Berisha: Parlamenti po i shërben narkoshtetit, qytetarët të mblidhen të enjten në protestë

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvend e cilësoi Parlamentin si një institucion që i shërben “narkoshtetit”.
Berisha tha se Kuvendi është shndërruar në një institucion që “dhunon interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë”.
“Ky parlament nuk meriton të qëndrojë i mbledhur asnjë orë, asnjë ditë. Ky parlament është shndërruar në një shërbëtor të shpifur të narkoshtetit. Është shndërruar në një dhunues flagrant të interesave më jetike të qytetarëve shqiptarë. Ky parlament është shndërruar në një institucion turpi që po i shërben në verbëri absolute narkoregjimit, narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, padrinos së Shqipërisë.
“Për çdo qytetar shqiptar, për çdo patriot shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij, çështja më themelore është çështja se si piramida e sigurisë së tyre u faktua totalisht piramidë e narkoshtetit, e krimit, e karteleve të drogës”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, kreu i PD-së bëri thirrje për mobilizim qytetar ditën e enjte.
“E enjtja është dita e qytetarëve, dita e shqiptarëve e të rinjve. U bëj thirrje shqiptarëve ku janë e ku nuk janë të mblidhen të enjten në këtë parlament”, deklaroi Berisha.
Ai e mbylli apelin e tij duke kërkuar që qytetarët t’i japin “përgjigjen më të merituar” këtij institucioni, për të cilin tha se është kthyer në një institucion të “krimit, drogës dhe mafies shqiptare”.
/m.q/r.e/a.f/