Tatimet komplikojme skemen e deklarimit

Në bazë të udhëzimit, lëshuar më 11 mars, krahas dorëzimit të pasqyrave financiare konform standardeve të kontabilitetit, tatimpaguesit do të dorëzojnë edhe kontratën e qirasë për ambientet e marra me qira, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi, gjendjen e inventarit të materialeve dhe mallrave më datë 31 dhjetor 2010, si dhe inventarin e mjeteve të transportit në pronësi.
Të tria këto shtesa kërkohen nga tatimet në një kohë kur kanë mbetur edhe rreth dy javë nga skadimi i afatit për dorëzimin e bilanceve, duke ia komplikuar më tej biznesit procedurën.
Gjithashtu, shumë biznese i kanë deklaruar me kohë bilancet, por me ndryshimet e fundit dhe të papritura, subjektet duhet t’i futen punës edhe një herë nga e para, veprime që kërkojnë kohë dhe mbartin kosto.
Ndryshe nga sa deklaron Ministria e Financave se biznesit po i lehtësohen procedurat në raport me tatimet, realiteti tregon të kundërtën.
Ekspertët i gjykojnë procedurat e fundit si tepër burokratike dhe si “stërkëmbësh” i tatimeve ndaj biznesit, tani kur afatet janë drejt skadimit.