Berisha: Do ndërhyjmë për pasaportat biometrike
Kryeministri
TIRANË - Kryeministri Berisha është pyetur dje në lidhje me një nga kushtet kryesore të liberalizimit të vizave, pasaportat biometrike, dhe ka hedhur idenë e dhënies së tyre me detyrim.
Ai ka shpjeguar se për momentin qeveria është duke mbikëqyrur procesin e pasaportave dhe ende nuk ka vendosur nëse do të hyjë apo jo në lojë. "Ne po ndjekim lëshimin e pasaportave biometrike dhe një moment të caktuar ne do mund të detyrohemi të bëjmë ndërhyrje. Ndërhyrje që të jem i hapur, sepse ka dhe propozime që të marrim vendim që administrata në rresht ta marrë.
Dakord do ta marrë ai që dëshiron të dalë jashtë shtetit. Pra, do ta ndjekim, por nëse vjen momenti që interesi kombëtar, lëvizja e lirë, pengohet, ne do të reagojmë dhe qeveria do të ndërhyjë",- tha dje Kryeministri Berisha.
Ai shpjegoi se pasaportat biometrike nuk mund të jenë një pengesë për liberalizimin e vizave. "Ne nuk mund të pengohemi nga pasaportat biometrike, sepse ne kemi kompaninë që po i prodhojmë. Nuk mund të humbim një prioritet të tillë, për pasaportat.
Jam zotuar se vitin e parë të mandatit të dytë, do të kemi lëvizjen e lirë të shtetasve. Unë jam i bindur se ky problem është në rrugë të mbarë",- tha Berisha. Por ai nuk komentoi në asnjë rast thëniet e Maronit që Shqipëria është ende larg procesit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së.