Tatimet monitorim tregjeve bujqësore e blegtorale, 112 masa administrative në gusht

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Në muajin gusht Administrata Tatimore ka zhvilluar kontrolle dhe monitorime të vazhdueshme në tregjet e produkteve bujqësore dhe blegtorale në të gjithë vendin, me qëllimin sigurimin që çdo produkt të shoqërohet me faturë tatimore dhe të garantojë transparencë për konsumatorët.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë këtij muaji janë mbajtur 10 tregje nën monitorim dhe janë kontrolluar 59 subjekte të ndryshme.
Gjatë këtyre inspektimeve janë identifikuar 17 tonë mallra që nuk ishin shoqëruar me faturë tatimore, një shkelje e rregullave që kërkojnë dokumentimin e çdo transaksioni për të siguruar pagesën e duhur të tatimeve.
Për pasojë, janë marrë gjithsej 112 masa administrative ndaj subjekteve që nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore.
Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë bizneseve që operojnë në zinxhirin ushqimor të zbatojnë ligjin dhe të dokumentojnë çdo transaksion me faturë tatimore, për të shmangur ndëshkimet dhe për të kontribuar në një treg më të rregullt dhe transparent.
/a.f//r.e/