Buxheti i shtetit arkëtoi 340,5 miliardë lekë në pesë muaj, 11,2% më shumë se një vit më parë

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Të ardhurat në buxhetin e shtetit arritën në 340,5 miliardë lekë gjatë periudhës janar-maj 2026, duke shënuar një rritje prej 11,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe duke tejkaluar planin me 5,3%.
Agjencia për Media dhe Informim (MIA), publikoi sot statistikat për 5-mujorin e parë të vitit, teksa bëri të ditur se performanca e mbledhjes së të ardhurave vijon trajektoren pozitive.
Sipas MIA-s, rritja e të ardhurave mbështet financimin e politikave publike dhe investimeve prioritare, ndërsa garanton qëndrueshmërinë e financave publike.
Referuar treguesve, gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2026, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në 286,8 miliardë lekë, ose 7,4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
“Rritja e shpenzimeve publike pasqyron angazhimin për financimin e politikave prioritare dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftimin e MIA-s.

/e.xh/r.e/a.f/