Jean Ferrandis: Udhëtim muzikor me publikun shqiptar
Sapo ka shkelur në Shqipëri, është ulur në gjunjë e ka puthur tokën. Është një ritual i kahershëm i muzikantit. Kështu, i jep mundësi vetes dhe vendit që e pret që të njihen më mirë, për të krijuar në këtë mënyrë një lidhje, e cila të mund të zgjasë në kohë... Flautisti francez, Jean Ferrandis, sot në mbrëmje vjen në një koncert në kryeqytet. Nga koncerti në Tajvan, ka mbërritur menjëherë në Shqipëri. Nuk i tha jo ftesës, sepse në sytë e tij, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend ekzotik, ende për t‘u zbuluar. Ai do të performojë në koncert me orkestrën e dhomës së Tiranës, tashmë e njohur me emrin Camerata e Tiranës. Flautisti Ferrandis, i njohur në vendin e tij, por edhe në mbarë Evropën, për herë të parë përballet me publikun shqiptar. Në skenën e Akademisë së Arteve, sot në mbrëmje ai do të ngjitet jo vetëm si flautist, por edhe si dirigjent i orkestrës. Do të interpretojë në koncert pjesë nga Turina (si një homazh për gjysmën e tij spanjolle), Vivaldi (për gjysmën tjetër italiane), Greig e të tjerë kompozitorë. Zgjedhja është e larmishme, jo rastësisht. Ai dëshiron t‘i japë ngjyra koncertit, duke e rrëmbyer publikun në një udhëtim të këndshëm. "Kjo është ëndrra ime", komenton Jean Ferrandis. E njësoj si ai vetë, si origjina e tij spanjolle e italiane, por edhe si një burrë i rritur e i formuar në Francë, edhe muzika e tij evokon nxehtësinë mesdhetare dhe elegancën franceze. Gjatë qëndrimit në Tiranë, flautisti Ferrandis ka pasur mundësi të njihet edhe me studentë të instrumenteve frymore në Akademinë e Arteve të Tiranës. "Kam vënë re se ata nuk janë aq të fortë sa studentët e Kantos apo sa ata të instrumenteve me harqe, tha ai, megjithatë unë mendoj se e rëndësishme është të kesh muzikën brenda vetes, sepse teknika mësohet dhe perfeksionohet gjithmonë. Zemra është ajo që nuk modifikohet dot", u shpreh ai. E në të vërtetë, Ferrandis, e njeh mirë këtë pjesë. Duke bërë shaka, thotë se me flautin është lidhur krejt rastësisht. "Prindërit e mi janë njerëz shumë të thjeshtë. Ne jetonim në një apartament shumë të vogël. Im vëlla, që tashmë është një dirigjent shumë i njohur, në atë kohë, studionte për piano. Kur unë u rrita dhe u bëra gati për të studiuar muzikë, nëna ime më tha: mirë mund të studiosh muzikë, por shiko të zgjedhësh një instrument që nuk na zë shumë vend. Dhe unë zgjodha flautin... Bëj shaka, por unë mendoj se ishte flauti ai që më zgjodhi mua", tregon duke qeshur ai. Ata që e njohin mirë, thonë se Jean Ferrandis ka lindur për të qenë muzikant. Shumë shpejt ai u bë një nga instrumentistët më virtuozë. Me flautin ai korri sukses të menjëhershëm, ishte instrumenti që e lidhi fort me muzikën për ta bërë të pandashëm njëherë e përgjithmonë. Karriera e tij është e suksesshme. Flautisti ka interpretuar në shumë vende të botës, si në Rusi, Kore, Japoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa lënë mënjanë edhe shumë vende të Evropës Qendrore. Që prej disa vitesh, Jean Ferrandis, drejton rregullisht orkestrën e San Petërburg Camerata. Sepse përveçse muzikant, ai është edhe dirigjent. Këto të dyja nuk di t‘i ndajë. Tek e fundit me të dyja arrin të bëjë muzikë, ndaj i do fort. Sepse nëpërmjet muzikës, ai jeton. Menjëherë pas koncertit në Tiranë, flautisti ka parashikuar një koncert në Paris, më pas në Gjermani e Holandë.