E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatim-fitimi, Jaka: Impakt negativ, ligji të konsultohet

Ekspertët e Ministrisë së Financave do të rishohin nga e para draftin për tatimin progresiv, i cili u tërhoq nga Këshilli Konsultativ i Biznesit ku ishte çuar për tu diskutuar. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, tha dje për gazetën se do të ishte mirë që një ligj si ky të mos vinte në këtë trajtë, pasi impakti i parë që ka krijuar ka qenë negativ. Shumë nga investitorët e huaj apo vendas që ne kemi pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, nuk e kanë pritur mirë këtë projektligj të tatimit progresiv. Janë shprehur të shqetësuar, pasi qeveria nga ana e saj duhet të ketë parasysh edhe planet dhe strategjitë afatgjata të biznesit, të cilët padyshim që preken nga ligje të tilla. Qeveria duhet të respektojë biznesin dhe planet e tij, tha Jaka. Ndërkohë, sipas tij, është vendosur që ligji mbi tatimin progresiv të fitimit për kompanitë të tërhiqet për tu diskutuar në një moment të dytë. Është mirë që, nëse Ministria e Financave do të sjellë një projektligj për këtë çështje, pra për fitimin e biznesit, ta sjellë atë të kompletuar dhe të menduar mirë. Me këtë dua të them që duhet që të mendojë edhe ta diskutojë me grupet e interesit, të cilat preken në fakt në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ky ligj. Nëse nuk veprohet kështu, ligje të tilla mund të dekurajojë biznesin dhe investitorët, tha kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Shqetësimet më të mëdha duket se kanë qenë të bizneseve që operojnë në sektorin e shërbimeve, por edhe profesione të lira ku rentabiliteti është më i lartë. Drafti i dalë nga Financat propozonte që Shkalla tatimore e tatimit mbi fitimin caktohet në bazë të përqindjes së rentabilitetit të tatimpaguesit, sipas shkallëve: 10% në rast se përqindja e rentabilitetit është deri në 20%, 20% në rast se përqindja e rentabilitetit është 20% deri në 30% dhe 30% në rast se përqindja e rentabilitetit është mbi 30%. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, shprehet se nëse ligji do të rikthehet në Këshillin Konsultativ të Biznesit, dhoma që ai drejton do të bëjë propozime konkrete në përmirësim të këtij ligji. Qeveria në fillim këtë ligj e lakoi si një nismë që do të prekte disa kompani me ndikim të madh në treg dhe me normë të lartë fitimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›