E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Wendt me kreun e SPAK: Luftë kundër krimit transnacional

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm ishte në fokus të një takimi të ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, me drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho.

Wendt zhvilloi një takim edhe me kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi rolin e institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave.

Ambasada amerikane theksoi se, lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm përbën një nga përparësitë kryesore të administratës së Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Në takim u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe kontributin e këtij partneriteti në forcimin e sigurisë.

“Lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm është ndër përparësitë kryesore të Presidentit Donald Trump. Ambasadori Eric Wendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave dhe se si partneriteti ynë kontribuon për një të ardhme më të sigurt e më të begatë për të dy kombet tona”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›