Tatimet/ Fshihen 215 milionë euro detyrime, 30 qershori afati i fundit për faljen me kusht

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur se po vijon procesi i faljes pa kusht të detyrimeve tatimore të papaguara, të cilat i përkasin periudhës deri më 31 dhjetor 2014.
Sipas të dhënave zyrtare të administratës tatimore, nga ky proces i fshirjes automatike kanë përfituar deri më tani mijëra subjekte juridike dhe individë, duke lehtësuar bilancet e tyre financiare nga detyrimet e prapambetura ndër vite.
“215 milionë euro detyrime tatimore të papaguara janë fshirë/shuar automatikisht për 25,005 tatimpagues që kanë përfituar nga procesi i faljes pa kusht, sipas përcaktimeve të ligjit”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Paralelisht me procesin automatik, institucioni ka kujtuar tatimpaguesit se po afron afati përmbyllës për skemën tjetër të lehtësimit, atë të fshirjes së pjesshme kundrejt pagesës. Data 30 Qershor 2026 është përcaktuar si afati i fundit ligjor për kryerjen e pagesës së detyrimit të nevojshëm, me qëllim përfitimin nga fshirja e 50% të principalit të mbetur.
/rtsh.al/