E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet: 57 ditë afat për heqjen dorë nga ankimimet për përfitimin e “Faljes me Kusht”

TIRANE, 5 tetor /ATSH / Tatimpaguesit që duan të përfitojnë nga masat lehtësuese të parashikuara në kuadër të “Faljes me Kusht” kanë edhe 57 ditë afat për të paraqitur aktin e heqjes dorë nga proceset e ankimit administrativ apo gjyqësor.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka rikujtuar subjekteve se akti i heqjes dorë nga ankimi administrativ, padia, ankimi apo rekursi duhet të paraqitet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, me kërkesë zyrtare nga subjekti dhe përpara pagesës së detyrimit principal.

Sipas administratës tatimore, heqja dorë nga ankimi është një nga kushtet për përfshirjen në skemën e faljes për tatimpaguesit që kanë detyrime në proces ankimi. Akti i dorëheqjes duhet të paraqitet jo më vonë se 30 nëntor 2026.

Në këtë kuadër, Tatimet u bëjnë thirrje subjekteve të respektojnë afatet ligjore për të përfituar nga lehtësitë fiskale të parashikuara.

Për informacion shtesë ose asistencë, tatimpaguesit mund të kontaktojnë në adresën elektronike info.falja@tatime.gov.al.

Ligji për faljen e detyrimeve tatimore hyri në zbatim në vitin 2026 dhe synon të pastrojë një pjesë të stokut të vjetër të borxhit tatimor, të rrisë arkëtimet dhe të lehtësojë barrën e detyrimeve të akumuluara për bizneset dhe tatimpaguesit.

Ligji nr. 86/2025 parashikon fshirjen ose shuarjen e një pjese të detyrimeve tatimore të papaguara, si dhe të gjobave e kamatëvonesave, me kushte të ndryshme në varësi të periudhës së detyrimit.

Për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014, ligji përcaktonte fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat nuk fshihet principali.

/e,xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›