u krenua në një konferencë të para do ditëve se anëtarësimi i pritshëm i Shqipërisë në NATO u bë i mundur vetëm falë mirëkuptimit të opozitës (??!!). Nëse i shton këtij pretendimi edhe një sërë faktesh, siç është këmbëngulja e Ramës për një politikë përtej së majtës e së djathtës, kritikat e Berishës ndaj së djathtës ekstreme, apo qoftë edhe sulmi i koordinuar i të dy krahëve ndaj partive "problematike" siç janë LSI me të tjerat, spekulimi për këtë bashkëqeverisje të mundshme nuk duket se është më thjesht një spekulim.

Në të vërtetë, zhvillimet e këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve të pluralizmit kanë dëshmuar se realisht vendi ka nevojë për një marrëveshje, të paktën për konsolidimin e shtetit dhe përmirësimin e funksionimit të tij. Në këtë këndvështrim, nëse do të kemi të bëjmë me një bashkëqeverisje që niset nga këto kritere, pa asnjë dyshim që një periudhë e tillë bashkëqeverisjeje do të ishte e përshëndetur nga shumëkush. Thënë në mënyrë më të drejtpërdrejtë, kjo bashkëqeverisje do të ishte e mirëpritur nëse:

do të garantonte një administratë shtetërore solide, kualitative dhe profesionale, larg partizanllëkut dhe militantizmit që e ka degraduar atë në shkallën me të cilën ndeshemi përditë;

nëse do të krijonin së bashku një gardh ligjor kundër korrupsionit kaq shumë endemik në shoqërinë tonë;

do të zgjidhte përfundimisht problemin e pronësisë dhe të certifikimit të saj, thënë ndryshe të krijimit të një tregu efektiv të tokës dhe jo vetëm të tokës;

do të ndërtonin një drejtësi funksionale dhe të pavarur;

do të rrisnin nivelin e arsimimit dhe do të garantonin një zhvillim kulturor aktualisht të munguar dhe nën kthetrat e banalitetit;

nëse do të mundeshin që realisht t‘i bënin shqiptarët që të gëzonin të mirat (bashkë me pasojat) e qarkullimit të lirë të ideve, mallrave dhe njerëzve;

nëse do të garantonin një të ardhme të sigurt prosperiteti ekonomik që fillon së pari me përballimin e krizës ekonomike që po troket edhe ndër ne;

nëse do të krijonin një dialog produktiv me shoqërinë civile duke i dhënë asaj hapësirat e munguara;

nëse do të hiqnin dorë nga kënaqësia e pistë e kontrollit të mediave;

nëse nuk do të shtypnin së bashku ata që mendojnë ndryshe dhe posaçërisht nuk do të ishin më alergjikë ndaj mendjeve të pavarura;

…e kështu me radhë.

Mirëpo, marrëveshjet e realizuara deri tani ndërmjet dy "liderëve", përveçse kanë qenë jotransparente, më së shumti duket se kanë qenë produkt interesash jo dhe aq të pastra, sikundër janë zgjidhja e "problemeve" fitimprurëse (jo të pastra) të biznesmenëve që i rrethojnë apo të konsolidimit të pushtetit vetjak në kampet respektive.

Kështu, nëse një "bashkëqeverisje" mes dy të mëdhenjve, pra një koalicion "I madh" qeverisës (nën sloganin: "Ti mbaj bashkinë, unë Shqipërinë") do të bëhet vetëm që t‘u vihet një saç i madh përsipër problemeve të korrupsionit që tashmë janë evidente në të dy krahët e politikës, nëse kjo bëhet që përfundimisht të mbytet funksionimi i demokracisë apo qoftë edhe ky zhvillim të vihet nën kontrollin e tyre, atëherë Shqipëria shumë shpejt do të gjendet para asaj që nëpër librat, të cilët synojnë të analizojnë situata të tilla të ngjashme: përpara emergjencës demokratike, thënë ndryshe para nevojës së rithemelimit të pluralizmit politik.

E nëse intensionet e këtyre "marrëveshjeve" do të ishin larg këtyre dyshimeve, nuk kishte pse edhe editoriali i fundit i prestigjiozes "The Economist", dedikuar zhvillimeve të pritshme elektorale në Shqipëri, të mbyllej me frazën shokuese: "E qartë është vetëm që kjo do të jetë një fushatë e pistë dhe e lodhshme". Duket se jo vetëm ndo ca analistë në Shqipëri, por edhe gjetkë, nuk e beson njeri as mrekullinë e qeverisjes berishiane, as politikën "e re" të Ramës, i cili ka në politikë po aq vjet sa vetë Berisha.

Dhe këtu fillon edhe problemi i një koalicioni të mundshëm mes tyre. Ka për të qenë një koalicion mëkatërësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›