Dritan Dajti takohet me bashkëshorten
Mjekët tregojnë se gjendja shëndetësore e Dritan Dajtit është në përmirësim e sipër. Shtyhet datat e operacioni
I arrestuari ka qëndruar për 45 minuta me gruan në dhomën e katit të parë të Spitalit të Burgut
TIRANË- Drejtuesit e Spitalit të Burgut, me lejen e zyrtarëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, lejuan pas 33 ditësh takimin mes të arrestuarit Dritan Dajti dhe bashkëshortes së tij Dorela (Xhoxhi) Dajti brenda ambienteve të institucionit shëndetësor të burgut. Ky fakt mësohet nga burimet zyrtare pranë këtyre dy institucioneve, të cilët konfirmuan se pas shumë kërkesave për takim, bashkëshortja Dajtit u lejua ta vizitojë atë.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se takimi ka zgjatur rreth 45 minuta dhe është zhvilluar në dhomën e katit të parë të Spitalit të Burgut, ku i shumë kërkuari që vrau katër agjentët e policisë po mjekohet për tre plagët e marra nga shkëmbimi i zjarrit mes tij dhe efektivëve blu gjatë operacionit të arrestimit më 7 gusht 2009 në zonën e plazhit në Durrës.
Përveç takimit, mësohet se institucioni shëndetësor i burgut ka lejuar bashkëshorten e Dajtit të sjellë edhe disa rroba të pastra të të dënuarit me 25 vjet burg si dhe duke i marrë rrobat e palara që ndodheshin në dhomën e tij të shërimit.
Ndërkaq, zyrtarët e këtyre dy institucioneve konfirmuan se nuk është lejuar asnjë takim tjetër me të shumë kërkuarin Dritan Dajti përveç mbrojtësit të tij ligjor avokat Arben Qeleshi, oficerëve dhe prokurorëve të çështjes Ardian Nezha e Eugen Beçi dhe bashkëshortes së tij që u takua mesditën e djeshme. Ndërsa, në lidhje me gjendjen shëndetësore të Dajtit, burimet zyrtare pranë Spitalit të Burgut konfirmuan për "Shekullin" se gjendja është drejt normalizimit përfundimtar. "Gjendja e përgjithshme shëndetësore tashmë është drejt stabilizimit përfundimtar.
Plaga e krahut, konkretisht bërrylit të krahut të majtë ku plumbi ka përshkruar tej më tej thuajse është mbyllur përfundimisht, edhe pse ka pak vështirësi në mbylljen dhe hapjen e krahut vertikalisht, por plaga është qetësuar. Plaga e barkut, ku është operuar në Spitalin e Durrësit tashmë është qetësuar dhe i janë hequr penjtë e qepjes, nuk ka problem me tretjen dhe ushqehet normalisht, por ankesat e dhimbjeve të herë pas hershme vazhdojnë.
Ndërsa, dy plumbat që ka në trup, ata i kanë sjellë probleme. Plumbi që ka në fund të shtyllës kurrizore, që anon nga ana e majtë e legenit të këmbës së majtë ka sjellë dëmtimin e qelizave nervore që ka shkaktuar paralizimin e këmbës dhe mos lëvizjen e pacientit nga shtrati.
Ndërsa, plumbi që ndodhet në kofshën e djathtë nuk ka sjellë probleme të tjera shëndetësore, plaga është lokalizuar dhe pritet vetëm ndërhyrja kirurgjikale e heqjes së tij. Por, hë për hë nuk mund të ndërhyjmë për shkak se shtetasi Dritan Dajti vazhdon të marrë mjekimet e nevojshme dhe pa u qetësuar gjendja e përgjithshme nuk do të ndërhyjmë për operimin e tij",-thanë për "Shekullin" burimet zyrtare pranë personelit mjekësor të Spitalit të Burgut të cilat vazhdojnë të ndjekin gjendjen shëndetësore të të shumë kërkuarit.
Sipas prokurorisë, ndaj të shumë kërkuarit Dajti tashmë rëndojnë një sërë akuzash penale, që nga ajo e "vrasjes në rrethana cilësuese" të katër agjentëve të policisë; "vrasjes nga pakujdesia" të shoqëruesit të tij shtetasit Ledion Mara; "vrasjes në rrethana cilësuese" të mbetura në tentativë ndaj oficerëve të tjerë që morën pjesë në operacionin për arrestimin e tij; "vrasjes" të mbetur në tentativë ndaj adoleshentit F.S. që ka mbetur i plagosur; "përvetësimit të titullit shtetëror" për shkak të gjetjes dhe sekuestrimit të dokumenteve të policisë të falsifikuara; akuzën e "falsifikimit të dokumenteve" si dhe "armëmbajtje pa leje".